Futboll

Dhuna – Disiplina bën shembull Kamzën, e zbret dy kategori më poshtë

Dhunë si ajo në Kamzë kemi parë në stadiumet shqiptare, por një dënim si ai që ka dhënë Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit nuk kishim parë ndonjëherë. Kamza duke filluar nga sezoni 2019-2010 do e rifillojë aktivitetin nga Kategoria e Dytë e futbollit shqiptar, pasi është përjashtuar nga Superliga, nga e cila po binte edhe vetë. Janë plot 5 nene që janë thyer nga Kamza gjatë ndeshjes së të dielës dhe Disiplina është treguar më e ashpër se kurrë, duke e bërë shembull. Sikur të mos mjaftonte kjo zbritje me dy kategori, Kamza do duhet të paguajë edhe 1 milionë lekë gjobë dhe pa drejtuesit e saj.

Naim Qarri që hodhi poshtë kostumin e presidentit të klubit dhe mori tullën në dorë për të qëlluar arbitrin Hamiti është dënuar me 3 vite pezullim nga aktivitetet futbollistike. Pasi Qarri të mbyllë punët me drejtësinë, ku prej ditës së diele është nën pranga do duhet të paguaj edhe 100 mijë lekë të reja gjobë dhe nuk mund të hyjë në asnjë stadium shqiptar deri në vitin 2022. Në fakt ky është problemi më i vogël për presidentin kamzali që të dielën hyri në fushë me sende të forta duke qëlluar arbitrin Hamiti. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, në seancën e zhvilluar këtë të mërkurë ka marrë masën e arrest shtëpie për presidentin e Kamzës. Por Qarri nuk do të jetë i vetëm në këtë ndëshkim shembullor dhe të padëgjuar më herët, pasi do të jetë bashkë edhe me drejtorin sportiv, Andi Matraxhiu dhe zyrtari tjetër Albert Bana. Matraxhiu është ndaluar të marrë pjesë në çdo aktivitet futbollistik për 3 vite, ndërsa Bana është pezulluar me 18 muaj.

Ky dënim shembullor për Kamzën, që në fakt do duhej dhënë shumë më herët ka edhe efektet e tij në kampionat. Me pezullimin e Kamzës dhe kalimin e 2/3-vë të kampionatit çdo kundërshtarë që do duhej të përballej me ekipin kamzali në javët e ardhshme do të marrë automatikisht tre pikë në tavolinë. Por jo vetëm kampionati, pasi edhe në Kupë nga ky dënim i Kamzës përfiton Skënderbeu që kalon automatikisht në gjysmëfinale. Dënimi rrjedhimisht ka prodhuar edhe 25 futbollistë profesionistë të papunë. Gjatë kohës kur është marrë vendimi i KDS, lojtarët kanë qenë në stërvitje, por pasi morën vesh për dënimet e kanë braktisur stërvitjen. Tashmë ata do duhet të stërviten individualisht deri në muajin qershor, pasi nuk mund të gjejnë ekip për shkak të mbylljes së merkatos.

Me dorë të hekurt Komisioni i Disiplinës është treguar edhe për dy klubet e kryeqytetit. Për incidentet e ndodhura gjatë derbit, Tirana është dënuar me një ndeshje pa tifozë, ndërsa Partizani me një gjobë prej 300 mijë lekësh. Edhe Lushnja për shkak të trazirave të ndodhura në ndeshjen me Bylisin është dënuar me katër ndeshje pezullim. Ky dënim me dorë të hekurt nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së është një sinjal i fortë kundër dhunës në futbollin shqiptar. Ndoshta është pak vonë, por ky mund të jetë momenti i duhur që ky fenomen i shëmtuar të ndahet një herë e përgjithmonë me futbollin shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë