Ndeshja e parë në Champions League mes Atletiko Madridit dhe Juventusit u ndoq nga një numër i lartë tifozësh. Ishte ndeshja e dytë më e ndjekur në fazën e 1/8-ve të kompeticionit më të rëndësishëm në rang klubesh, pas Totenhem-Dortmund. Edhe ndeshja e kthimit në Torino pritet të shënojë një rekord më vete sa u takon tifozëve, të cilët do të vijnë nga çdo cep i botës.
Sipas një kërkimi të “StubHub”, agjensisë më të madhe online që merret me shitblerjen e biletave për eventet sportive dhe muzikore, ndeshja Atletiko-Juventus, e zhvilluar në “Wanda Metropolitano” ishte në vend të dytë për biletat e shitura, në vend të parë ishte Totenhem-Borusia Dortmund dhe në vend të tretë Lion-Barcelona. Por ndeshja e luajtur në Madrid veçohet për faktin se kishte mbledhur në stadium tifozë nga e gjithë bota dhe vetëm 11% e tifozëve ishin italianë.

Edhe për ndeshjen e kthimit, e programuar për më 12 mars në “Allianz Stadium”, ku Juventusi duhet të përmbysë humbjen 2-0, do të jetë një publik ndërkombëtar. “StubHub” publikon disa të dhëna për vendet nga do të jenë tifozët që do të ndjekin këtë ndeshje. Interesant është fakti se 33% e tifozëve do të vijnë nga Amerika dhe 18% nga Japonia, 12% nga Irlanda, 6% nga Franca, Portugalia dhe Spanja, kurse 3% nga Rusia, Meksika, Indonezia dhe Brazili. Blerja e Kristiano Ronaldos i ka sjellë Juventusit këto muaj një shikueshmëri që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Një shikueshmëri ndërkombëtare, veçanërisht në ato vende ku fama e CR7 është më e madhe, në Amerikën e Veriut dhe në Azi.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje