Futboll

Merkato që nuk mbaron kurrë, zbuloni ekipin e të papunëve!

Ka edhe një merkato ndryshe nga ajo e zakonshmja, një merkato që nuk mbyllet kurrë. Janë lojtarët pa kontratë, të cilët kërkojnë një ekip të ri, pasi kanë ende diçka për të thënë në fushën e blertë. Dhe nuk janë pak, por një ekip më vete dhe mes tyre ka edhe emra të njohur.

Mbiemri i njërit prej tyre është shumë i rëndësishëm: Pogba. Por kualiteti është shumë i ndryshëm nga ai i mesfushorit të Mançesterit. Nuk bëhet fjalë për Pol Pogba, por për vëllanë e tij Florentin, i cili po kërkon një skuadër për të vazhduar karrierën, që deri tani e ka pasur në kategoritë inferiore të futbollit francez. Problemi është se ai ka më shumë se një vit që nuk luan dhe skuadra të ndryshme stepen për ta marrë.

Marko Borielo, ish-lojtar i Milanit, tani i lirë

Projekti që ai kishte për ta ngjitur Ibizën në nivelin e lartë të futbollit spanjoll tashmë është “mbytur”. Aventura e sulmuesit Marko Borielo në ishull ka përfunduar. Ai nuk kishte shënuar asnjë gol deri tani me Ibizën. Por një sulmues si Borielo mund t’i bënte punë çdo skuadre që lufton për mbijetesë, pasi ai ka përvojë dhe e di si shënohen golat.

Xhuzepe Rosi, përveçse do të ishte një rezervë e mirë për shumë skuadra, mund të ishte edhe titullar në kategoritë e ulëta. Klasi i tij nuk diskutohet, ndërsa ajo që shqetëson ka të bëjë me gjendjen fizike të sulmuesit. Ish-lojtari i Parmës dhe Vilarrealit po stërvitet me Mançester Junajtid. Emri i tij përflitet për një kalim të mundshëm te Juve Stabia, që kërkon ngjitjen në Serinë B. Lojtari po e vlerëson si mundësi.

Benua Tremulinas, ish-lojtar i Seviljes

Në të njëjtat kushte me Rosin duket se është edhe Tremulinas, një lojtar me shumë eksperiencë. Pas tri vitesh te Sevilja, mbrojtësi i majtë ka pasur probleme me gjurin dhe e tashmë e ka marrë veten, por është pa skuadër. Mund të merrte çdo skuadër, nëse sigurohet për gjendjen e tij fizike. Napoli e ka pasur prej kohësh në shënjestër, megjithatë në këtë moment do të ishte një bast i rrezikshëm.

Diego Polenta, ish-mbrojtësi i Xhenoas, bën pjesë gjithashtu në listën e lojtarëve pa kontratë. Edhe ai do të ishte në qendër të merkatos, sidomos pas dëmtimit të Kirikesh, për t’u rinisur nga Napoli, por operacioni për të nuk shkoi si duhet. Polenta është ende në moshë për të luajtur futboll, është datëlindja 1992, kështu që meriton një shans tjetër.

Lasina Traore

Lasina Traore, një nga futbollistë më të gjatë në qarkullim, por 203 cm e tij nuk ishin të mjaftueshme për të rinovuar kontratën me Monakonë. Ka përvojë ndërkombëtare dhe një fizik të fortë, kështu që mund të luante në çdo kampionat të dorës së dytë. Lojtari 28-vjeçar është në pritje të ofertës.

Aleandro Rosi u harrua shumë shpejt. Ishte talent dhe emri i tij lakohej kudo. Tani ndodhet në Romë dhe kërkon një shans për të treguar vlerat. Duke parë raportet e mira që ka me Nikolan, mund ta gjejë veten sërish tek Udineze për ta ndihmuar skuadrën bardhezi të dalë nga kriza.

Leonardo Blonshard

Ju kujtohet Blanshard? Mbrojtësi i Frozinones, i cili pushtoi faqet e para të gazetave pas barazimit në limitet e ndeshjes me Juventusin, kur ai shënoi me kokë? Ende askush nuk ka menduar për këtë djalosh, që ka shumë për të dhënë. Një okazion. Në pritje të një telefonate, ai stërvitet rregullisht dhe punon në dyqanin e veshjeve sportive që ka në Groseto.

Një tjetër futbollist që nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe po kërkon skuadër të re është një farë… Patris Evra. Ai hasi vështirësi tek Olimpik Marsejë, por sërish nuk do t’i varë “këpucët në gozhdë”. Junajtid po e vëzhgon, por kujdes nga miqësia me Klaudio Ranierin, i cili dëshiron ta marrë në Londër, që ta ndihmojë për mrekullinë e radhës me Fulhemin.

Ibrahim Afelai, dikur te Barcelona, tani lojtar i lirë

Një zgjidhje kontrate e freskët e freskët. Sapo ka shkëputur marrëdhëniet me Stok Sitin. Ibrahim Afelai, një lojtar që është në gjendje të spostojë ekuilibrat, nëse gjen trajnerin e duhur. Ish-lojtari i Barcelonës mund të jetë një “gjah” i mirë në merkaton që nuk përfundon kurrë. Mund të ndihmojë çdo skuadër, ka luajtur edhe në Champions.

Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë