Futboll

Ndoj i sigurt drejt Serisë A, edhe Memushaj ka shanse

Serisë A me siguri do t’i shtohen futbollistët shqiptarë sezonin e ardhshëm. Emanuele Ndoj është një hap larg kësaj kategorie. Mesfushori shqiptar ishte protagonist edhe në ndeshjen e së martës me Padovan, ku shënoi golin e barazimit, që e mban Breshian të shkëputur në vend të parë të Serisë B, me 47 pikë, 4 më shumë se vendi i dytë. Ndoj shënoi në minutën e 78-të, kur rezultati ishte 1-0 në favor të Padovas, duke i dhënë një pikë të çmuar Breshias.

Mesfushori 22-vjeçar, i formuar te Roma si futbollist, është titullar i padiskutueshëm në formacionin e Breshias. Ai ka qenë vendimtar jo vetëm me lojën e tij, por edhe me disa gola të rëndësishëm, që kanë ndikuar në ecurinë e Breshias në këto 25 javë kampionat. Skuadra e njohur italiane, ku më parë është aktivizuar edhe ish0sulmuesi i Kombëtares, Igli Tare, është shumë pranë kthimit në Serinë A. Por, edhe nëse situata përmbyset dhe Breshia nuk ia del, kërkesat për Ndojin kanë ardhur që tani nga skuadra të Serisë A. Ndoj është një element i rëndësishëm edhe në listën e trajneri Kristian Panuçi, i cili i ka besuar në ndeshjet e fundit.

Ndoj gjatë një ndeshje me Breshian

Shanse për të luajtur në Serinë A sezonin e ardhshëm kanë edhe Ledian Memushaj e Elhan Kastrati, dy shqiptarët e Peskarës. Skuadra e tyre u mund 2-1 në fushën e një rivali direkt si Benevento, por është vetëm 2 pikë larg vendit të dytë, që të çon direkt në Serinë A. Memushaj luajti 90 minuta të martën dhe konsiderohet i domosdoshëm për Peskarën, falë përvojës që ka, ndërsa Kastrati ishte në stol. Gara për vendin e dytë është shumë e fortë, sepse janë disa rivalë, por edhe nëse nuk arrin të ngjitet direkt në Serinë A, Peskara ka shansin e “play-off”-it. Shqiptarë të tjerë në Serinë B janë Marash Kumbulla te Verona dhe Xhakomo Vrioni te Venecia, por jo titullarë. Janë dy lojtarë të rinj në moshë dhe presin shansin e tyre.

Ledian Memushaj me fanellën e Peskarës

Aktualisht, në Serinë A luajnë 5 futbollistë të Kombëtares: portierët Etrit Berisha dhe Tomas Strakosha, si dhe mbrojtësit Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj dhe Frederik Veseli. Rrezikon rënien vetëm Veseli me Empolin, pasi është 3 pikë larg vendit të fundit që të çon në Serinë B. Sezonin e ri, me këta kuqezinj do të bashkohet edhe Emanuele Ndoj, ndoshta edhe Ledjan Memushaj me Elhan Kastratin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë