Politike

Bushati, argumenti jashtë kornizës së Ramës: Jemi në udhëkryq

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ishte i vetmi në radhët e deputetëve socialistë në seancën plenare të kësaj të mërkure që doli me argumenta jashtë kornizave të qëndrimit zyrtar të mazhorancës sa i takon krizës politike.

“Nuk ka diskutim që politika shqiptare për herë të parë është në një situatë të paprecedentë. Kemi qenë shpesh në rreth-rrotullime, kemi gjetur tabelën “exit” për të dalë nga këto rreth-rrotullime, por për herë të parë në historinë e pluralizmit të Shqipërisë, një parti apo dy parti politike parlamentare kanë dorëzuar mandatet e tyre të dhëna nga populli. Natyrisht ky është një precedent i ri, jo vetëm për demokracitë e reja në Europën Qendrore dhe Lindore, por edhe për vende me regjime despotike, siç është rasti i Venezuelës”, deklaroi ai në fjalën e mbajtur në Parlament.

Bushati as gjen argument dhe as justifikon djegien e mandateve të opozitës, por kërkoi që mazhoranca të mos qëndrojë arrogante përballë këtyre zhvillimeve.

“Duke dalë nga Parlamenti, unë jam i bindur që ata kanë dëshmuar një lloj frike dhe një lloj kapitullimi. Por kjo nuk mund të na bëjë ne të jemi arrogantë, nuk mund të na bëjë ne të harxhojmë orë të tëra duke u marrë me protestat. Ne nuk mund të biem në kurthin e profecisë vetpërmbushëse”, vijoi ai.

Rastësi apo e qëllimtë ndaj “Rilindjes”, Bushati kujtoi se çfarë ishte mazhoranca.

“Ne jemi PSSH, ne jemi socialistë, demokratë progresist. Ne duam që të ndërtojmë një shoqëri të drejtë, një shoqëri më të mirë për fëmijët tanë, por edhe për fëmijet e pjesës që mungon këtu në sallë”, vijoi Bushati.

Ish-ministri i Jashtëm mbështeti qëndrimin e Damian Gjiknurit sa i takon reformës zgjedhore.

“Demokracinë nuk e konceptoj si procedurë të thjeshtë. Demokracia si procedurë është zëvëndësimi formal i listës së Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por demokracia është edhe thelb dhe fakti që ne krijojmë mundësinë për një marrëveshje të ardhshme për kodin zgjedhor për rregullat e lojës, qoftë me opozitën parlamentare, por mbi të gjitha për opozitën politike, besoj se është shprehja më e lartë e ndërgjegjësimit që ka Partia Socialiste e Shqipërisë. Socialistët, progresistët shqiptarë për fatet e demokracisë dhe për fatet e Shqipërisë”, shtoi ai.

Bushati lëshoi tërthorazi një thumbim, sidomos për ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka për festimet e 10-vjetorit të anëtarësimit në NATO. Në spotin e shpërndarë nga ministrja mungonin figurat kryesore që 10 vite më parë nënshkruan anëtarësimin e vendit tonë në këtë aleancë. Me gjuhën diplomatike nuk munguan as kritikat ndaj pasaardhësit të tij në Ministrinë e Jashtme.

“Nuk fillon 10-vjetori i Shqipërisë në NATO me gjeneratën time politike. Sot është dita për të shprehur mirënjohjen ndaj shërbimit të jashtëm shqiptar. Sot është dita për të shprehur mirënjohjen ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, ndaj Forcave të Armatosura të këtij vendi. Janë dy institucione të krijuara me 4 dhjetor të 1912-ës. Janë ndër të paktat pasuri që nuk i shkatërroi dot asnjë lloj regjimi. Janë pasuri të cilat nuk mund të vihen në pikëpyetje”, u shpreh ish-ministri.

Bushati kërkoi dialog duke sjellë si analogji sheshimin e mosmarrëveshjeve mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për çështjen e emrit, përmes këtij mekanizmi,

“Ne jemi sot për sot në një udhëkryq të madh. Pse kur grekët e maqedonasit e gjekërkan gjuhën për të parë përpara, ne nuk paskemi mundësi me e gjet gjuhën me njëri-tjetrin? A jemi të gjithë shqiptarë, a jemi pjesë e një kombi? Pse e kemi kaq të vështirë dhe turpërojmë veten tonë lart e poshtë. Pse nuk e gjejmë dot ne gjuhën për të parë përpara?”, shtoi ai.

Ky fjalim i Bushatit në Kuvend ishte më i drejtpërdrejti sa i takon kritikave ndaj qeverisë dhe opozitës, por jo i vetmi. Që prej fundit të dhjetorit të vitit të kaluar, kur nga Asambleja e Përgjithshme e socialistëve dëgjoi emrin e tij teksa shqiptohej nga Kryeministri Edi Rama mes atyre që do të duhej të largoheshin të mbuluar nga lëvdatat, marrëdhëniet mes tyre janë ftohur.

Kjo u përforcua nga refuzimi i Bushatit për të dhënë dorëheqjen në ngërçin institucional që pasoi përplasja Rama-Meta sa i takon dekretimit të shkarkimit të tij dhe dekretimit të emërimit të Gent Cakajt si pasues.

Për të tejkaluar pengesën e Metës, Rama e mori vetë postin dhe më pas ja delegoi me kompetenca të plota Gent Cakajt. Ky i fundit, edhe me bekimin e Kryeministrit nisi që në ditën e parë lëvizjet në këtë dikaster, duke larguar njerëzit e cilësuar si të Bushatit.

Më pas, Cakaj vijoi me akuzat për nepotizëm e paaftësi në trupën diplomatike shqiptare, për ta mbyllur me akuzat për abuzime dhe mosrespektimin e ligjit sa u takon privilegjeve të personave që mbajnë tituj konsuj nderi në Shqipëri.

Që Bushati po mënjanohet nga Rama gradualisht u reflektua edhe në riorganizimin e partisë, grupit parlamentar dhe anëtarëve në komisionet parlamentare. Një sërë figurash të kabinetit, si Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri morën poste në këto komisione, ndërsa Ditmir Bushati u mënjanua.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë