Rend dhe Ligj

Vendimi për Dritan Dajtin, Gjonaj: Rast i paprecedent

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda që pranoi kërkesën e Dritan Dajtit për gjykim të shkurtuar, duke e dënuar përfundimisht me 25 vite burg. Për Gjonajn vendimi është një aferë korruptive nga segmente të drejtësisë, ku ende nuk ka arritur vettingu.
“Vendimi i trupës së gjyqtarëve për pranimin e gjyqit të shkurtuar dhe uljen e dënimit me 25 vjet burg për një të pandehur i akuzuar për vrasjen e 4 policëve tregon qartë se kemi të bëjmë me një aferë korruptive dhe në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.
Prej 48 orësh kemi punuar intensivisht për të adresuar një skandal të tillë të papranueshëm, të përmasave të tilla të pa tolerueshme të gjyqtarëve që kanë dhënë vendimin në kundërshtim me ligjin për personin e akuzuar për vrasjen e 4 policëve.
Duke ndarë revoltën legjitime të çdo qytetari përballë këtij lajmi të shëmtuar që vjen nga segmente, ku ende nuk ka arritur procesi i vettingut, duhet të theksoj se do të ndjekim të gjitha hapat me mjetet ligjore që jeta e 4 dëshmorëve të atdheut të peshohet në kandarin e korrupsionit në mungesë totale të profesionalizmit të disa gjyqtarëve që nuk meritojnë asgjë tjetër përveç se përbuzjes”, tha ndër të tjera Gjonaj.
Dy ditë më parë, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, i provuar si fajtor për vrasjen e katër efektivëve të policisë në vitin 2009 pranë plazhit “Iliria” në Durrës.

Më Shumë