Ngjarje

Në gjurmët e grabitësve të Rinasit, prokuroria rindërton ngjarjen

Grupi hetimor i ngritur nga Prokuroria për Krimet e Rënda dhe Policia e Shtetit për grabitjen e rreth 10 milionë eurove në ambientet e brendshme të Aeroportit të Rinasit po heton në disa pista në lidhje me autorët e mundshëm të ngjarjes.

Deri më tani, nga këqyrja e kamerave të sigurisë, mënyrës së lëvizjes dhe të mbajtjes së armës nga autorët, hetuesit besojnë se bëhet fjalë për persona të mirëtrajnuar, që e njihnin mirë zonën dhe të aftë për t’u koordinuar me njëri-tjetrin dhe për të punuar me qetësi nën presionin e kohës.

Grupi hetimor ka rindërtuar lëvizjet e grabitësve, ndihmuar edhe nga pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë, duke i krahasuar këto lëvizje me pamjet nga të paktën dy grabitjet e tjera. Së pari nga grabitja e qershorit 2016 brenda perimetrit të Aeroportit të Sigurisë dhe së dyti me dosjen e grabitjes në Qafë-Kashar në shkurt të 2017. Për këtë të fundit janë dënuar me burg disa persona.

Por jo të gjithë autorët e dyshuar për grabitjen e 2016 dhe të 2017-ës janë prangosur. Veç Admir Muratajt, që mbeti i vrarë në grabitjen e fundit, në kërkim ishte shpallur edhe Klement Çala, 31 vjeç, për grabitjen e 2017, ndërsa Aleks Pepa, 44 vjeç, dyshohet si i përfshirë në grabitjen e 2016 brenda aeroportit.

Të dy shtetasit nga Elbasani janë shpallur në kërkim prej kohësh, por as prokuroria dhe as policia nuk kanë rënë në gjurmët e tyre. Si Pepa, ashtu edhe Çala nuk akuzohen ende zyrtarisht për grabitjen e 9 prillit, por nisur nga CV-ja e tyre dhe fakti që janë në kërkim për grabitje të ngjashme në të shkuarën, e ka shtyrë prokurorinë t’i vendosë në listën e personave që mund të jenë në dijeni, ose mund të japin informacion të vyer, pa përjashtuar mundësinë se ata mund të jenë të përfshirë tërthorazi ose drejtpërdrejtë në këtë grabitje.

Në total, jozyrtarisht, burime policore thonë për gazetën “Si” se numri i autorëve të përfshirë në këtë ngjarje, së bashku me Admir Muratajn është pesë dhe nisur nga lëvizjet e tyre, të paktën njëri dyshohet se është aktualisht, ose ka qenë pjesë e forcave speciale të ushtrisë.

Ndërkohë, si Pepa, ashtu edhe Çala nuk janë emra të panjohur për Policinë e Shtetit. I pari dyshohet se ka marrë pjesë në grabitjen e 2016, kur për herë të parë u shkel perimetri i sigurisë së Aeroportit të Rinasit dhe autorët u larguan me një shumë të konsiderueshme parashë.

Skeda e Aleks Pepes ne faqen zyrtare te Interpol

Aleks Pepa, 44 vjeç nga Elbasani, është kthyer në Shqipëri në vitin 2015. Deri në këtë kohë ai ka jetuar si emigrant në Greqi, periudhë gjatë së cilës mendohet se është vënë në kontakt me Admir Muratajn, Klement Çalën dhe anëtarë të tjerë të grupit të grabitësve. Roli i tij në grabitjen e fundit konsiderohet kyç, ndërkohë që në banesë në 2017 iu gjetën disa mijëra euro para të grabitura, të fshehura në frigorifer.

As Klement Çala nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai, pas vdekjes së Admir Muratajt është i vetmi person që është ende në kërkim si autor i grabitjes së ndodhur në Qafën e Kasharit në shkurt të 2017.

Të ndjerin Murataj nga Tropoja dhe Klement Çalën nga Elbasani duket se i bashkonte një miqësi e hershme. Ata janë pjesë e dosjes voluminoze të palës greke të vitit 2013, kohë kur një grup prej 11 të burgosurish shqiptarë u arratisën në mënyrë spektakolare nga burgu u Trikallasë dhe jo vetëm kaq, por pak javë më vonë një pjesë e tyre do të fajësoheshin për grabitjen e 1 milionë eurove nga një bankë në qytetin e Larisës.

Marjan Kola mbeti i vrarë gjatë ndjekjes së policisë, ndërsa Ilir Kupa, Admir Murataj dhe Klement Çala ja dolën mbanë që të hynin në Shqipëri në kohë të ndryshme dhe që besohet me identitete të tjera. Ilir Kupa u arrestua nga drejtësia shqiptare, e po ashtu prangat i provoi edhe Klement Çala në Ai u arrestua në Vlorë më 29 qershor të 2015, por mbetet ende një mister për t’u zbardhur se si është liruar nga gjykata shqiptare, pavarësisht akuzave të forta që rëndonin mbi të.

Ai po udhëtonte me një makinë tip Mercedes Benz. Në momentin që u ndalua, u përpoq që të arratisej me vrap, por u arrestua nga ndërhyrja e shpejtë e efektivëve të policisë. Pasi u kap, Çala iu prezantua policisë si shtetas i Kosovës duke paraqitur një pasaportë me emrin Semir Koca.

Ndaj tij nuk rëndonte asnjë akuzë nga Shqipëria në atë kohë, por akuzat me të cilat e kishte shpallur ndërkombëtarisht në kërkim Greqia ishin mjaft të rënda. Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim përfitime financiare, përdorimin dhe mbajtjen e materialeve shpërthyese dhe armëve, grabitje me armë në bashkëpunim, vjedhja e objekteve të vlerave të larta nga institucionet financiare, vjedhje, grabitje në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur, tentativë vrasje në kuadër të konkurrencës kriminale në bashkëpunim e të tjera si këto akuza ishin artikuluar në dosjen e palës greke.

Në Shqipëri, emri i Klement Çalës u lakua që pas dy grabitjeve të autoblindave të kompanive të sigurisë ndodhur në 2015, por gjithmonë kjo mbeti në kuadër të dyshimeve, pasi përveç provave, policia nuk ka as një fotografi të kohëve të fundit të tij.

Pas grabitjes së ndodhur më 9 shkurt 2017 në Qafën e Kasharit, ku sërish pre ishin mjetet e kompanive të sigurisë dhe ruajtjes fizike që po transportonin vlera të mëdha financiare në drejtim të Aeroportit të Rinasit, emri i tij, së bashku me Admir Muratajn u përfshi në listën e 8 personave që akuzoheshin për këtë ngjarje.

Gjashtë prej këtyre personave u arrestuan, ndërsa Murataj dhe Çala humbën gjurmët. Tani, me Muratajn të vrarë, Çala është i vetmi i mbetur në kërkim për grabitjen e 2017, ndërkohë që sfidë për policinë e prokuroret mbetet edhe identifikimi i personave të tjerë, vec Muratajt, që morën pjesë në grabitjen e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë