Ne rrjet

Mediat e huaja: Mandatet rrezikojnë hapjen e negociatave!

Vendimi i partive opozitare shqiptare për djegien e mandateve jo vetëm që nuk i ka shpëtuar syrit të medias ndërkombëtare, por edhe ka shkaktuar edhe shqetësime në mesin e zyrtarëve të lartë në Bruksel.

Për gazetën më të madhe të madhe austriake “Der Standart” ky është një vendim i paprecedentë, ndërsa për një nga mediat më të afërta me Bashkimin Europian situata aktuale politike në vendin tonë do ketë implikime në vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

I pari që e ngre këtë shqetësim është europarlamentari Eduard Kukan, i cili ka theksuar në një i intervistë për mediat e huaja se dorëzimi i mandateve është mjaft shqetësues për të ardhmen e Shqipërisë. Ndërkohë për “Euroactiv” ky vendim është masa e fundit e opozitës për rrëzimin e qeverisë Rama dhe çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Edhe pse më këndvështrime të ndryshme pothuajse të gjitha mediat e huaja ngrenë shqetësimin për pasojat që do të kenë zhvillimet aktuale politike në ardhmen europiane të Shqipërisë.

Fox News shkruan se partia demokratike ka njoftuar se deputetët e saj planifikojnë të djegin mandatet parlamentare për shkak të korrupsionit dhe mungesës së efikasitetit të qeverisë socialiste të vendit.

Artikullli i "Fox News"

Rrjeti televiziv amerikan është një nga mediat më të afërta me presidentin amerikan Donald Trump dhe ka një ndikim të gjerë në opinionin publik amerikan . “Fox” citon Lulzim Bashën duke theksuar se siç duket, partitë opozitare janë të vendosura për të dorëzuar mandatet.

“Basha kërkoi që në krye të vendit të vihej një qeveri tranzitore derisa të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme. Anëtarët e partive më të vogla të opozitës mund të bashkohen me demokratët për të braktisur parlamentin prej 140 vendesh, ku socialistët mbajnë 74 karrige”, shkruan “Fox”, duke shtuar se të enjten parashikohet një tjetër protestë masive para parlamentit.

“Basha akuzoi qeverinë për lidhje me krimin e organizuar, vjedhjen e votave, dhe anashkalimin e ligjvënësve dhe sistemit të drejtësisë”, thekson rrjetit televiziv amerikan,

Ai citon edhe Erion Braçen duke shkruar se zv/kryeministri, i quajti dorëheqjet "të parëndësishme".

Por për gazetën më të madhe austriake, “Der Standart”, dorëzimi i mandateve nga opozita është një vendim i paprecedentë.

Artikulli i "Der Standart"

“Kryetari Basha justifikoi ketë vendim të pashembullt pas protestë së dhunshme të mijëra mbështetësve të Partisë Demokrarike, duke thënë se qytetarët nuk duan të qeverisen nga kriminelët oligarkët që kanë themeluar qeverinë," shkruan “Der Standart”. Bojkoti parlamentar i opozitës dhe qëllimi i kryeministrit me vezë dhe bojë nuk janë të pazakonta në Shqipëri. Megjithatë, dorëzimi i mandateve nga të gjithë deputetët e opozitës është i paprecendentë” thekson ajo.

Ndërkohë një nga mediat më pranë politikave dhe institucioneve të Bashkimit Europian , “Euractiv” ngre shqetësimin se këto ngjarje vijnë vetëm disa muaj përpara vendimit për hapjen e negociatave .

“Opozita ka marrë një sërë masash dramatike për të nxitur Ramën të japë dorëheqjen dhe të shpallë zgjedhjet e parakohshme pak muaj para verdiktit të hapjes së negociatave”, shkruan “Euroacitv”. Dorëzimi i mandateve është masa e fundit e një serie protestash dramatike kundër kryeministrit Edi Rama, të cilin opozita e akuzon për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Shqipëria shpreson të hapë negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian këtë vit, por tanimë qeveria duket se është nën presion të pashembullt” shton ajo.

Gazeta europiane kujton se vitin e kaluar Partia Demokratike bojkotoi parlamentin për gjashtë muaj deri në dhjetor dhe kur kthye dhe një nga deputetët demokrat qëlloi me vezë Ramën në Kuvend.

Artikulli i "Euractiv"

“Javën e kaluar, një politikan tjetër i opozitës qëlloi Kryeministrin me bojë para se të largohej nga rojet e sigurisë”, raporton “Euractiv” duke theksuar se Rama e konsideron djegien e mandateve si një shenjë e "dëshpërimit" të opozitës.

Por për anëtarin e Parlamentit Europian, Eduard Kukan, situata në Shqipëri është shumë e tensionuar. I kontaktuar nga “Independent Balkan News Agency”, Kukan konfirmoi shqetësimet që kanë ngritur në Bruksel zhvillimet e fundit në Shqipëri.

"Situata në Shqipëri po bëhet e shumë e tensionuar. Në raste të tilla, është e drejta e qytetarëve që të protestojnë dhe të tregojnë mosmarrëveshjet e tyre me politikat e qeverisë, ", thotë europarlamentari. "Megjithatë, unë nuk mund të pajtohem me dhunën dhe sulmet ndaj institucioneve shtetërore, gjatë demonstratave të kësaj fundjavë".

Kukan thotë se tensionimi i situatës është një shkak për shqetësim për të ardhmen e Shqipërisë.

"Unë jam i shqetësuar për përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve politike, në këtë moment mjaft kritik për vendin. Gjithnjë kam menduar se Shqipëria ka nevojë për dialog konstruktiv midis të gjitha partive politike, përndryshe do e ketë shumë të vështirë të bëjë përparime në çështje për të cilat shqiptarët kanë më shumë pritshmëri, siç është procesi i integrimit në BE dhe reformat", paralajmëron zyrtari i lartë europian.

Eurodeputeti Eduard Kukan

Për Kukan, parlamenti është vendi ku opozita duhet të luajë rolin e saj. "Do të përsëris veten kur them se parlamenti është institucioni ku e ka vendin opozita. Ajo ka një rol tejet të rëndësishëm për të luajtur".

Kukan thekson se beson se bojkoti nuk është përgjigjja e duhur për këtë situatë. "Prandaj, nuk mendoj se bojkoti i ardhshëm i parlamentit është zgjidhja e duhur për problemet e popullit shqiptar. Shqipëria ka shumë politikanë me përvojë, të cilët duhet të dinë se si të gjejnë zgjidhje për problemet politike", përfundon Kukan komentin e tij.

Ndërkohohë, “Observatori Balcani e Caucasio” një media mjaft serioze për sa i përket raportimeve politike për Ballkanin dhe vendet baltike bën një analizë më të zgjeruar të situatës në vendin tonë. Më shumë se sa tek debatet politike ajo e vë theksin tek lodhja e qytetarëve dhe mungesa e alternativave të përshtatshme politike.

Artikulli i “Observatori Balcani e Caucasio”

“Tirana u zgjua të dielën në heshtje, mes zhgënjimit të qytetarëve dhe lodhjes me degjenerimin ‘tradicional’ të të gjitha protestave në dhunë dhe flakë. Pakënaqësia e përgjithshme ndaj kushteve të këqija të jetesës, korrupsionit dhe krimit të organizuar, të shoqëruara nga mungesa e shpresës, vazhdon t’i mbajnë qytetarët peng në një të ardhme të pasigurtë. Sigurisht, jo të gjithë protestuesit në bulevardin kryesor të Tiranës miratojnë degjenerimin e protestave në dhunë dhe shfrytëzimin e mjerimit të tyre të përditshëm për qëllime politike”, shkruan “Observatori Balcani e Caucasio”. “Por për fat të keq, për momentin nuk ka alternativa të përshtatshme për të adresuar mosbesimin e gjerë të qytetarëve ndaj partive politike aktuale dhe udhëheqësve të tyre”, thekson ajo.

Media e njohur e vë theksin edhe tek reforma zgjedhore, duke akuzuar të gjitha palët politike se kanë arritur një konsensus për mos t’u dhënë qytetarëve shqiptarë alternativa të reja dhe të besueshme politike.

“Nga ana tjetër, sistemi zgjedhor në fuqi e bën të vështirë që partitë e reja të hyjnë në Parlament. Për shkak të një konsensusi ndërpartiak në nivel kombëtar, udhëheqësit e partive mbajnë të gjithë fuqinë për të caktuar listat zgjedhore, duke mos u dhënë shumë alternativa qytetarëve gjatë zgjedhjeve. Nuk ka kontroll të vërtetë të kandidatëve të emëruar në parlament në katër vjet për të përfaqësuar interesat e qytetarëve. Ky hendek midis elektoratit dhe deputetëve të zgjedhur kontribuon drejtpërsëdrejti në mbikëqyrjen e kufizuar që parlamenti ka mbi qeverinë”, shkruan “Observatori Balcani e Caucasio”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë