ekonomi

FMN për Italinë: Recesioni është ngjitës edhe për Shqipërinë

Recesioni i Italisë do të jetë ngjitës për ekonominë shqiptare. Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin më të fundit të velërsimit për ekonominë italiane ka konfirmuar ngadalësimin e rritjes së ekonomisë së vendit fqinj.

Për analistët e Washingtonit dobësitë strukturore të Italisë qëndrojnë në bazë të ngadalësimit të ekonomisë, të cilët theksojnë në raport evidencën e një rritjeje të rrezikut të thellimit të recesionit, i cili do të jetë ngjitës për ekonomitë e vendeve të tjera.

Projeksionet e Fondit për Italinë vlerësojnë një rritje 1.0 % në vitin 2018, rritje 0.6 për vitin 2019, 0.9 në 2020 e mandej ekonomia italiane parashikohet të nisë të nadalësohet sërish me 0.7 në 2021, 0.6 në 2022 e më tej.

Borxhi publik i Italisë vlerësohet nga analistët e FMN-së si tejet i lartë; 131,4 e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2018-ën dhe 130,9 e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2019.
Kurse raporti Deficit/PBB vlerësohet në masën 2,1 % në 2019 nga FMN dhe 2,9 % në 2020.

“Rritja është ngadalësuar; rreziku për recesion është rritur. Edhe pse qeveria ka planifikuar stimuj që të mund të përshpejtojnë rritjen përkohësisht, rritjen e kostove të financimit për bankat dhe borxhin sovran, rreziku minon rritjen e mëtejshme. Shqetësimet e tregjeve mund të zbuten disi në terma afatshkurtër, nëse do të ketë një marrëveshje të mundshme midis Italisë dhe KE-së. FMN është gjithsesi e shqetësuar se politikat e autoriteteve mund të lënë Italinë të pambrojtur ndaj një humbjeje të përtërirë të besimit të tregut, edhe në mungesë të goditjeve të mëtejshme. Për më tepër, borxhi mund të rritet akoma më shpejt nëse sfidat e reja materializohen; Italia pastaj mund të detyrohet në një tkurrje të dukshme tatimore, duke shpënë ekonominë e dobët drejt recesionit. Barra do të binte në mënyrë joproporcionale ndaj kategorive vulnerabël” – citon raporti.

Qëllimi i autoriteteve për të përmirësuar rezultatet ekonomike dhe sociale është i mirëpritur nga stafi i Washingtonit. Megjithatë, thotë raporti, rritja e shpejtë është e vetmja mënyrë e qëndrueshme për Italinë për të përmirësuar rezultatet dhe për të rritur elasticitetin.

Stafi rekomandon një paketë reformash strukturore, një konsolidim fiskal të besueshëm bazuar në masa gjithëpërfshirëse të rritjes dhe forcimin e bilancit të bankave.
Reformat strukturore, sugjeron FMN, duhet të ndjekin liberalizimin e tregut ambicioz; të reformohet administrata publike dhe të modernizohet sistemi i falimentimit.

Në lidhje me politikën fiskale rekomandohet konsolidimi fiskal për të siguruar një borxh në rënie duke ulur shpenzimet aktuale, duke modernizuar rrjetin e sigurisë për të varfërit, rritjen e investimeve publike, zgjerimin e bazës tatimore dhe uljen e taksave mbi punën.
Për stabilitetin financiar, stafi i FMN-së rekomandon vazhdimin e progresit në reduktimin e kredive jo-performuese, ristrukturimin e tyre dhe përmirësimin e dobishmërisë e gjithashtu konsolidimin e bankave më të vogla. S. Veizaj

 

Më Shumë