Futboll

Elozhe nga Italia për Ndojin: Një yll, i ktheu vërshëllimat në duartrokitje

Prestigjiozja italiane “La Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një artikull transformimit të futbollistit të Kombëtares së Shqipërisë, Emanuele Ndoj. Në këtë artikull flitet me superlativa për mesfushorin kuqezi, që po rritet bashkë me Breshian dhe që është i destinuar të bëhet një lojtar i madh. Ndoj është një pikë referimi për trajnerin Korini, pasi është efikas në lojë, me asiste dhe gola. Ja artikulli i plotë për Emanuele Ndojin:

I lindur në Katania dhe i rritur në Padova, më pas në Romë. Tani ai është një pikë kyçe te Breshia dhe te Shqipëria. Emanuele Ndoj është simboli perfekt i integrimit. Lidhja me origjinën nuk është në kontrast me vendin ku jeton. Zgjedhja e tij, e ngjashme me atë të Gigs apo Boateng, nuk e veçon nga i njëjti cikël futbollistik me atë të Bizolit dhe Tonalit. Ndoj është aktualisht një nga lojtarët më të vlerësuar të Serisë B.

Emanuele Ndoj

Nuk është vetëm goli i shënuar të martën që shkoi pikërisht ndaj Padovas, ish-skuadrës së tij, - me një trajektore alla Del Piero, - që e evidenton këtë mesfushor shtatlartë, tashmë mjaft elegant në lojë dhe me gjuajtje potente. Pjekuria e Ndojit ka ecur paralel me rritjen e skuadrës në këto muaj të fundit, ku ajo po kryeson renditjen. Ashtu si Bizoli dhe Tonali, Ndoj është besnik i Breshias nga sezoni i kaluar. Te kjo skuadër e ka sjellë Sagramola, administratori i deleguar i pronarëve të vjetër. E ka mbajtur pa hezituar edhe Çelino, presidenti aktual, ndërsa trajneri Korini ka besuar shumë te shqiptari. E kishte kërkuar Spali më parë, por Ndoj kaloi te Breshia nga Roma, bashkë me Mikele Somën. Kartoni i të dyve shkonte në 150 mijë euro dhe ata u shkëmbyen me Ismail H’Maidat (tashmë i zhdukur nga futbolli).

Këtë vit Ndoj ka qenë vendimtar në barazimin ndaj Padovas, ndërsa në 26 dhjetor të vitit të kaluar i dha fitoren Breshias me atë gol në sekondat e fundit të ndeshjen me Kremonezen, që u mbyll 3-2. Ka shënuar po ashtu edhe në fitoren 3-1 ndaj Karpit. Duket një lojtar i destinuar për të bërë karrierë, edhe pse në fillim për të kishte dyshime. Askush nuk dyshonte në talentin e tij, por sjellja në fushë ishte inferiore në raport me potencialin e tij. I ëmbël me topin, por i mungonin golat dhe asistet, dinte të driblonte, por nuk arrinte të kalonte kundërshtarin. Elegant, por pak i ngathët. Ndërhyrjet me vonesë dhe sjellja e gabuar i kushtonin kartonë dhe vërshëllima në shkallët e stadiumit nga një publik që shihte një Breshia gjithmonë në “fije të perit”, duke shpëtuar javën e fundit të kampionatit për sezone me radhë.

Ndoj dhe Ramadani në konferencë shtypi me Kombëtaren

Tani gjithçka është ndryshe. Ndoj është transformuar, ashtu si dhe Breshia që komandon renditjen dhe po i afrohet Serisë A. Kontroll topi i mirë, asiste dhe gola. Vendimtar në ndërhyrje dhe më pak kartonë, që e kanë bërë ndër beniaminët e tifozëve të Breshias. Korini nuk e kursen kurrë dhe paraqitja e tij është super. Ndoj është çliruar dhe i ka bërë të gjithë për vete. De Biazi donte ta merrte te Shqipëria, por nuk ia doli në kohë dhe këtë gjë e ka bërë tashmë Panuçi. Ndoj vendosi të luajë për Shqipërinë, jo për Italinë, ku kushedi çfarë do të kishte bërë bashkë me Tonali…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë