Politike

Skema e lënies së mandateve nga PD, por a do nisin amerikanët SMS?

Për të mos shkaktuar vonesa dhe sidomos për të shmangur rrjedhjet brenda radhëve të deputetëve dhe në listat e kandidatëve pasues të tyre, Kryesia e Partisë Demokratike ka diskutuar në mbledhjen me dyer të mbyllura të së martës hartimin e një skeme dorëzimi të mandateve.

Burime nga Partia Demokratike thonë se në mbledhjen e zhvilluar jashtë syrit të medias dhe publikut është diskutuar hartimi i një modeli tip dorëheqjeje. Mësohet se ky model është duke u përgatitur dhe diskutuar mes demokratëve dhe pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të partisë do të plotësohet nga 194 emrat e listave të zgjedhjeve të 2017 të Partisë Demokratike, përfshirë këtu deputetët.

Deputët do të plotësojnë këtë model tip dorëheqje dhe do ta dorëzojnë atë njëkohësisht në Këshillin për Mandatet dhe Legjislacionin në Kuvend, ndërkohë që kandidatët pasues në listat sipas qarqeve, do ta plotësojnë dhe dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve refuzimin për të marrë mandatin. Në të dyja rastet do të shkruhet arsyetimi politik i këtij vendimi, që do të jetë identik në të gjitha dorëheqjet personale.

Ashtu si në grupin parlamentar, edhe në mbledhjen e Kryesisë nuk ka patur asnjë rezistencë kundër propozimit për djegien e mandateve. Kryesia u mblodh pas deklaratës së fortë të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Deklarata ishte e drejtpërdrejtë dhe në të u bëhej thirrje në mënyrë individuale deputetëve që të mos djegin mandatet.

https://www.facebook.com/usembassytirana/posts/10156183851935838

Në përfundim të mbledhjes së Kryesisë, Lulzim Basha i ktheu përgjigje përfaqësisë diplomatike amerikane.

“Nuk komentoj kurrë asnjë deklaratë të përfaqësive të huaja në Tiranë, por dua t’ua them qartë dhe shkoqur se për mua dhe PD nuk ka frymëzim më të madh se SHBA dhe demokracia amerikane. Në veçanti veçoj Presidentin Lincoln dhe dua ta citoj. “Ky komb nën Zot do ketë lindje të re, qeverisja e njerëzve nga njerëzit për njerëzit nuk do të zhduket nga ky dhe”, tha Basha, duke cituar Lincoln, i cili këtë deklaratë e ka bërë pas luftës civile në SHBA.

Deklarata nënkupton qartësisht se për momentin Basha dhe PD është e vendosur në vendimin e marrë. Por, ekziston mundësia që presioni i amerikanëve të përshkallëzohet dhe të prodhojë një vendim prapakthehu brenda opozitës.

Shembulli për këtë nuk është i largët. Kur kërkohej votimi i reformës në drejtësi dhe i ndryshimeve kushtetuese në verën e 2016-ës, Partia Demokratike kërkonte më parë garanci nga mazhoranca për votimin me konsensus të ligjeve që pasonin. Në atë kohë, demokratët ishin të bindur për të mos votuar ndryshimet kushtetuese pa marrë këto garanci, por pas takimeve, në dukje pa rezultat me Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, Donald Lu nisi një valë takimesh personale me deputetët e opozitës. Më 7 korrik të 2016, dy javë nga votimi i reformës, Ambasadori Lu iu drejtua deputetëve individualisht përmes një letre publike.

“Ka ende kohë që udhëheqësit politikë të gjejnë një kompromis që të mund të mbështetet si nga opozita, ashtu edhe nga mazhoranca. Duhet ta mbështesim të gjithë kërkimin për kompromis. Megjithatë, nëse udhëheqësit politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakord për një tekst të përbashkët, ju bëjmë thirrje që ju ta votoni reformën”, u kërkonte Lu.

Për ata që nuk “u bindën” as nga takimi kokë më kokë me ambasadorin dhe as nga letra publike e tij për të votuar pro reformës, përfaqësia diplomatike amerikane kaloi në planin “B”.

Plani “B” nuk rezultoi fort i këndshëm për opozitën. Në media qarkulluan disa mesazhe të marra nga deputetët e opozitës. Në to u kërkohej ligjvënësve që nuk votonin reformën në drejtësi që të paraqiteshin në një orar të caktuar në ambasadën amerikane për t’u njohur “me pasojat që do të kishin nëse nuk do të votonin pro reformës”.

Numri i kërkuar nga amerikanët për reformën në drejtësi ishte 94 vota, aq sa kërkohej për të ndryshuar Kushtetutën. Duket se e arriti këtë kuotë dhe për të shmangur përçarjen, opozita iu bashkua mazhorancës së atëhershme, PS-LSI duke votuar ndryshimet me 140 vota në Parlament.

Deri në ditën kur u hodh për votim, ekzistenca e mesazheve të dërguar nga ambasada amerikane qarkullonte në formën e mitit dhe thashethemeve, por ato i provoi tërthorazi Ilir Meta, që mbante postin e kreut të Kuvendit. Metë foli në Kuvend për vota të marra me shantazhe dhe SMS dhe deklaroi se nëse reforma kalon vetëm me 94 vota, si pasojë e këtij presioni dhe shantazhi, ai do ta votonte, por më pas do të dorëhiqej nga kreu i Kuvendit.

Sot, në Ambasadën Amerikane në Tiranë nuk është më Donald Lu. Ai prej shtatorit është ambasador në Kirgizistan. Por, gjuha e përdorur nga përfaqësia diplomatike e Uashingtonit nuk ka ndryshuar dhe në mesazhin e shpërndarë përmes rrjeteve sociale u bëhet thirrje individualisht deputetëve që të mos djegin mandatet. A është koha për një SMS të dytë?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë