Analize

“Putini i Ballkanit!”

Një burrë i ashpër shteti, kameleon politik apo lider autoritar? Kur bie fjala tek Milo Gjukanoviç është e vështirë të vendosësh. Ai është deri tani i vetmi lider i Ballkanit i cili ishte në gjendje t’i mbijetonte një sërë krizash dhe skandalesh politike.

Përveç karizmës dhe popullaritetit të tij politik, nuk ka asnjë dyshim se gjatë dy dekadave të kaluara, Gjukanoviç ai u bë aktor padiskutueshëm dhe i domosdoshëm politik në Mal të Zi. Pas më shumë se 27 vjetësh në krye të vendit fqinj, të gjithë menduan se do tërhiqej, por Gjukanovic kandidoi për zgjedhjet presidenciale. Më 15 prill ai mori shumicën e votave dhe u zgjodh si President i Malit të Zi për herë të dytë në jetën e tij. Rezultati nuk ishte një befasi pasi ishte parashikuar nga të gjitha sondazhet. Por kush është Milo Gjukanoviç, cilat janë ambiciet e tij për Malin e Zi?

Pas kalimit në sistemin shumëpartiak, ish-partia komuniste e Malit të Zi arriti të mbetej në pushtet. DPS (Partia Demokratike e Socialistëve të Malit të Zi), u themelua nga Momir Bulatoviç, presidenti i parë i Malit të Zi dhe më vonë kryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë. Milo Gjukanoviç u bë kryeministri i parë i Malit të Zi në moshën 27 vjeçare. Atë kohë, Mali i Zi dhe Serbia formuan një konfederatë, lëvizje që do të nënkuptonte se udhëheqja malazeze duhet të mbështeste fuqimisht Presidentin serb Slobodan Milosheviç.

Megjithatë në fund të viteve 1990 Milo Gjukanoviq filloi të ishte më kritik ndaj Millosheviçit dhe udhëheqjes federale. Më vonë, ky konflikt çoi në lindjen e konflikteve mes Bulatoviçit dhe Gjukanoviçit. I pari ishte e angazhuar për një bashkëpunim më të ngushtë me Beogradin, ndërsa ky i fundit donte të qëndronte larg Serbisë. Pasi Gjukanoviç doli fitimtar nga ky konflikt, hap pas hapi ai u bë sundimtari i vetëm i vendit. Ai mbështeti fuqishëm idenë e pavarësisë dhe pas një referendumi të mbajtur në 2006, Mali i Zi u nda nga konfederata dhe u bë një shtet i pavarur.

Milo Gjukanoviç

Pas referendumit, Gjukanoviçi, i njohur publikisht si Milo mbajti disa poste në shtetin e ri të pavarur: kryeministër, ministër i mbrojtjes dhe gjithashtu president. Përveç kësaj, që nga viti 1997 ai është gjithashtu lideri i DPS-së. Duke qenë se DPS-ja është partia më e fortë në Mal të Zi që nga viti 1991, me këtë pozitë, ai është në gjendje të kontrollojë të gjithë spektrin politik dhe ekonomik të vendit. Për këtë arsye, edhe pas "daljes në pension" në 2016, ai mbeti udhëheqësi më i rëndësishëm në Podgoricë.

Duke qenë gjithashtu i interesuar për zhvillimin e biznesit, ai u akuzua me lidhje të forta me krimin e organizuar dhe kontrabandën. Edhe pse akuzat u hodhën poshtë, Milo u zgjodh "Njeriu i Vitit në Krimin e Organizuar" në vitin 2015 nga OÇRP, një konsorcium i disa qendrave hetimore.

Krimi i organizuar “kap” shtetin malazez

Për vite me radhë, Mali i Zi është gjunjëzuar nga dhuna mes shtetit dhe bandave, të lidhura me trafikimin e drogave fitimprurëse dhe kontrabandën e cigareve. Zakonisht vrasjet ndodhin larg pikave të njohura turistike, por jo gjithmonë krimi arrin të fshihet. Në vitin 2015, një shef policia i dyshuar për lidhje me krimin e organizuar u qëllua për vdekje nga një snajper në shëtitoren kryesore të Budvas.

Në mars të vitit të kaluar dy policë të tjerë u vranë me armë në një kafene në Podgoricë ndërkohë që vendi fqinj nuk kalon asnjë javë pa lajme për atentate me bombë apo të shtëna.

Gjukanoviç është akuzuar vazhdimisht se partia e tij është e lidhur me bandat kriminale.

"Ka pasur 25 sulme fizike ndaj gazetarëve apo lokaleve gjatë vitit të fundit. Dhe ky është vendi që supozohet të jetë më i reformuari në Ballkanit Perëndimor dhe ndodhet pranë pranimit në BE ", tha redaktori ekzekutiv i gazetës “Vijesti”, Zhelko Ivanoviç.

Kotorr

Sipas tij, në letra qeveria malazeze ka një program të detajuar për të luftuar krimin e organizuar, por aktivistët vendas thonë se realiteti është më i komplikuar.

"Ky shtet kurrë nuk ka pasur një strategji të mirëfilltë për të luftuar krimin e organizuar," tha Daliborka Uljareviq, drejtor ekzekutiv i një OJQ me bazë me Podgoricë, duke shtuar se shumë zyrtarë të qeverisë kishin bashkëpunëtorë në rrjetet kriminale. "Kjo nuk është një tango që mund të kërcehet dyshe. Shteti mendon se mund të luajë me krimin e organizuar, por nuk e kupton se është i kontrolluar prej tij”, shton ai.

Gazetarët në Mal të Zi janë po ashtu të rrezikuar. Muajin e kaluar, një bombë shpërtheu jashtë shtëpisë së Sead Sadikoviç, një gazetar investigativ që jeton në qytetin e Bijelo Polje. Sadikoviç ishte duke përgatitur për një interviste televizive kur u dëgjua shpërthimi.

"Kisha marrë shumë kërcënime dhe provokime të ndryshme përpara saj," tha Sadikoviç për “The Guardian”. "I kam raportuar të gjitha në prokurori, pa asnjë rezultat konkret deri më tani. Nuk e di se çfarë do të bëjnë autoritetet, por unë nuk jam shumë optimist … në Malin e Zi sa herë që dikush flet, gjen një bombë në derën e shtëpisë”.

Omer Sarkić, një 55-vjeçar i cili organizoi një protestë në Podgoricë muajin e kaluar pas sulmit me bombë ndaj Sadikoviç, tha se ishte i zhgënjyer që vetëm rreth 100 persona dolën për të protestuar.

"Këto vrasje prekin të gjithë në Malin e Zi. Është si një luftë. Fillimisht gjithçka ndodhte larg qyteteve të mëdha, por tani nuk po kursehen as qytetarët e zakonshëm. Jeta e tyre është në rrezik, por askush nuk po bën asgjë për këtë”, thotë ai. "Mali i Zi është një vend i vogël saqë të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe e dimë se kush janë kriminelët.

Një “Vladimir Putin” pro-evropian

Që kur mori pushtetin, Gjukanoviç ka përdorur çdo mjet për të ruajtur imazhin e tij si udhëheqës i suksesshëm jo vetëm në Malin e Zi, por edhe në skenën ndërkombëtare. Ai e ka ndërtuar udhëheqjen e tij në rrënjët tradicionale të partisë së tij, por ka bashkëpunuar ngushtë me partitë shqiptare.

Milo Gjukanoviç

Kjo aleancë,e kombinuar me imazhin pro-evropian e bën Gjukanoviç një udhëheqës pragmatist aq edhe populist. Kritikët thonë se qeveria e tj u fal shumë gabime për shkak të angazhimit të tij ndaj NATO-s dhe integrimit europian mes frikës perëndimore rreth ndikimit rus në rajon.

Aleanca e tij me burokratët e Brukselit u forcua edhe më shumë pasi Mali i Zi e gjeti veten përballë një grushti shteti të orkestruar nga Rusi. Edhe pse aleate tradicionale e Podgoricës Moska u përpoq të rrëzonte Gjukanoviçin për të sjellë në pushtet partitë opozitare pro-serbe dhe ruse dhe për të penguar kështu hyrjen e Malit të Zi në NATO.

Dështimi i këtij grushti shteti e afroi edhe më shumë Gjukanoviçin me BE-në, duke bërë që kjo e fundit të injorojë shumë nga problemet e Malit të Zi me demokracinë për ta mbajtur në sferën e saj të influencës.

Përçarjet e brendshme çuan në një krizë të rëndë politike në vitin 2015, kur opozita pro-serbe kërkoi zgjedhje të lira dhe të ndershme nga qeveria. Si nxitësi kryesor i demokracisë në Ballkan, BE-ja ndërmjetësoi bisedimet mes qeverisë dhe opozitës. Të dyja palët arritën një marrëveshje dhe Gjukanoviç vendosi të dorëhiqej nga posti si kryeministër dhe u zëvendësua nga Dusko Markoviç. Megjithatë, ai arriti të mbajë kontrollin e shtetit malazez.

Milo Gjukanoviç dhe Edi Rama

Pse shqiptarët e duan Gjukanoviçin?

Problemi më i madh me të cilin përballet tanimë Mali i Zi është mungesa e alternativave politike. Nga njëra është Gjukanoviç, nga ana tjetër është Frontit Demokratik një parti nacionaliste ekstremiste proserbe dhe në qendër janë partitë shqiptare, të cilat janë të detyruara të zgjedhin të keqen më të vogël.

Ndërkohë që vendi fqinj përgatitej për zgjedhjet presidenciale, shqiptarët në Mal të Zi u bashkuan për të dhënë votën për Milo Gjukanoviçin.

Analistët në Ulqin thanë në atë kohë se ai është zgjidhja për të shpëtuar jo vetëm shqiptarët, por gjithë politikën e rajonit. “Është një moment kritik, ku të gjitha arritjet e Malit të Zi drejt Europës dhe të gjitha arritjet e shqiptarëve këtu vihen në pikpyetje të madhe nëse nuk fiton Gjukanoviçi”, deklaronte analisti Ali Sala. “Fitorja e Gjukanoviçit është një fitore edhe për shqipëtarët”, theksonte ai.

Gazetari Ismet Kallaba e pranon se këto 30 vite partia e Gjukanoviçit duhet të bënte më shumë për të drejtat e shqiptarëve, por se partitë shqiptare nuk kanë zgjidhje tjetër pasi ardhja në pushtet e Frontit Demokratik do të ishte katastrofave për shqiptarët e Malit të Zi.

Burimet: "The Guardian", "BBC", "OCCR"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë