Rend dhe Ligj

Shkarkohet nga detyra kryetarja e gjykatës së Gjirokastrës


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra kryetaren e Gjykatës së Gjirokastrës, Albina Spaha. Trupa gjykuese që kreu procesin e Vettingut dhe që dha vendimin përbëhej nga Xhensila Pine, Genta Tafa Bungo dhe Pamela Qirko.
Gjatë seancës dëgjimore Spahaj u përball me një sërë dyshimesh mbi burimin e ligjshëm të pasurive të saj. Sipas relatores ajo nuk kishte burime të ligjshme për të justifikuar blerjen e një apartamenti në Tiranë dhe kursimet ndër vite. KPK po ashtu gjeti disa shuma në llogari bankare që sipas relatores nuk ishin deklaruar dhe nga analiza financiare rezultoi një bilanc negativ prej 6.3 milion lekësh.
Ajo u mbrojt duke pranuar si pakujdesi mosdeklarimet. Po ashtu ajo kërkoi që të përfshiheshin në analizë të ardhurat e bashkëshortit sipas asaj që ajo kishte deklaruar.
Albina Spahaj e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1998. Ajo ka punuar fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Tepelenës dhe në vitin 2008 është emëruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Në tetor 2016, Spahaj u komandua kryetare e Gjykatës së Gjirokastrës pas shkarkimit të kryetarit të mëparshëm, Guximtar Boçi i cili u akuza për një skandal seksual, për të cilin gjykata e nxori të pafajshëm.
KPK ka bërë të ditur se më 16 prill do të zhvillojë seancën dëgjimore me kryetaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, Esmeralda Çeka.. KPK ka shpallur trupën gjykuese të përbërë nga Etleda Çiftja, Pamela Qirko, Genta Tafa (Bungo).
Çeka, gjyqtare/kryetare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë do t’i nënshtrohet Vetingut për ligjshmërinë e pasurisë si dhe kriterin etik dhe profesional.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë