Futboll

Në emergjencë për mbrojtës, Beshiktash kërkon Gjimshitin

Klubi i madh turk i Beshiktashit mund të ketë shumë shpejt në përbërjen e tij edhe një futbollist shqiptar: mbrojtësin Berat Gjimshiti. Shtypi turk shkruan se futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë i është propozuar Beshiktashit nga një menaxher i njohur serb, Milosh Malenoviç. Klubi i turk po vlerëson në këtë moment të gjitha alternativat dhe shanset janë reale që Gjimshiti të lërë Atalantën për të qenë pjesë e Beshiktashit.

Pas largimit të portugezit Pepe dhe më parë të mbrojtësve të tjerë, Beshiktashi - që mban vendin e shtatë në kampionat, por është shumë afër kreut - ka bërë që ekipi të ketë nevojë urgjente për përforcime në prapavijë. Drejtuesit e tij po shohin në kampionate të ndryshme europiane, pasi kërkojnë lojtarë me përvojë ndërkombëtare. Dhe Gjimshiti, edhe pse nuk është një titullar tek Atalanta, e ka përvojën, pasi ka luajtur kundër skuadrave të mëdha në Itali, por edhe me Kombëtaren kuqezi.

Gjimshiti feston golin e shënuar ndaj Interit

Emri i qendërmbrojtësit të Shqipërisë është tashmë në bllokun e drejtuesve të klubit turk, ndërkohë që menaxheri serb ka garantuar se problemet me Atalantën do t’i zgjidhë ai. Gjatë verës Gjimshiti ishte në shitje nga klubi bergamask, por ofertat nuk ishin ato që priteshin dhe më pas u vendos që lojtari të qëndrojë. Gjatë kësaj periudhe, 25-vjeçari i lindur në Zyrih ka luajtur disa ndeshje si titullar. Ai është dalluar në ndeshjen ndaj Interit, që ishte më e mira për të me fanellën e Atalantës, jo vetëm se shënoi një gol.

Ky është ndoshta momenti më i mirë për Atalantën dhe Gjimshitin, që bashkëpunimi mes tyre të mbyllet pozitivisht. Mbrojtësi do të kalonte në një klub prestigjioz, duke sjellë të ardhura në arkën e Atalantës, që sigurisht nuk do ta linte futbollistin të largohej kaq lehtë, pasi e ka nën kontratë. Nëse ky transferim zyrtarizohet, do të ishte vërtet një lëvizje e bujshme për titullarin e Kombëtares shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë