Futboll

Vllaznia, marrëveshje bashkëpunimi me një klub nga Katari


Drejtori sportiv i Vllaznisë, Engin Firat, i ardhur në Shkodër para disa muajsh, po punon gjatë kësaj periudhe për të vendosur ura bashkëpunimi me klube të ndryshme të huaja. Dhe puna e tij duket se ka pasur sukses, pasi klubi “Vllaznia” sapo ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me “Muaither Club”, një klub nga Katari.

Nuk bëhet fjalë për një binjakëzim të mirëfilltë mes dy klubeve, por thjesht për marrëdhënie bashkëpunimi mes tyre. Konkretisht, Vllaznia dhe Muaither mund të luajnë ndeshje miqësore mes tyre, mund të shkojnë në kampe stërvitore së bashku, mund të bashkëpunojnë në sektorin e të rinjve dhe mund të bashkëpunojnë në transferimin e lojtarëve. Kjo është e reja që sjell drejtori sportiv i Vllaznisë, Firat, në punën e tij në klubin shkodran. Në të ardhmen mund të ketë të tjera marrëveshje bashkëpunimi me klube të huaja.

Vllaznia është një klub që prodhon lojtarë të talentuar vazhdimisht dhe falë bashkëpunimit me klube të huaja, atyre mund t’u krijohet mundësia për t’u shitur jashtë vendit, çka të do të sillte të ardhura në arkën e klubit kuqeblu dhe do t’i ndihmonte këta të rinj për të bërë karrierë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë