Futboll

Largimi nga Juventus, Ronaldo shuan çdo dyshim

Juventus ia doli që mbrëmjen e së shtunës të sigurojë trofeun numër 35 në kampionatin italian. Por me gjithë këtë sukses që ishte i teti radhazi në Itali, lajmi kryesor në të përditshmet përtej Adriatikut kishte të bënte me Kristiano Ronaldon.

Sulmuesi portugez u bë çështje, pasi torinezët dështuan të fitojnë kupën e Ligës së Kampionëve dhe pati aludime të shumta në lidhje me një largim të tij nga Torino. Por këto aludime ka menduar t’i shuaj vetë Ronaldo. Duke folur pas festës për fitimin e kampionatit, Ronaldo ka thënë se nuk do të largohet nga Juventusi këtë verë edhe pse dështuan në Champions.

“Jam shumë i lumtur për trofeun tim të parë në kampionatin italian që në debutim. Sigurisht ne nuk bëmë shumë mirë në Champions League, por ne këtu do të jemi për të luftuar sezonin e ardhshëm edhe më të vendosur.”- tha Ronaldo.

Nga këto fjalë të sulmuesit portugez kuptohet shumë lehtë se ai nuk ka në plan që të largohet nga Juventus këtë verë dhe do të tentojë edhe sezonin e ardhshëm që të triumfojë në Champions. Ndër të tjera ditën e djeshme Ronaldo është bërë edhe i pari futbollist në histori që arrin të fitojë titullin në ligën e parë angleze, spanjolle dhe italiane që konsiderohen si kampionatet më të forta në botë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë