Mendim

Protestat në Shqipëri, Mal të Zi e Serbi. A duhet të presim ndryshime?

Një valë e madhe protestash ka tronditur rajonin përgjatë fundjavës së kaluar nga Tirana në Beograd, duke entuziazmuar shumë ekspertë të cilët kanë filluar të flasin për ndryshime në rajonin e trazuar të Ballkanit.

Në Shqipëri, mijëra mbështetës të opozitës u ndeshën të shtunën me policinë në një tubim kundër qeverisë duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme. Disa orë më vonë, mijëra njerëz protestuan në Podgoricë, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Milo Gjukanoviç, njeriut që ka sunduar për gati tre dekada vendin fqinj. Në të njëjtën kohë, dhjetëra mijëra protestues marshuan përmes Beogradit, duke i bërë thirrje presidentit Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë të udhëhequr nga partia e tij të japë dorëheqjen.

Në 20 vitet e fundit, Ballkani Perëndimor ka parë pak përparim. Udhëheqësit politikë nga vitet 1990 mund të ketë ndryshuar ngjyrat e partive, por politikat e tyre mbeten të njëjta, sidomos në një aspekt në veçanti: kontrollin e shtetit. Protestat e udhëhequra nga opozita në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi këtë fundjavë, kanë bërë që shumë ekspertë të flasin për një valë ndryshimesh që pritet të mbërthejnë mbarë rajonin, pas aferave të përsëritura të korrupsionit dhe mungesës kronike të sundimit të ligjit.

"Pranvera Ballkanike", shkruan një gazetar serb në Twitter”. Pas 20 vjet pritjeje për t'u bashkuar me BE, situata është bërë e padurueshme. Ata që nuk janë larguar ende, po i shohin udhëheqësit gjithnjë e më shumë politikë si një pengesë. Pranverë në Serbi, Mal të Zi dhe Shqipëri”, thekson ai.

Protesta në Beograd

Trazira në Beograd, Tiranë dhe Podgoricë

Vala e protestave duket se nisi Beograd, ku dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën duke kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut, ndalimin e dhunës ndaj opozitës dhe lirinë e mediave. Në Serbi, vrasjet e pazgjidhura, sulmet kundër kundërshtarëve politikë apo medias, kufizimi i lirive demokratike dhe atmosfera e përgjithshme e frikës ka çuar në protesta të ngjashme me ato të fundit të viteve 1990. Ajo që nisi si një protestë kundër dhunës dhe kontrollit të pashembullt të medias, është kthyer tanimë në një lëvizje që mund të çojë në rrëzimin e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Mediat nuk raportojnë mjaftueshëm për kontrollin e shtetit dhe protestuesit emërtohen në disa raste si “agjentë të huaj dhe armiq të popullit”. Me gazetarët që janë vënë në shënjestër nga krimi i organizuar, nuk është çudi që shumë prej tyre janë të frikësuar.

Të gjitha partitë opozitare u ofruan të nënshkruanin të shtunën një "Marrëveshje me Popullin", duke zyrtarizuar formimin e një koalicioni të madh opozitar. Avokati i mirënjohur Bozo Preleviç deklaroi se Serbia është bërë një vend ku prindërit komunikojnë me fëmijët e tyre me Skype, duke iu referuar numrit të lartë të të rinjve që kanë lënë vendin fqinj për të jetuar jashtë vendit.

Kësaj radhe protestuesit marshuan paqësisht pranë të gjitha institucioneve kryesore të Serbisë, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Aleksandër Vuçiç. Partitë e opozitës shprehën një angazhim të përbashkët për të mbrojtur lirinë e medias dhe për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ato njoftuan bojkotimin e Parlamentit, duke theksuar se nuk do të marrin pjesë në asnjë seancë derisa të plotësoheshin kërkesat e tyre.

Protestat në Beograd

Por ky dokument është kritikuar në rrjetet sociale sepse nuk ofronte asnjë plan për të zgjidhur çështjen e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, ose të përcaktojë një qëndrim të qartë ndaj Prishtinës zyrtare.

Por situata nuk ishte kaq e qetë në Podgoricë, ku me mijëra protestues marshuan në rrugët e kryeqytetit, duke kërkuar dorëheqjen e Presidentit Milo Gjukanoviç dhe duke e akuzuar atë dhe socialdemokratët e tij në pushtet për afera korruptive të nivelit të lartë, blerje votash dhe pastrim parash. Në akuzë janë prokurori i lartë i shtetit dhe ai i krimeve të organizuara që mendohet se kanë shpërfillur provat e paraqitura.

Protestat morën tone të dhunshme në mbrëmje kur demonstruesit u përleshën me policinë. Kjo e fundit u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Qytetarëve të mbledhur u prinin liderët e Frontit Demokratik, të cilët marshuan nga selia e partisë së tyre deri te ndërtesa e Parlamentit malazez.

Policia kishte bllokuar rrugën duke shkaktuar edhe përleshjen pasi sulmoi me gaz lotsjellës, ndërsa demonstruesit qëlluan me gurë, duke thyer të gjitha xhamat përreth. Mediat malazeze njoftojnë se gjatë përleshjeve janë lënduar deputeti Nebojsha Medojeviq dhe nënkryetari i Kuvendit, Branko Raduloviq.

Protesta në Podgoricë

Ndërkohë në Tiranë, mijëra mbështetës të opozitës u përleshën me policinë në një tubim anti-qeveritar duke kërkuar dorëheqjen e zotit Rama, për të njoftuar të hënën djegien e mandateve. Një grup protestuesish thyen kordonin e policisë, por u shpërndanë kur policia hodhi gaz lotsjellës.

Ajo u konsiderua nga udhëheqësit e opozitës si "protesta që do të hiidhte poshtë qeverinë e banditëve" dhe erdhi vetëm disa javë pasi studentët mbyllën zyrtarisht protestën e tyre. Dhuna e kësaj fundjave në Tiranë u dënua nga ambasadat e BE-së dhe SHBA-së në Tiranë.


Protesta në Tiranë

Qëndrimi i BE-së

Përgjigja e Bashkimit Europian ndaj këtyre ngjarjeve është e dobët. Por nëse rajoni ka mësuar ndonjë gjë gjatë viteve të fundit, është se ndryshimi duhet të vijë nga vetë Ballkani. Analistë të huaj vlerësojnë se nëse qytetarët e rajonit nuk reagojnë në mënyrë adekuate ndaj këtij represioni, skenarët që i presin janë të shëmtuar. Sipas Florian Biber, të shkëputur nga realiteti, politikanët në Ballkanin Perëndimor nuk do të mendohen dy herë përpara përdorimit të forcës. Ai shprehet se në misionin e tyre për mbajtjen e pushtetit, ata do të vazhdojnë të bëjnë të pamundurën për mbajtjen nën kontroll të qytetarëve të tyre, duke përdorur të gjitha mjetet e nevojshme.

"Fakti që BE-ja po “bën një sy qorr” ndaj të gjitha trazirave të rajonit, do të ketë gjithashtu pasojat e saj. Duke humbur më shumë kohë dhe duke lënë mënjanë problemet politike, BE-ja ka mbetur në vend me reformat dhe prioritetet që kanë rëndësi për qytetarët. Mungesa e veprimeve konkrete dhe trazirat e vazhdueshme politike pengojnë vendet e rajonit që të ecin përpara në procesin e pranimit në BE. Udhëheqësit e BE-së dhe përfaqësuesit e tyre në Ballkanin Perëndimor theksojnë në mënyrë të përsëritur rëndësinë e rolit që qytetarëve në rajon, por nuk bëjnë asgjë por nuk bëjnë asgjë për të fuqizuar lëvizjet e shoqërisë civile në rajon", thekson ai.

Protesta në Beograd

Në një artikull të publikuar disa javë më parë “Europian Western Balkans” thotë se një pjesë e madhe e qytetarëve në rajon ndjehen të përjashtuar nga procesi i integrimit në BE. Sipas medias europiane, edhe takimet me dyer të mbyllura të nivelit të lartë mbeten të rezervuara vetëm për politikanët. Kjo kontribuon në përshtypjen se çështjet e BE-së nuk janë publike dhe se qytetarët nuk janë aktorë aktivë në këtë proces. Kjo nuk u lë atyre shumë zgjedhje.

"Qytetarët e Ballkanit Perëndimor janë plotësisht të vetëdijshëm se liritë e tyre po shkelen para syve të tyre. Ata e dinë shumë mirë se qeveritë që shkojnë drejt autoritarizmit nuk do të ndalen lehtë. Por asgjë nuk ka qenë e lehtë për qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Ata vazhdojnë të protestojnë, në grupe më të mëdha se më parë, por tani edhe me mesazhe më të qarta, me zemërim, por shpresë. Në Bosnje çdo përpjekje rezistencë bën një përbën ndryshim. Banorët e Banja Lukës sfiduan policinë dhe ndezën qirinj për të nderuar studentin 21-vjeçar. Beogradi është më i fortë, dhe Nishi, Kragujevcin dhe qytetet e tjera në Serbi, iu bashkuan protestave, të udhëhequr nga mjekë, shkencëtarë, aktorë dhe gazetarë. Në Shqipëri, shumë prindër qëndruan pranë studentëve duke u dërguar ushqim dhe batanije, ndërkohë që e gdhinin përpara kryeministrisë", shkruan “Europian Western Balkans” .

Sipas saj, ballkanasit po fillojnë ta kuptojnë se nuk ka asgjë që i detyron të jetojnë nën frikën e shtetit dhe se në të vërtetë është shteti ai që duhet të ketë frikë nga qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë