Kombetarja

Reja në qiellin e Kombëtares, pret të shikojë yjet e fanellës kuqezi

“Më duket sikur po kthehem te Napoli me kaq shumë gazetarë në konferencë…”- këto ishin fjalët e para të trajnerit të ri të kombëtares shqiptare të futbollit, Edi Reja. Italiani është prezantuar sot nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe pasi firmosi kontratën që e mban të lidhur deri në muajin nëntor, në fund të ndeshjeve kualifikueseve të Europianit, ka folur për projektin e tij në krye të kuqezinjve. Reja do të debutojë në stolin e Shqipërisë më 8 qershor, në ndeshjen në transfertë me Islandën. Trajneri italian ka lënë të kuptohet se, nëse gjërat ecin mirë deri në nëntor, bashkëpunimi do të vazhdojë.

"Falënderoj presidentin Duka, i cili më besoi. Kemi folur pas ndeshjes me Turqinë, kur isha në Shqipëri për të parë lojtarë të ndryshëm. Arritëm akordin dhe tani jemi këtu. Kontrata ime është deri në nëntor. Të mbarojmë këtë fazë të parë dhe më pas të shohim. Firmos zakonisht kontrata njëvjeçare, sepse janë rezultatet që vendosin. Kisha mundësi të punoja në Itali, por kisha dëshirë të drejtoja një kombëtare dhe më erdhi shansi të drejtoj Shqipërinë. Dua të përshëndes Panuçin për punën që ka bërë. Kam folur edhe me Igli Taren, me të cilin kam punuar te Lacio.

Trajneri i ri i Kombëtares, Edi Reja, gjatë prezantimit

Dua që skuadra ime të jetë agresive dhe duhet të punoj në këtë drejtim. Duhet që lojtarët të japin gjithçka për fanellën e ekipit kombëtar dhe duhet të kemi frymën e grupit. Dua lojtarë që sakrifikojnë për Kombëtaren. Për mënyrën e lojës duhet të shoh, pasi duhet të njoh karakteristikat e lojtarëve që kam në dispozicion. Do ta marr në konsideratë edhe skemën me tre mbrojtës, por gjithçka varet nga kundërshtari. E rëndësishme është që skuadra ta interpretojë si duhet skemën e lojës. Me De Biazin kam një raport më të mirë se me Panuçin, pasi është një trajner më i vjetër. De Biazi është një person i jashtëzakonshëm dhe ka bërë një gjë të jashtëzakonshme me Shqipërinë. Shqipëria është një vend i bukur, ka det të bukur.”

Disiplina? “Po, është shumë e rëndësishme për mua. Lojtarët janë të gjithë njësoj, por nuk është gjithmonë kështu, pasi ka nga ata që janë më të rëndësishëm. Nëse ka thyerje disipline, duhet që i gjithë grupi ta pranojë atë që e shkel, jo vetëm unë. Lenjani është një lojtar më shumë sulmues dhe duhet ta vlerësoj. Situatën. Ka bërë shumë mirë kohët e fundit, ka shënuar edhe disa gola. Sigurisht që do ta grumbulloj, nëse e shoh të arsyeshme. I kam zgjedhur bashkëpunëtorët e mi, por emrat do t'i bëj të ditur, pasi të zyrtarizohen".

Duka: Reja është një trajner ekspert

Besim në trajnerin e ri ka shprehur edhe presidenti Armando Duka, i cili theksoi në fjalën e tij se në momentin ku ndodhet ekipi ishte i nevojshëm një trajner ekspert dhe Reja është i tillë.

“Mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur. Një trajner me shumë eksperiencë, do të japi atë që ka nevojë ekipi pasi kombëtarja ka futbollistë të mirë që luajnë me ekipe të mira por që kanë nevojë për një trajner ekspert për t’i vendosur në fushë. Çfarë kemi biseduar në Shkodër e tha trajneri, por pas ndeshjes i kam kërkuar një opinion nëse e njeh Shqipërinë nëse e ka parë më parë, por pa e menduar. Megjithatë, në atë moment më lindi në ide si kandidat i mundshëm për Kombëtaren.”- u shpreh Duka.

Kush është Edi Reja?

Kjo është hera e parë që Edi Reja drejton një ekip kombëtar. Trajneri i ri i Shqipërisë ka lindur më 10 tetor të vitit 1945, në Gorica, një qytet që ndodhet në kufirin mes Italisë dhe Sllovenisë. Në karrierën e shkurtër si futbollist, Reja ka luajtur në rolin e mesfushorit me tri skuadra, me SPAL-in (70 ndeshje), Palermon (124 ndeshje) dhe me Alesandrian (76 ndeshje).

Në vitin 1981 ka nisur karrierën e gjatë si trajner, kuptohet në kategoritë e ulëta. Ka drejtuar Pordenonen fillimisht dhe më pas skuadra si Trevizo, Vareze, Peskara, Kozenca, Verona, Bolonja, Leçe, Breshia dhe Torino. Në vitin 2000, kur drejtonte Viçencën, ka arritur ta ngjitë këtë skuadër në Serinë A dhe ky njihet si një nga sukseset më të mëdha të trajnerit 73-vjeçar në karrierë. Më pas është ulur në stolin e Xhenoas, Katanias dhe Kaljarit.

Periudha më e mirë për këtë trajner lidhet me dy skuadra të njohura të Serisë A, Napolin dhe Lacion. Te Napoli Reja ka qëndruar më gjatë se në çdo skuadër tjetër, 4 vite, kurse te Lacio ka qenë dy herë, në sezonet 2010-2012 dhe në sezonin 2014. Në këtë periudhë ka bashkëpunuar me drejtorin sportiv Igli Tare, me të cilin mund të ketë biseduar para se të vendoste për të marrë drejtimin e Shqipërisë. Atalanta është skuadra e fundit që Reja ka stërvitur, në sezonin 2015-2016. Eksperienca e vetme e Rejas jashtë Italisë është ajo me Hajdukun e Splitit në Kroaci.

Skema e lojës? Sipas shtypit italian, Reja parapëlqen skemën me tre mbrojtës, 3-5-2, por kuptohet që gjithçka varet nga grupi i futbollistëve që ai ka në dispozicion. Skema me tre mbrojtës nuk funksionoi me Panuçin në stol dhe 73-vjeçari, me shumë më shumë përvojë se patrioti i tij, do të dijë jo vetëm ta përshtatë skemën në bazë të lojtarëve, por edhe të forcojë frymën e grupit. Ndoshta Reja është një trajner i ngjashëm me De Biazin dhe kjo mund të jetë një arsye e fortë pse presidenti i FSHF-së, Duka, këmbënguli për të marrë ish-trajnerin e Lacios.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë