Lajme

Dita e 7, në protestën masive të studentëve edhe gjimnazistët

Qindra e mijëra studentë të të gjitha fakulteteve janë mbledhur prej orës 10:00 para godinës së Ministrisë së Arsimit. Ndryshe nga ditët e tjera me ta janë bashkuar edhe gjimnazistë të disa gjimnazeve të kryeqytetit që kanë braktisur procesin mësimor. Kjo e sotmja është protesta më masive që kur studentët dolën në rrugë për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre, duke mos pranuar negociatat dhe dialogun me kryeministrin Edi Rama.
Kjo ditë është caktuar prej tyre si “afati” i fundit për qeverinë për të plotësuar 8 kërkesat, ku ndër më kryesoret janë përgjysmimi i tarifave për të gjitha ciklet e studimit, përfaqësimi i studentëve në senatin e akademik dhe bordet e universitetit si edhe rritja e investimeve për përmirësimin e kushteve në konvikte dhe biblioteka. Pas orës 16:00 të ditës së sotme, studentët kanë paralajmëruar se do të përshkallëzojnë protestën e tyre deri në grevë urie.
Gjimnazistët e “Sami Frashërit”, “Qemal Stafës”, dhe disa shkollave të tjera të mesme në vend kanë bojkotuar mëngjesin e sotëm mësimin duke iu bashkuar protestës së studentëve. U janë bashkuar edhe studentët e UFO-s dhe Luarasit. Bien në sy edhe kaskat e verdha të studentëve të Gjeologji Minierave, ndërsa studentët e Arteve kanë marrë veglat muzikore. Po ashtu, policia mbështet studentët, iu bën thirrje shoferëve që t’i mirëkuptojnë se janë studentë.

Ndërkohë që ditën e djeshme, studentët refuzuan dialogun me kryeministrin Edi Rama, i cili në një komunikim virtual premtoi për studentët më shumë nga sa ata kanë kërkuar në 8 pikat e tyre drejtuar qeverisë.
Studentë nga qyteti i Durrësit dhe Elbasanit janë nisur drejt Tiranës për t’ju bashkuar protestës së studentëve.
Gjimnazistët e Elbasanit ndërkohë kanë bojkotuar mësimin për të qenë në mbështetje të studentëve. Bojkot të orëve të mësimit ka pasur edhe në Gjirokastër.

Mësohet se studentët e Universitetit “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, “Ismail Qemali” në Vlorë, nuk do t’i bashkohen protestës në Tiranë.
Nga këto qytete nuk ka organizim për t’ju bashkuar protestës, ndërkohë që deri më tani nga Shkodra dhe Korça janë nisur një grup studentësh për t’ju bashkuar protestës në Tiranë.
Nga Korça janë nisur rreth 40 studentë, ndërkohë që në këtë qytet pritet të protestojnë edhe gjimnazistët në shenjë solidariteti me protestën që do të zhvillohet paralelisht në kryeqytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë