Lajme

Protesta para Kuvendit, Gjermania dhe Italia apel kundër dhunës

Vendimi i opozitës për djegien e mandateve ka vënë në alarm selitë diplomatike në Tiranë, përfaqësuesit e të cilëve nuk janë dakord. Mes të tjerash, ata bëjnë thirrje që të shmanget dhuna ditën e nesërme në protestën para Kuvendit, duke paralajmëruar se është e papranueshme në një vend demokratik.

Ambasadorja e Gjermanisë, Suzane Shutz, e ka quajtur aktin e dorëzimit të mandateve si rrugën e gabuar drejt proceseve integruese. Ajo thotë se po i ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit politike, duke theksuar se bojktoi i Parlamentit apo dorëzimi i mandateve është rruga e gabuar.

Ambasadorja Shutz ka theksuar se “në interes të Shqipërisë, unë u bëj thirrje të gjitha forcave politike që ndryshimet në opinione t’i përballin në formën e një dialogu konstruktiv në parlament. Duke mbajtur në vëmendje vendimmarrjen e BE-së për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë duhet thënë, se nuk ka kohë për të humbur, në mënyrë që reformat të vijojnë dhe të arrihen rezultate konkrete”.

Po ashtu, diplomatja dënon aktet e dhunës që në disa raste u panë në protestën e së shtunës, teksa apelon për qetësi.

“Dhuna, sikurse e pamë të shtunën e kaluar, është e papranueshme. Në këtë kontekst u bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të japin kontributin e tyre, që protestat e ardhshme të zhvillohen në mënyrë paqësore. Edhe ata që organizojnë protestën mbajnë përgjegjësi, që situata të mos përshkallëzohet. Në këtë pikë ndaj të njëjtin qëndrim me Presidentin Meta në deklaratat pas bisedës së tij me Presidentin Federal Gjerman Steinmeier”, - nënvizon ambasadorja.

Edhe ambasadori i Italisë në Shqipëri ka apeluar që proteta e nesërme të jetë pasqësore. Alberto Cutillo ka theksuar se protestat janë legjitime, por deklaratat që nxisin dhunë nuk janë aspak të justifikueshme.

“Protestat janë një mjet ligjor i shprehjes së shoqërisë demokratike, por liria e shprehjes nuk mund të justifikojë deklaratat që nxisin dhunën dhe akoma më pak akte të dhunshme.

Shpresoj që protestat e nesërme të jenë paqësore dhe të ruhet respekti për institucionet e shtetit. Çdo shprehje e dhunshme e pakënaqësisë do të dënohet me vendosmëri nga pala italiane”, deklaron Cutillo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë