Fitore me përmbysje në derbi, në krye të kampionatit, rivalët e përjetshëm në fundin e tabelës dhe një skuadër që luan bukur, kaq arsye janë të mjaftueshme për tifozët e Partizanit që të shpërthejnë në delir. Entuziazmi i kësaj fitore të dytë sezonale në derbi u pa fill pas fërshëllimës së arbitrit Hamiti, ku tifozë dhe lojtarë u bënë një. Festës si rrallë herë iu bashkua edhe trajneri Skënder Gega. Një njeri i ftohtë dhe që nuk rrëmbehet lehtë nga emocionet si Gega, pak minuta pas mbylljes së ndeshjes nga dhomat e zhveshjes, përshëndeti me një foto selfie bashkë me futbollistët e tij.

Edhe në fjalën e tij pas ndeshjes tekniku tropojan nuk e fshehu dot entuziazmin. Në fjalën e Gegës pas ndeshjes ka një urim edhe për mikun e tij kundërshtar, Ardian Mema, që tashmë shikon t’i lëkunden pozitat në stolin bardheblu. “Rëndësi ka që morëm tre pikëshin. I uroj trajnerit Mema një karrierë të gjatë sepse është profesionit dhe e do fanellën. Patëm vështirësi, kur u ndëshkuam, mendoj se lojtarët u goditën, por treguam forcën. Tiranën e kaluam, tani të mendojmë të gjithë për Teutën, duke filluar nga unë, lojtarët e të gjithë ata që janë pjesë e Partizanit.”

Por kjo festë e ligjshme në fakt duhet të jetë brenda kornizave të përgjegjshmërisë. Dhe duke qeshur tekniku i “të kuqve” nuk nguron ta jap një këshillë për të tijtë.
“Kur fituam derbin e parë, skuadra ishte e lirë për më shumë se një ditë dhe festimet nuk munguan. Jam i sigurt se edhe kjo fitore do të festohet dhe iu kërkoj lojtarëve ta shijojnë këtë triumf, por pa e tepruar me alkoolin.”
Festa e një fitore me përmbysje ka rrëmbyer edhe një njeri si presidenti i Partizanit, Gaz Demi. Numri një i “klubit të kuq”, pas ndeshjes, duke dalë nga stadiumi foli me superlativa për skuadrën dhe “hapi thesin”, duke thënë se është i gatshëm të plotësojë kërkesat e stafit për përforcime në merkaton e Janarit.
“Ishte një ndeshje e mirë. Tirana bëri gol e para. Edhe po të fitonte, punë e madhe. Njëherë kemi barazuar në minutë të fundit, sot (dje) fituam në fund. Skuadra më kënaq, por s’është akoma aty ku duhet, dua më tepër lojë sulmuese.I kam premtuar Gegës se do të ketë gjithçka do në janar nëse vijojmë kështu.”- u shpreh Demi.

Por edhe njeriu kryesor që ka ndërtuar këtë Partizan kryesues dhe që luan bukur, Olsi Rama, nuk i ka shpëtuar euforisë edhe pse duhet thënë se shumë më i përmbajtur. “Kjo përmbysje tregoi që përbëjnë një grup të mrekullueshëm, që kanë karakter dhe japin gjithçka në fushën e lojës. Madje arrijnë të përmbysin edhe një ndeshje specifike siç është derbi. E merituam plotësisht fitoren. Është një hap më tepër për ndërtimin e një skuadre solide jo vetëm për këtë kampionat, por edhe në të ardhmen.”- tha Olsi Rama, drejtor i përgjithshëm i Partizanit.
Ndërsa për futbollistët nuk ka nevojë shumë për komente, për mënyrën se si e kanë përjetuar këtë triumf në derbi. Mjafton të shikosh profilet në rrjetet sociale dhe kupton entuziazmin që ka pushtuar kampin e kuq kjo fitore me Tiranën.


Me katër pikë diferencë nga Skënderbeu, tashmë te Partizani janë duke u lutur që Teuta të bëjë sërish mrekullinë dhe të fitojë apo barazojë me korçarët. Por kjo duhet të vetëm fillimi, pasi javën e ardhshme “demat” do të udhëtojë drejt Durrësit për të marrë tre pikët, me objektiv fillestar që të shpallen kampion të dimrit, që do të ishte vetëm hapi i parë i dëshirës 25 vjeçare për të fituar titullin kampion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




