Mendim

Serbia me propozim zyrtar: Të vemë kufi mes serbëve e shqiptarëve

Letra e presidentit amerikan Donald Trump, ku i kërkonte për herë të parë Serbisë të njihte Kosovën duket se ka dhënë rezultatet e para në Beograd. Të martën ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç bëri të ditur se propozimi zyrtar i Beogradit për arritjen e një marrëveshje me Kosovën është demarkacioni i kufirit.

Kjo deklaratë, e cila është interpretuar në mënyra të ndryshme nga mediat serbe, vjen një javë pasi edhe pala shqiptare dorëzoi propozimin zyrtar për dialogun. Megjithatë, në kundërshtim me Beogradin, Kosova ka bërë të ditur se kufijtë nuk do të jenë pjesë e këtyre negociatave. Edhe pse Daçiç nuk përcaktoi ku do të vendoseshin kufijtë e rinj, propozimi i tij është pritur me mjaft zhurmë në Beogra dhe Prishtinë.

Duke e konsideruar tejet të nevojshme arritjen e një kompromisi, ministri i Jashtëm serb tha se Shtetet e Bashkuara ishin shumë të shqetësuara për arritjen e një kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë. "Uashingtoni është më i interesuar për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, sesa Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania", tha Daçiç .

Në një deklaratë të dytë, pas ministrit të Jashtëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se ideja për “vendosjen e kufirit mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë e Serbi është dhënë nga vetë ai që para dy vjetësh”.

Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç

Duke e komentuar letrën e presidentit amerikan Donald Trump të dërguar ditën e pavarësisë, presidenti serb tha se i kupton dëshirat e presidentit amerikan.

“Janë naivë ata që presin nga Amerika të ndryshojë politikën e saj, që fuqia më e madhe botërore të ndryshojë qëndrimin. Amerika e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, mos mendoni se është e mundur që dikush të ndryshojë vendimin e saj. Prandaj unë e kuptoj dëshirën e presidentit amerikan” tha Vuçiç. “Duke respektuar dëshirat e të gjithëve ne do të shikojmë se si në mënyrën më të mirë të ruajmë interesat tona, të mos përplasemi me SHBA-në, sepse as që mundemi, dhe as që e kemi të nevojshme”, shtoi ai.

Edhe pse nuk është ende e qartë se çfarë nënkupton Serbia me “demarkacion të kufirit” , për shumë ekspertë skenari më i mundshëm është edhe ai më i përfoluri: shkëmbimi i territoreve.

Pak pas deklaratës së Daçiçit, presidenti Thaçi tha se dialogu Kosovë-Serbi është i pashmangshëm. Duke folur të martën në një konferencë të organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA), presidenti tha se ka ardhur koha për të lënë prapa armiqësinë.

Presidenti Hashim Thaçi

“Nuk ka dyshim që nëse nuk arrijmë një marrëveshje këtë vit, do të hyjmë në një zonë të rrezikshme dhe do të destabilizojmë rajonin. Ne nuk mund të kemi garanci më të madhe se zotimi dhe fjalët e SHBA-së”, është shprehur presidenti Thaçi, duke shtuar se është i bindur se platforma për dialogun do të diskutohet dhe do të kalojë në Parlamentin e Kosovës.

Por sipas sondazhit të paraqitur nga RIDEA në këtë konferencë, shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, në këmbim të njohjes dhe anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e mbështesin vetëm 30 për qind e shqiptarëve të Kosovës.

Sipas të dhënave të mbledhura, statusin-quo mes Kosovës dhe Serbisë e mbështesin vetëm 16 për qind e qytetarëve të anketuar, ndërsa vetëm 10 për qind kanë treguar përkrahje për idenë e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive, në këmbim të njohjes defakto të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Aleksandër Vuçiç

Vuçiç: Kthehemi në dialog sapo të hiqet taksa

Aleksandër Vuçiç deklaroi se përpjekjet e tij për arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën mund të mos pëlqehen nga populli serb, por synojnë të përmbushin një qëllim më të lartë, sesa politika ditore.

“Marrëveshja duhet të arrihet”, u shpreh Vuçiç. “Në të kundërtën, do të përballemi me një katastrofë”, ka paralajmëruar ai.

Presidenti serb ka dhënë një sinjal për Prishtinën zyrtare duke nëse Kosova heq taksën për produktet serbe, Beogradi “do të kthehej menjëherë në Bruksel” për të vazhduar dialogun.

I pyetur se si e sheh deklaratën e kryeministrit Ramush Haradinaj, se taksa nuk do të hiqet sa të jetë ai në krye të qeverisë së Kosovës, Vuçiq është shprehur se: “Unë e kam konsideruar gjithmonë si një njeri të papërgjegjshëm, por nuk e kam ditur se është kaq i papërgjegjshëm”.

Sipas tij, pasojat e kësaj takse janë kaq të mëdha sa Serbia mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. “Nëse nuk ka heqje të taksës mund të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë