Futboll

Spaleti drejt largimit, tre emrat që mund të drejtojnë Interin

Sezoni i Interit është në një moment shumë delikat. Skuadra zikaltër është jashtë të gjitha kompeticioneve europiane dhe Kupës së Italisë, madje ende nuk e ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm. Mes një problemi shumë të madh me kapitenin Mauro Ikardi, në shtëpinë zikaltër ka edhe një çështje shumë të nxehtë. Ka të bëjë me trajnerin Luçiano Spaleti, i cili është vënë në qendër të kritikave nga tifozët dhe mediet italiane për mënyrën se si po menaxhon situatën me sulmuesin argjentinas.

Në rast se Inter dështon që të kualifikohet për në Ligën e Kampionëve, Luçiano Spaleti rrezikon shkarkimin nga drejtimi i stolit zikaltër. Por edhe nëse shkon në Champions, Spaleti sërish mund të largohet nga Inter dhe nga mediet italiane po fillojnë të qarkullojnë emrat e parë që mund të shkojnë në Milano.

I pari në listë prej disa muajsh tashmë është Hoze Murinjo. Portugezi është një dashuri e vjetër e Interit dhe një nga trajnerët më të dashur tek tifozët, për suksesin historik të vitit 2010, por edhe një raporti shumë të afërt që ka pasur gjithmonë me ngjyrat zikaltër. Në listë për të marrë drejtimin e Interit është edhe Antonio Konte. Italiani është njeriu i preferuar i drejtorit Marota, pasi ishin këta dy njerëz që në vitin 2012 ngritën Juventusin e madh drejt sukseseve të mëdha italiane dhe europiane.

I fundit në këtë listë është Masimo Alegri. Kampion absolut me Juventusin, Alegri nëse dështon të fitojë edhe këtë vit Ligën e Kampionëve do jetë i detyruar të largohet nga “zonja e vjetër”. Në rast të një largimi të mundshëm nga Juventus dhe nëse nuk vjen ndonjë ofertë e çmendur nga Anglia, Alegri do ishte i gatshëm të merrte drejtimin e Interit, fundja me Marotën raportet i ka shumë të mira.

Të tre emrat që po përfliten janë të një niveli shumë të lartë dhe do të shkonin në Milano vetëm për objektiva madhorë. Por nëse Inter afron në pankinë një prej këtyre tre emrave do ishte i detyruar që të bënte edhe një merkato cilësore, që si fillim nuk duhet të lejojë largimin e yjeve aktual të ekipit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë