Kombetarja

Gola, Champions dhe karton i kuq. Kuqezinjtë protagonistë në Europë

Fatjon Rupi - Fundjava që lamë pas ishte e përgjithësisht pozitive për futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë. Gati një muaj para nisjes së ndeshjeve kualifikuese të Europianit, trajneri Kristian Panuçi i ka në formë “ushtarët” e tij. Disa prej tyre jo vetëm që luajnë titullarë me ekipet e tyre, por edhe kanë shënuar gola me peshë, tre kuqezinj luftojnë për nj vend në Champions League në Itali, ndërsa ndonjë tjetër ka parë para syve kartonin e kuq.

Emanuele Ndoj shënoi golin e dytë për Breshian në fitoren 3-1 ndaj Karpit, ku mesfushori i rikthyer nga një dëmtim, luajti 70 minuta. Skuadra e tij kryeson renditjen e Serisë B aktualisht. Mbrojtësi Ardian Ismajli shënoi golin e parë në sfidën e shqiptarëve në Kroaci. Ai i dha avantazhin Hajdukut të Splitit, ndërsa Myrto Uzuni barazoi në fillim të pjesës së dytë për Lokomotivën e Zagrebit. Ndeshja u mbyll me fitoren 2-1 të Hajdukut, në formacionin e të cilit luajti 72 minuta edhe vlonjati Françesko Tahiraj, një lojtar që mund të jetë kuqezi në të ardhmen. Rrugën e rrjetës e ka gjetur dhe Ermir Lenjani në Zvicër. Ai shënoi golin e parë për Sionin në barazimin 2-2 më Luganon. Në këtë ndeshje luajti 15 minuta e fundit sulmuesi Armando Sadiku, por pa lënë shenjë.

Strakosha dhe Berisha në stërvitje me Kombëtaren

Interesante është gara e tre kuqezinjve të Serisë A për një vend në Champions League, për vendin e katërt në kampionat. Etrit Berisha dhe Berat Gjimshiti sfidojnë Lacion e Tomas Strakoshës dhe Igli Tares në këtë duel, ku gjithashtu janë të përfshira edhe skuadrat e Milanit dhe Romës. Konkurrenca është e fortë dhe shqiptarët bëjnë tifo për Lacion dhe Atalantën, që të paktën një prej tyre të jetë në Champions sezonin e ardhshëm. Strakosha ishte titullar në fitoren 1-0 ndaj Empolit të Frederik Veselit, gjithashtu në fushë për 90 minuta. Po kaq luajti edhe Etrit Berisha në fitoren 2-1 të Atalantës ndaj Spalit, kurse Berat Gjimshiti këtë herë qëndroi në stol.

Keidi Bare në ndeshjen ndaj Las Palmasit, ku u ndëshkrua me karton të kuq

Rei Manaj dhe Keidi Bare synojnë të jenë në La Liga sezonin e ardhshëm dhe i kanë të gjitha shanset. Albacete e Manajt mban vendin e parë, me 48 pikë, 3 pikë para Malagës së Bares. Ky i fundit ishte protagonist negativ këtë fundjavë, pasi u ndëshkua me karton të kuq (dy të verdhë) në barazimin 0-0 me Las Palmasin. Manaj luajti 65 minuta në fitoren e pastër 2-0 ndaj Majorkës, fitore që e ngjiti skuadrën e tij në vend të parë.

Fundjava ishte pozitive edhe për Elseid Hysajn, i cili u kthye titullar dhe luajti 90 minuta në barazimin 0-0 me Fiorentinën. Edhe Ledian Memushaj luajti me kohë të plotë në barazimin 1-1 të Peskarës në fushën e Livornos. Në Gjermani, Mërgim Mavaraj duket se ka rigjetur veten dhe luan rregullisht në formacionin e Ingolshtadit, që këtë herë fitoi në transfertë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë