Futboll

Rrëfehet “sllovaku” Kristi Qose: Kombëtarja dhe idhulli Jaja Ture!

Fatjon Rupi - Me ardhjen e trajnerit Kristian Panuçi në krye të kuqezinjve, në grumbullimet e Kombëtares janë shfaqur shumë lojtarë “të panjohur”, më pas disa kanë humbur sërish, për t’u zëvendësuar me të tjerë. Kamer Qaka, Bujar Lika, Valon Ahmedi, Hysen Memolla dhe së fundi Egli Kaja janë disa emra. Disa luajnë dhe disa jo me ekipet e tyre, por të gjithëve u është dhënë shansi. Trajneri italian është gjithmonë në kërkim të futbollistëve të rinj, por duket se kampionatit sllovak nuk i ka ardhur radha. Sepse po të kishte kaluar nga Sllovakia, trajneri Panuçi me siguri do të kishte “zbuluar” Kristi Qosen, mesfushorin shqiptar që po spikat me Ruzomberok, ekipin që mban vendin e katërt në kampionat.

Është 23 vjeç, titullar i padiskutueshëm dhe në formë të shkëlqyer: 16 ndeshje dhe 5 gola në sezonin aktual. Luan në rolin e mesfushorit shkatërrues, por edhe në mbrojtje. Një lojtar i rritur në Greqi, te PAOK-u, i grumbulluar me Kombëtaret U-19 dhe U-21, ndërsa tani pret shansin në Kombëtaren A. Në një intervistë për Gazeta Si, 23-vjeçari me origjinë nga Korça flet për eksperiencën sllovake, ambiciet për të ardhmen dhe për Kombëtaren. Kristi Qose tregohet shumë i matur kur flet për ftesën e munguar kuqezi, duke mos akuzuar askënd. Shpreson shumë se herët a vonë do të vijë edhe momenti i tij.

Kristi Qose në një dyluftim ndaj Uejn Runit në Europa League

Kristi, ju jeni formuar si futbollist në Greqi, pse nuk e vazhduat karrierën aty?
Po, e kam nisur karrierën në Greqi, me PAOK-un dhe Panserrajkosin, por nuk kisha mundësi për të luajtur aty rregullisht dhe u huazova në Sllovaki, ku kam luajtur tre sezonet e fundit. Fillimisht, u huazova tek ekipi Zemplin Michalovce, më pas u transferova te Ruzomberok, ku edhe po luaj aktualisht.
Si janë kushtet e futbollit në këtë vend, infrastruktura dhe kushtet ekonomike? Po jeta në Sllovaki, si është?
Jeta në Sllovaki është shumë, shumë e qetë, nuk ka zhurmë. Infrastruktura në futboll është po ashtu shumë e mirë, ashtu si edhe ana ekonomike. Ekipet këtu paguajnë mirë dhe mbi të gjitha ka korrektësi, nuk ka vonesa në dhënien e pagave. Kjo është diçka shumë e rëndësishme në futboll.

Kristi Qose në kontrollin e topit gjatë një ndeshjeje të kampionatit sllovak

A ju kanë kontaktuar kohët e fundit nga Kombëtarja apo federata, duke parë që jeni një titullar i rregullt me ekipin tuaj dhe më parë jeni aktivizuar me kombëtaret U-19 dhe U-21?
Jo, kohët e fundit nuk më ka kontaktuar askush nga Kombëtarja, apo nga FSHF-ja.
Ju vjen keq për faktin se në Kombëtaren e Panuçit kanë ardhur shumë lojtarë “anonimë”, që luajnë pak apo nuk dihet ku luajnë dhe ju nuk keni marrë ende ftesë?
Nuk më vjen keq, ose inat, kur thirren lojtarë të tjerë në Kombëtare dhe unë jo. Unë jam i motivuar të luaj sa më mirë dhe të kem vazhdimësi. Trajneri është ai që mendon për këto gjëra, për lojtarët që duhet të ketë në dispozicion, ai e di kush do të jenë në Kombëtare dhe kush jo. Por shpresoj të jem edhe unë pjesë e Kombëtares, herët ose vonë.


Luani në mbrojtje dhe në mesfushë, ku ndiheni më mirë?
Pozicioni im natyral është ai i mesfushorit të qendrës, aty ndihem më mirë dhe mund të jap maksimumin tim, por mund të luaj edhe në mbrojtje.
Keni shënuar edhe disa gola spektakolarë gjatë këtij kampionati. Ka një sekret?
Për golat që kam shënuar nuk kam ndonjë sekret të veçantë, thjesht kanë ardhur si rezultat i stërvitjes me ekipin, apo edhe stërvitjes individuale të përditshme.

Kristi Qose

Duke parë formën që po kaloni, ju kanë kontaktuar ekipe më të mira në Sllovaki apo nga kampionate të huaja?
Më kanë kontaktuar disa ekipe në Sllovaki, por edhe ekipe të tjera nga kampionate të tjera. Shpresoj që shumë shpejt të ndërroj ekip dhe kampionat, të luaj me një klub më të fortë.
Keni një idhull, që kërkoni ta imitoni?
Idhulli im në vitet e para të karrierës ka qenë Jaja Ture, kur ai ishte në formën e duhur, në kulmin e karrierës. Mendoj se stili im i lojës ngjan pak me stilin e tij, por kuptohet që nuk jam në atë nivel (qesh).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë