Opozita e Bashkuar, ka reaguar pas deklaratës së Policisë së Shtetit dhe të kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, të cilët paralajmëruan më herët se do të nxitet dhunë nga opozita në protestën e së enjtes para Parlamentit shqiptar.
“Opozita e Bashkuar dënon më forcë deklaratën e Policisë Politike dhe të Ministrit të fundit të Brendshëm të diktaturës komuniste për nxitjen e dhunës nga opozita në protestën e së enjtes para Kuvendit të Shqipërisë. Nëse ka një skenar dhune apo sulmi ndaj institucioneve, ky skenar gjendet në zyrën e Edi Ramës.
Të tilla thirrje nga Policia Politike e Edi Ramës janë të dala boje. Protesta e 16 Shkurtit provoi se mes protestuesve nuk ka kriminelë.
Opozita e Bashkuar njofton bandën në krye të qeverisë, Kuvendit dhe të Policisë se koha e kërcënimit të shqiptarëve ka ikur!
Edi Rama mund të ndryshojë axhendën e Parlamentit “339”, mund të arratiset vetë nga Tirana, por është i pafuqishëm të ndryshojë axhendën e popullit!
Sovrani do të ushtrojë nesër të drejtat e tij, në orën 10.00 para Parlamentit, i cili nuk duhet të mbetet peng i krimit dhe korrupsionit, por t’u kthehet sa më shpejt Shqipërisë dhe shqiptarëve”, - mbyllet deklarata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.