Politike

Ruçi “kyç” Parlamentin përballë protestës: Kamikazët, dogjën mandatet!

Skenari i sulmit të Parlamentit të ngjashëm me atë të 16 shkurtit si me Kryeministrinë kanë detyruar mazhorancën që të mos e zhvillojë seancën parlamentare.
Kryepalamentari Gramoz Ruçi nëpërmjet deklarate për shtyp ka dhënë arsyet se pse mori vendimin për anulimin e seancës parlamentare ditën e enjte.

Në një dalje publike per median, kreu i Kuvendit deklaroi se këtë vendim e ka marrë pas informacioneve të marrë nga ana e institucioneve të ligjzbatuese se do të ketë ushtrim të dhunës duke tentuar për sulmuar Parlamentin.
"Përgjegjësia ime si kryetar i Kuvendit nuk e lejoj dhe nuk do t'u jap mundësi keqbërësve për të sulmuar institucionet e shtetit dhe për të nxirë për herë të dytë imazhin e Shqipërisë. Por shumica qeverisëse, ka detyrën të mbrojë sa të jetë e mundur vendin nga goditjet e imazhit dhe pasojat e dhunës e të të ashtuquajturit "debat të rrugës", mbi procesin e integrimit të Shqipërisë, mbi qytetarin, turistin, investitorin e konsumatorin dhe mbi të ardhmen. Po ashtu, është detyra jonë t'i krijojmë opozitës hapësira kohore reflektimi dhe mundësi rikthimi në rrugën e arsyes. Në këto kushte, duke pasur parasysh apelin e partnerëve tanë strategjikë, Duke pasur parasysh informacionet e organeve ligjzbatuese dhe të inteligjencës, Duke ndjekur qëllimin më të lartë të ruajtjes së integritetit të Kuvendit të Shqipërisë, të deputetëve dhe të sallës së Kuvendit, Ftoj kolegët deputetë, anëtarë të të gjithë grupeve parlamentare, të mirëkuptojnë vendimin tim për të mos zhvilluar seancën plenare të ditës së enjte, datë 21 shkurt. . Le të na shërbejnë këto ditë për reflektuar dhe të bëhemi më të përgjegjshëm", deklaroi Ruçi.
Kryeparlamentari u shpreh se mori këtë vendim pasi ka analizuar situatën e re politike të krijuar nga protesta e 16 shkurtit, qëndrimi i opozitës për të djegur mandatet dhe mbi të gjitha të apelet e ndërkombëtare si SHBA dhe BE për të mos nxitur dhunë, si dhe informacionet për një protestë të dhunshme më 21 shkurt. Gjithashtu ai i kujtoi opozitës se pushteti nuk mund të merret në tavolinë dhe me dhunë, por me ballafaqim përpara elektoratit.
"Ultimatumet nuk janë demokratike. Pushteti nuk merret në tavolinë dhe populli nuk është një turme që vjen në protestë, por është tërësia e qytetarëve që na gjykojnë dhe mandatojnë me votë. Që opozita të dojë karriget e qeverisë për mua kjo është normale. Për mua është normale që opozita të kërkojë zgjedhje të parakohshme duke mos pritur ato normale. Por që opozita të synojë pushtetin në tavolinë dhe për këtë të hedhë në erë rrugët e jetës demokratike, kjo për mua nuk është normale. Si mundet të opozita të kërcënojë Parlamentin dhe të organizohet për ta dhunuar atë? Si mundet opozita të braktisë detyrën dhe të lerë zgjedhësit e saj pa zë në Parlament?Si mundet që opozita të zhvillojë debatin në rrugë", deklaori Ruçi.
Më pas në deklaratën e tij, ai theksoi se këto aksione apo veprime të opozitës dëmtojnë procesin e integrimit sa i përket negociatat me BE-së.
"Vlerësoj angazhimin e ndërkombëtarëve. Jam shumë i shqetësuar për këtë situatë. Nuk do të doja kurrë realizimin e skenarin të opozitës, për djegien e mandateve, pasi një opozitë që vetëvritet politikisht i bën dëm shumë të madh vendit. Mesazhet e djeshme të SHBA dhe BE më kanë lënë shijen e hidhur të kësaj të vërtete. Kjo është një kamikazllëk politik dhe dëmton rëndë mjedisin politik. Opozitë më të garantuar për lirinë e shprehjes së kjo e sotmja nuk ka pasur. Që opozita të synojë pushtetin në tavolinë nuk është normale, si mundet opozita të kërcënojë parlamenti dhe të organizohet për ta dhunuar, të braktisë detyrën dhe të lerë zgjedhësit e saj pa zë, si mundet që të pretendojë që debati të zhvillohet në rrugë dhe me mjetet e rrugës", theksoi kryeparlamentari.

Që në orët e paradites u mendua që, nisur nga tensionimi i situatës politike edhe protesta e dhunshme përpara Kryeministrisë së mbajtur më 16 shkurt, seanca parlamentare e së enjtes të shtyhej dhe të mos mbahej.

Njoftimi për seancën parlamentare ishte publikuar gjatë ditës edhe në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, por ndryshe nga herët e tjera nuk ishte njoftuar orari se kur do të zhvillohej ajo.
Kjo konstatohet në urdhrin e lëshuar nga ana e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi në të cilën përcaktohet se rendi i ditës se për çfarë do të diskutohet, por nuk ka vendosur orarin e mbledhjes së Kuvendit.

Urdhri i Ruçit për mbledhjen e seancës pa përcaktuar orën e mbledhjes

Në seancë është futur edhe interpelancë urgjente me Ministren e Financave dhe Ekonomisë, kërkuar nga kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, si dhe dy aktet për miratimin e strukturave organizative të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka pasur një takim sot paradite me ambasadorin austriak Johan Sattler. Në fokus të takimit të tyre ka qenë situata politike e krijuar pas protestës së 16 shkurtit, si dhe në pritje të protestës së 21 shkurtit përpara Parlamentit.
Kuvendi pas këtij takimi ka bërë të ditur se kryeparlamentari Gramoz Ruçi do të dilte me një deklaratë për median pasditen e sotme, ku pritet të shpallë kështu edhe qëndrimin se kur do të zhvillohet seanca parlamentare e së enjtes.

Ndërsa opozita ka paralajmëruar një tjetër protestë, ndërkombëtarët kanë nisur “pushtimin” e selisë blu me qëllimin për të bindur opozitën në mos ndërmarrjen e aksionit ekstrem për të dorëzimin e mandateve të deputetëve të saj.

Urdhi i para një jave i Ruçit që paralajmëronte mbledhjen e seancës duke përcaktuar edhe orën


Edhe gjatë protestës së 16 shkurtit, por edhe pas shpalljes së aksionit të dorëzimit të mandateve mësohet se ambasadorët kanë pasur kontakte telefonike dhe takime me kryedemokratin Lulzim Basha.
Dje pasdite ambasadori britanik Duncan Norman pati një takim me kryedemokratin Basha. Ndërsa mësohet se më herët ka pasur lëvizje edhe nga ambasada e Italisë. Sot paradite, përpara mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së ku parashikohet marrja e vendimit final për dorëzimin e mandateve, ambasadorja gjermane Susanne Schütz ishte në selinë e PD-së ku la porositë e Berlinit pë Bashën.
Ndërsa pas saj shkoi ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.
Deklaratat e forta të lëshuara në adresë të PD-së dhe partive të tjera të opozitës për të mos dorëzuar mandatet e deputetit si nga ana e Ambasadës Amerikane dhe Bashkimi Europian po shoqërohen tashmë edhe me aksionin konkret të ndërkombëtarëve në konsulta direkte me liderët e opozitës.

Policia, skenar me gaz ndaj protestuesve
Policia, ashtu si edhe në protestën e së shtunës do të angazhojë rreth 1200 forca duke blinduar Parlmaentin. Protesta e opozitës do të nisë në ora 10:00. Garda e Republikës, FNSH dhe RENEA janë forcat tjera që do të angazhohen në monitorimin e institucioneve, si dhe në shmangien e ndonjë akti të dhunshëm. Kordoni i Policisë do të shtrihet përgjatë Parlamentit, nga forcat e rendit dhe ata Shqiponja.
Mësohet se forcat e FNSH do të jenë në gatishmëri brenda rrethimit të zonës ku po ndërtohet xhamia e Namazgjasë.
Në rast se nga ana e protestuesve do të ketë tentativa për të hyrë në Parlament dhe për të bërë akte dhune do të përdorë gaz lotsjellës. Për këtë arsye nesër do të ketë kontroll të rreptë për këdo që do të futet në ambientet e brendshme të Parlamentit.
Të gjithë duhet të jenë të pajisur me mjete identifikimi.
Që të mos shkaktohen probleme nga gazi, Garda ka kërkuar që gazetarët dhe punonjësit të marrin masa për tu ruajtur nga gazi.
Në gatishmëri pranë ambienteve të Parlamentit do të jenë dhe zjarrfikëset dhe ambulancat.
Për shkak të protestës do të ketë kufizime për qarkullimin rrugor si tek “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark”. Autobusët si herën e parë s’do lejohen në qytet. Të ardhurit nga Veriu do ndalohen tek “Asllan Rusi”, kurse të ardhurit nga Jugut tek Fakulteti Ekonomik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë