Futboll

Një femër arbitron në derbi, risia për të “zbutur” tifozët në stadium

Derbi i kryeqytetit, Tirana-Partizani, është sot në qendër të vëmendjes. Ndeshja luhet në orën 18:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”, që pritet të jetë i mbushur me tifozët e dy skuadrave. Nuk do të mungojnë sigurisht ngacmimet në distancë mes dy tifozerive, banderolat tallëse për kundërshtarin, ndërsa koret fyese ndoshta këtë radhë do t’i dëgjojmë më pak.

Në fushë do të jetë për herë të parë në një ndeshje të Superiores një arbitre femër dhe kjo është një arsye e fortë që tifozët të jenë më të kujdesshëm në fjalorin e tyre. Emanuela Rusta është përzgjedhur nga sektori i gjykimit në FSHF që të jetë pjesë e ekipit të arbitrave që do të gjykojnë derbin. Një zgjedhje pak e guximshme, por natyrisht që duhet përshëndetur. Rusta është caktuar të jetë arbitre pas porte, ashtu si Juxhin Xhaja na krahun tjetër. Arbitri kryesor i ndeshjes është Enea Jorgji dhe dy asistentët e tjerë të tij janë Myftari dhe Bregasi. Janë të gjithë arbitra me stemën e FIFA-s.

Emanuela Rusta (në qendër), para një ndeshjeje

Emanuela është e para dhe arbitre femër shqiptare që mban stemën e FIFA-s. Ajo ka statusin e arbitrit ndërkombëtar prej janarit të këtij viti, ndërsa sot ka “provën” e parë të rëndësishme në futbollin elitar shqiptar. Deri tani ajo kishte gjykuar në kategoritë e ulëta të futbollit në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë