Futboll

Gati largimi i Hysaj, Napoli mendon për zëvendësuesin

Kjo merkato janari pritet të jetë vendimtare për mbrojtësin shqiptar të Napolit, Elseid Hysaj. Në dy muajt e fundit minutat e aktivizimit për Hysajn kanë qenë me pikatore. Largimi i tij është thuajse i sigurt dhe destinacioni tashmë dihet. Është Çelësi i Mauricio Sarrit që pritet ta marrë sërish në gjirin e tij mbrojtësin shkodran dhe mbrojtësi kuqezi ta mbyllë përfundimisht aventurën në ekipin italian të Napolit. Por kalimi i shkodranit ka edhe probleme, për të cilat ka folur këtë herë agjenti Mario Xhufredi. Ky i fundit nuk i ka kursyer kritikat në drejtim të trajnerit Karlo Ançeloti.

“Hysaj mund të shkonte me Sarrin te Çelësi, por Ançeloti bllokoi gjithçka dhe madje publikisht tha se do të besonte tek ai. Megjithatë, faktet thonë se në 4 ndeshjet e fundit, Hysaj ka luajtur vetëm një dhe për këtë arsye ndoshta nuk është aq e rëndësishëm për teknikun. Ndoshta Ançeloti nuk e konsideron më atë një titullar. Hysaj nuk meriton një trajtim të gabuar duke pasur parasysh se sa ka dhënë shumë kontribut në 3 vitet e fundit te Napoli dhe gjithashtu ka treguar një korrektësi të lartë profesionale.”- ka thënë agjenti italian, Mario Xhufredi.

Këto fjalë të agjentit italian kanë qenë një “shigjetë” në drejtim të trajnerit të Napolit që këtë sezon i ka dhënë shumë pak besim Hysajt. Hysaj dhe agjenti i tij do të tentojnë që transferimi të bëhet këtë merkato janari edhe pse Napoli do të provojë të rezistojë, pasi përpara janë ndeshje në tre kompeticione të ndryshme. Nga ana tjetër skuadra napolitane po punon në heshtje për të gjetur zëvendësuesin e Hysajt në krahun e mbrojtjes. Manuel Laxari dhe Kouame janë dy emrat që po monitorohen dhe mund të firmosin në rast të një largimi të Hysaj drejt Londrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë