Kombetarja

Uzuni dhe Bare shkëlqejnë me ekipet e tyre

Ka qenë shumë e mbarë kjo e premte për dy talentet e futbollit shqiptar, Myrto Uzuni dhe Kejdi Bare. Mesfushori fierak dhe sulmuesi beratas kanë shkëlqyer me performancat që kanë bërë me ekipet e tyre. Uzuni me gol në Kroaci dhe Bare me asist në Spanjë i kanë derguar kështu këtë të premte një mesazh të qartë trajnerit të kombëtares Kristian Panuçi se janë gati për të marrë përgjegjësi edhe me fanellën kuqezi.

Përballja e Malagës me Almerian e ka parë Kejdi Baren për herë të pestë me fanellën e titullarit. Duket si salduar tashmë në këtë pozicion mesfushori shtatshkurtër, që edhe këtë herë ka dhuruar një tjetër paraqitje shumë pozitive, duke shërbyer golin e parë të takimit. Për fat të keq Malaga nuk arriti ta fitojë këtë përballje, por mori një pikë me shumë vlerë që vijon ta mbajë atë në vendet e para të tabelës dhe pretendente për t’u rikthyer në La Liga. Bare është formuar si futbollist te Atletiko Madrid dhe kalimi te Malaga erdhi për shkak të hapësirave të pakta që kishte në ekipin e Diego Simeones.

Ndërkohë Myrto Uzunin mund ta quajmë pa frikë një fenomen. Para dy sezonesh ai ishte pjesë e Apolonisë së Fierit në kategorinë e parë shqiptare, ndërsa tashmë është duke u bërë “ylli” i Lokomotivës së Zagrebit në Superligën kroate. 23-vjeçari këtë të premte çoi në rrjetë golin e pestë për ekipin që për momentin renditen në vendin e tretë në Kroaci. Goli i Uzunit ishte i parë i takimit dhe që i hapi i rrugën fitores për ekipin vendas. Përveç golave Myrto Uzuni ka provuar të jetë mjaft i vlefshëm për Lokomotivën edhe në rolin e asistuesit, pasi deri më tani ka dhënë plot 5 pasime që janë konkretizuar me gol.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë