Futboll

Nisma kundër racizmit, Inter do ta mbushë “San Siro” me fëmijë

Mbrëmja e 26 dhjetorit të shkuar në “San Siro” ishte e turpshme për gjithë futbollin italian. Koret raciste dhe më pas kartoni i kuq për mbrojtësin e Napolit, Kulibali treguan se futbolli italian e vuan shumë racizmin. Me ngjarjen u sensibilizuar të gjithë futbollistët dhe aktorët e futbollit në Itali e më gjerë. Dënimet ishin të rënda për klubin zikaltër që dy ndeshje në shtëpi do duhet t’i luaj pa tifozë dhe një tjetër pa grupim ultras.

Klubi i Interit nga ana tjetër nuk e apeloi vendimin e disiplinës në federatën italiane të futbollit. Por drejtuesit milanez kanë shkuar më tej, duke tentuar të sjellin një risi. Inter i ka kërkuar federatës italiane të futbollit që ta mbushin stadiumin me fëmijë që vijnë nga kampuset e ekipit në të gjitha zonat e Italisë. Gjithashtu klubi milanez i ka ofruar rimbursim të gjithë atyre tifozëve që kishin blerë biletat paraprakisht, por edhe të gjithë atyre që kanë abonim. Inter e ka argumentuar kërkesën e tij për të mbushur stadiumin me fëmijë si një mesazh të fortë kundër racizmit dhe bashkimit.

Kërkesa e Inter është depozituar në Federatë dhe tashmë pritet që brenda ditës së enjte të vijë përgjigja. Sakaq këtë nismë të Interin e kanë mbështetur disa ish-futbollistë dhe kryebashkiaku i Milanos, Beppe Sala. Ky i fundit përmes një postimi në rrjetet sociale e ka cilësuar kërkesën e Inter shumë pozitive dhe se shpreson që të Federata ta aprovojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë