Lajme

Tenderat te Drejtësia, Prokuroria thërret dy ish-ministrat e LSI

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani është marrë në pyetje nga oficeri i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me dosjen e abuzimit me tenderat në këtë institucion në kohën kur ai ishte ministër. Sakaq, Prokuroria e Tiranës i ka dërguar një fletëthirrje edhe Petrit Vasilit për të dëshmuar sot, por deri më tani ish-ministri i Drejtësisë aktualisht kreu i grupit parlamentar të LSI nuk është paraqitur.
Disa javë më parë u vunë nën masë sigurie 11 zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, pas dyshimeve për abuzim me 5 tenderë të dhënë në periudhën 2016-2017.
Për drejtorin Ekonomik Aurel Lamçe dhe specialistin e IT Arlind Alikajn gjykata ka ndryshuar masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie. Gjykata ka vendosur “arrest shtëpie” për Juliana Hoxhën, ish-sekretaren e Përgjithshme në MD. Gjithashtu gjykata ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për specialistin tjetër të IT Lusien Ali, i shpallur në kërkim. Për 8 zyrtarë të tjerë, u caktua masa “detyrim paraqitje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë