Komunitet

“Shqiptarët, trafikantët që besojnë se janë zotër në Angli”

Në Britaninë e Madhe arrestohen çdo muaj mesatarisht 200 shqiptarë me akuza që fillojnë nga mungesa e dokumentacionit të qëndrimit e deri tek trafiku i drogës, përdhunimet dhe kanosjet me vrasje.

Statistikat e frikshme janë publikuar nga tabloidi britanik “The Sunday Express”. Kjo e fundit thotë se shifrat i ka siguruar nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA). Kjo agjenci publikoi në 2018 një raport ku shprehte shqetësimin për rritjen e kriminalitetit me “origjinë” shqiptare. Raporti pasoi më vonë një mori artikujsh të bujshëm herë të vërtetë e herë gjysmë të vërtetë.

Në qendër të këtyre artikujve ishin grupi i njohur si “Hellbanianz”. Qendra e këtij grupi ishte në periferi të Londrës në një ndërtesë të braktisur, nga ku sipas mediave vendase kontrollonte një pjesë të majme të trafikut të kokainës.

Pavarësisht aktivitetit kriminal, anëtarët e këtij grupi nuk ngurronin që të shpalosnin luksin e shfrenuar nëpër rrjetet sociale, kryesisht në Instagram. Drejtuesit e këtij grupi, sipas NCA, kanë vendosur lidhje të drejtpërdrejta me Amerikën Latine, duke kontrolluar të gjithë zinxhirin e kokainës, që nga importi e deri tek shitja në treg.

“Shqiptarët e ofrojnë kokainën me çmim më të lirë dhe cilësi më të mirë se grupet e tyre rivale, prandaj vazhdojnë të zgjerohen edhe me forcë e dhunë në Londër dhe gjithë Britaninë e Madhe”, citohej nga DailyMail në një artikull të muajit nëntor një ekspert i sigurisë britanike.

Ndertesa qe besohej si baze e grupeve shqiptare te kokaines ne Londer duke u shembur

Alarmi mbi bandat shqiptare u ngrit pasi “Global Drug Surveys” zbuloi se në Angli dhe Skoci kokaina dorëzohej brenda 15 minutash, madje përdoruesit shpreheshin se më shpejt arrinte droga se sa pica.

“Hellbanianz” u identifikua si grupi kryesor dhe më i fuqishmi i shqiptarëve në këto aktivitete. Qendra e tyre ishte një godinë shumëkatëshe e rrënuar në Barking, në lindje të Londrës. Godina ishte ngritur që në vitet 1960, por prej më shumë se dy dekadash ishte e boshatisur. Ajo u shndërrua në një bazë, nga ku sipas “Sunday Express” shqiptarët drejtonin aktivitetet e tyre, që nga importi i kokainës, e deri tek shitja e saj tek konsumatorët. Ky është aktiviteti i më fitimprurës, por jo i vetmi. Anëtarë të dyshuar të “Hellbanianz” janë arrestuar edhe për akuzat e pastrimit të parave, përdhunimit, kanosjes e deri tek torturimi.

Ndërtesa në fjalë u prish, por reputacioni i vendosur prej shqiptarëve në Barking, sipas “Sunday Express” jo. “Nuk mund ta tregoj emrin tim nëse shkruan për ta. Ata besojnë se janë zotër të këtij vendi. Por, jo vetëm ata. Këtu ka trafik droge, plagosje me thikë, të shtëna me armë e plot të tjera”, citon një 60-vjeçar tabloidi britanik në artikullin e vet.

Një grua me ngjyrë deklaron se kishte emigruar nga Afrika me shpresën se do të gjente siguri e qetësi në Angli. “Por, unë këtu kam frikë që të dal nga shtëpia natën”, thotë ajo.

Për zyrtarët vendorë në Barking, “Hellbanianz” nuk janë vetëm problematike e zonës së tyre. Ata thonë se grupimi ka një shtrirje në të gjithë Londrën. “Barking mori pjesën e vet të sjelljeve antisociale që ndodhin kudo në Britani”, thonë ata.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë