Kombetarja

“Ushtarët” e Panuçit, në top formë

Fatjon Rupi - Më pak se dy muaj kanë mbetur nga nisja e eliminatoreve të Euro 2020. Shqipëria e ka në shtëpi ndeshjen e parë kualifikuese, me Turqinë, më 22 mars. Deri atëherë trajneri Kristian Panuçi me siguri do t’i ketë idetë të qarta dhe do të përzgjedhë më të mirët. Franca konsiderohet favorite absolute në Grupin H, ku kuqezinjtë do të sfidojnë Turqinë dhe Islandën për vendin e dytë. Grupin e plotësojnë Moldavia dhe Andorra, kundërshtarë të lehtë në letër.

Për momentin, gjendja e lojtarëve të Kombëtares, me ndonjë përjashtim, është mjaft e mirë. Javën e fundit, shumica e të grumbulluarve nga trajneri Panuçi në ndeshjet e fundit, kanë qenë titullarë, çka do të thotë se forma e tyre fizike është optimale. Panuçi dhe të gjithë në Shqipëri shpresojnë të mos dëmtohet asnjë lojtar, si dhe të rikuperohen në kohë Roshi dhe Grezda. Me kontingjent të plotë, Kombëtarja do të ketë mundësinë të hapë një cikël të ri në këto eliminatore.

Kombëtarja shqiptare para miqësores me Uellsin

PORTA DHE MBROJTJA – Në prapavijë gjithçka është “Ok”. Përjashtim bën Elseid Hysaj, i cili ka përfunduar në stol periudhën e fundit, ndërsa për momentin e shqetëson edhe një dëmtim. Ndoshta zërat e merkatos e kanë turbulluar mbrojtësin kuqezi dhe rendimenti i tij është ulur te Napoli, aq sa trajneri Ançeloti nuk e llogarit as si zgjedhje të dytë. Kapiteni Mërgim Mavraj, Berat Gjimshiti, Frederik Veseli dhe Enea Mihaj luajtën të gjithë 90 minuta fundjavën që shkoi. Egzon Binaku është në kohë përgatitjesh me Malmoen, pasi në Suedi nuk luhet në këtë periudhë, ashtu si dhe në disa kampionate të tjera. Portierët Etrit Berisha dhe Tomas Strakosha janë ata të zakonshmit, titullarë me ekipet e tyre në Serinë A dhe garanci për Panuçin.

MESFUSHA - Alternativat janë të shumta për Kombëtaren në këtë repart. “Veteranët” Migjen Basha dhe Andi Lila ishin të dy titullarë në kampionatin grek me ekipet e tyre. Ledjan Memushaj po ashtu nuk diskutohet në formacionin e Peskarës. Emanuele Ndoj po zhvillon një sezon shumë të mirë me Breshian. Për momentin ai është kthyer nga një dëmtim dhe në ndeshjen e fundit luajti 25 minuta. Kejdi Bare në Spanjë ka më shumë hapësira me kalimin te Malaga dhe gjasat janë që të grumbullohet nga trajneri Panuçi. Taulant Xhaka dhe Sabien Lilaj janë pushim për momentin me ekipet e tyre në Zvicër dhe Azerbajxhan, por përvoja e tyre vlen gjithmonë, ashtu si dhe ajo e Ergys Kaçes, nëse do të jetë e nevojshme.


Një formë të shkëlqyer ka treguar edhe mesfushori-sulmues Myrto Uzuni, titullar dhe goleador me Lokomotivën e Zagrebit në Kroaci. Panuçi i ka besuar në ndeshjet e fundit dhe me siguri e llogarit si një lojtar të rëndësishëm për të ardhmen. Eros Grezda, një tjetër lojtar me karakteristika të njëjta si të Uzunit, u dëmtua në momentin e tij më të mirë me Gllasgou Rejnxhërs, por pritet që më 22 mars të jetë plotësisht gati. Shpresat janë që në atë moment Kombëtarja të ketë gati edhe Odise Roshin, i cili vjen nga një dëmtim i gjatë dhe i duhet kohë për të kapur formën.

SULMI – Edhe në repartin e avancuar alternativat janë shtuar për stafin teknik të kuqezinjve. Armando Sadiku ka lënë pas dëmtimin dhe me kalimin te Lugano mendohet se do të rigjejë formën e mëparshme dhe do të jetë një pikë referimi për Kombëtaren. Edhe Sokol Cikalleshi ka ndërruar ekip për të pasur më shumë hapësira. Rei Manaj po bën mirë me Albaceten në Spanjë, ndërsa Xhakomo Vrioni po jep sinjale pozitive me Venecian në Serinë B. Bekim Balaj nuk është në aktivitet me ekipin e tij në Rusi aktualisht.

Deri në mars mund të ketë zhvillime, por në këtë moment gjërat duken në rrugë të mbarë për trajnerin Kristian Panuçi, pasi të tijtë janë vërtet në gjendje të mirë fizike. Taktika pastaj është çështje e trajnerit italian, i cili ka rastin të tregojë se çfarë është në gjendje të bëjë me kontingjent të plotë. Nëse grupi do të mbetet i plotë gjatë eliminatoreve, për Panuçin nuk do të ketë asnjë justifikim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë