Biznes

La Nocciola, në shtëpinë e akullores së vetme artizanale shqiptare

"Kur ke një ëndërr, duhet ta shkruash"

Sabina Veizaj - Të takosh Ferdin këto ditë nuk është e lehtë.

Ai është shumë i njohur aty ku jeton dhe punon; tek Myslym Shyri.

Kurse publiku, ndoshta nuk e njeh me emër, por i njeh brandin që ai zotëron.

Ferdinand Bregu është krijuesi i La Nocciola Tirana. Asaj kthine të vogël ku njerëzit shkojnë të provojnë akulloret artizanale natyrale, të vetmet të këtij lloji në Tiranë.

La Nocciola Tirana
Ferdinand Bregu

Ferdi, është krijuesi i artit të zanatit të krijimit të akulloreve. Deri më tani nga 2016 që është çelur dyqani, ai numëron 40 receta akulloresh të bëra vetë. “Janë receta që evoluojnë me kohën”- do të më thotë Ferdi mandej gjatë bisedës.

La Nocciola nuk është biznesi i parë në të cilin Ferdi eksperimenton. Ai është i rrahur me vaj dhe me uthull.

Ferdinand Bregu

Gjatë bisedës që rrjedh shpejt për shkak se ai është me nxitim, ( arkitektja dhe bashkëpunëtorë të tjerë e kontaktojnë shpesh) flet nxitimthi. Është energjik, optimist, por i njeh mirë vështirësitë e terrenit ku vepron.

Ferdi i ka hedhur hapat e para të tregtisë në Rrugën e Durrësit në vitin “90 ku ka nisur të shesë paketa në rrugë. “Edhe pse kisha shumë turp”- më rrëfen ai.

Po atë vit, Ferdi kujton se ëndrrat i shpuri diku tjetër, jashtë vendit, në Itali me anijen Vlora. Por që nuk zgjati shumë sepse e kthyen. Por krenaria, këmbëngulja, sedra, inati, të gjitha ndjenjat dhe ndjesitë bashkë e bënë që ti kthehej sërish vendit fqinj për 10 vite, i cili do ti shërbente si mentor për të gjitha eksperiencat e kaluara dhe ngasjet për atë që do të bënte më vonë në jetë.

Ferdi kthehet në Tiranë në vitin 2000. Merret me shitje rrobash. Mandej çel lojërat Counter Strike po në Myslym Shyr dhe së fundmi hap një agjenci marketingu call center në të cilën shitej për llogari të Vodafone Italia dhe Telekom Italia. Sepse ai nuk e duron dot zonën e sigurisë “rroga më ishte bërë si drogë”- më rrëfen.

“Kur ime shoqe ishte shtatëzënë me fëmijën e dytë, i shkoi një nga ditët mendja për akullore. Ishte një zotëri maqedonas, i moshuar që shiste akullore përballë Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Meqënëse ishte pika më e afërt me shtëpinë, shkuam. Sapo mbërritëm, zotëria mbylli qepenin dhe na dëboi. Ikni, ikni-na tha.” – më tregon Ferdi.

Ai ishte momenti që i shkrepi në mendje për të krijuar La Nocciola.

Zotëria nga Maqedonia do të largohej më vonë. Pasi kishte mësuar se Ferdi po hapte akulloren, i kërkoi atij që të blinte biznesin që ai po linte.

“Ishte jashtë parametrave dhe standarteve që unë kam për higjenën dhe cilësinë, nuk mund të blija atë biznes. Kisha ëndrra të tjera”- vazhdon më tregon Ferdi.

Akullorja është deserti më i dashur për fëmijët, është një nga desertet më të lashta e përmendur në Bibël; Isaku, duke i ofruar Abrahamit qumësht dhie të përzier me dëborë, do të shpikte të parin “ha dhe pi” të historisë. Akullorja e parë industriale në shkop, Mottarello lind në Itali më 1948 dhe akullorja italiane është shumë e famshme në botë.
“Nuk kam parë një person që të hajë një akullore të mirë dhe të jetë i zemëruar. Kur njerëzit hanë akullorë, ëmbëlsohen dhe buzëqeshin”

Këto fakte ishin një tjetër argument që e bënë Ferdin të këmbëngulte dhe të niste të shkruante ëndrrën e tij.

“Kur ke një ëndërr duhet ta shkruash. Edhe unë kam gabuar në fillim, por më pas mësova. Nuk ka rëndësi kur realizohet ëndrra; pas 1 viti apo pas 5 vjetësh. E rëndësishme është të punosh me të. Faktori lek është i domosdoshëm, por jo i parealizueshëm. Nëse ke një ide të mirë dhe jep besim, do ta realizosh. Mua mu afruan dy bashkëpunëtorë në fillimet e La Noccioloas. Me egon time i shkova deri në fund, por nëse falimentoja pas 2 muajsh, i kisha gati dy investitorë. Çelsi i suksesit qëndron tek, sa i aftë je ti mbushësh mendjen dikujt që idea jote vlen.”- i përgjigjet Ferdi pyetjes sime se, si bëhen bashkë ëndrrat, idetë dhe paratë për të çelur një biznes.

La Noçiola ka nisur të shkruhet në 2015-ën dhe është çelur në 2016-ën me një kapital 40 mijë euro (që nuk mjaftonin) dhe katër punonjës. Me makineri modeste, me tenxhere. Por higjiena, cilësia, transparenca kanë qenë standarde ndoshta të pakta, por të sigurta që e ndjekin Ferdin edhe sot.

https://www.youtube.com/watch?v=iI3EIbyiM8w&feature=youtu.be

Ai është duke çelur një pikë të re të La Noçiolas në Tiranën e Re, e cila ka ardhur me kërkesë të klientëve. Edhe pse idea fillestare për tek Myslym Shyri ishte si një pikë strategjike, klientët kanë nevojë për një vend me hapësirë pak më të bollshme që ta hanë akulloren të ulur duke biseduar me miqtë. “Sepse ato stolat që ti ke vendosur, i zënë pensionistët për të bërë muhabet.”- i thonë klientët.

Dyqani i ri është 50 metra katrorë dhe Ferdi më tregon se i janë djegur afatet e çeljes. Ai mendonte ta çelte në 1 mars, por ende nuk kanë mbërritur paisjet nga Italia. Prandaj Ferdi është në vrap dhe është vështirë ta ulësh për të biseduar shtruar.

Akulloret tek La Nocciola që në krye të herës kanë kushtuar 100 lekë topi. Ferdi është koshient që produkti i tij nuk mund të përballohet nga kushdo, megjithatë ai evidenton mentalitetin e ne shqiptarëve që debatojmë çmimin dhe nuk konsiderojmë vlerën.

https://www.youtube.com/watch?v=3heoLXFMICw&feature=youtu.be

“Akulloret nisin nga përbërës të thjeshtë, qumësht, ajkë qumështi ose pana, sheqer dhe lidhës, karbohidrate që mpiksin. Karbohidratet lidhin lëndën e thatë me molekulat e ujit. Akullorja e mirë nis nga përzgjedhja e përbërësve cilësorë. Ne nuk kemi sekrete, ky është suksesi.”- më thotë Ferdi tek i hedh vështrimin celularit herë pas here sepse puna e thërret.

La Nocciola ka një laborator akuarium, me qëllim që njerëzit të shohin si bëhet ajo që hanë.

Më pëlqejnë gjërat e qarta, thotë ai, jam maniak për pastërtinë dhe rregullin. Këtë është munduar ta përkthejë edhe në atë që bën aktualisht.

Meqënëse akullorja është një desert popullor, fasha e klientelës së La Nocciolaa është e larmishme. “Ajo nis nga fëmijët që janë më të sinqertët që thonë “Unë e dua tek La Nocciola, nuk e dua këtë fare, deri tek politikanë, gazetarë, të moshuar.” – më tregon Ferdi duke u përpjekur të imitojë mimikën dhe tingujt e zërave të fëmijëve. Për La Nocciolan vijnë edhe nga rrethet, Shkodra, Pogradeci, Vlora, etj. Edhe të huaj që jetojnë e punojnë në Shqipëri e frekuentojnë shumë.

Për ti dhënë bisedës një tis humori, Ferdi më rrëfen për të moshuarit që zënë stolat pranë dyqanit që ai i ka ndërtuar për klientët. “Ne i kemi qërasur, jemi përpjekur ti bëjmë miq, por stolin e duan ata”. Megjithatë Ferdin e kap një tis trishtimi kur ndërmend vetmevete fytyrat e të moshuarëve që kanë dëshirë të blejnë, por nuk munden. “Unë ua ofroj dhe i them është pa impenjim. Më lëndojnë situata të tilla”.

Artizanati kushton kudo në të gjithë botën. Kolegët e tij në Itali e shesin akulloren 24 euro/kg. E siç më thotë gjatë bisedës, nga 40 mijë biznese akulloresh që ka Italia, vetëm 3% janë artizanale. Dhe Ferdi më shpjegon se nuk synon sasinë, por cilësinë. Ai dëshiron që njerëzit ti qasen asaj që ai bën për vlerat, por dita – ditës, thotë ai, po krijojmë fashën tonë.

“Jam brenda parametrave të mij për të jetuar. Puna nuk të bënë milioner. Është mënyrë jetese. Kur ishim të rinj mendonim; do bëhem kështu, do bëhem ashtu. Por puna qenka mënyrë jetese. Sa të fitosh, sa të kesh, do të investosh.”- argumenton ai.
Tek e pyes për konkurrencën, ai mendon se aktualisht nuk ka një konkurrent të mirëfilltë për atë që bën, megjithëse “ne nuk kemi kohë të gjëmojmë konkurrentët. Kemi shumë punë ”- më thotë.

Por ai ka vërejtur që me hyrjen e La Nocciolas në treg, edhe bizneset e akulloreve industriale kanë nisur të lëvizin. “Kam vënë re që kanë nisur të veshin shitëset, ta japin kaushin me kartopicetë, të thonë që e do me kaush apo me tas. Kanë nisur të rrisin dalëngadalë edhe çmimet dhe kanë filluar gjithashtu të vendosin disa fruta për zbukurim si tek La Nocciola, por arma jonë e fortë është që ne krijojmë akullore, nuk bëjmë akullore.”
Në fakt La Nocciola bën akullore të personalizuara. Nëse ty të shkrep në mendje të kërkosh akullore me një shije x, La Nocciola e krijojn atë për ty.

Në verën e 2018-ës, u bë viral lajmi se moderatorja Jona Spahiu, shtatzënë në atë kohë kërkonte ndihmën e fansave për të gjetur akullore me frutë pasioni. E La Nocciola ia krijoi.

Gjithashtu treguesi më evident që La Nocciola ka ndikuar në treg, më shpjegon Ferdi, është shtrirja e sezonit të konsumimit të akullores.

Kultura jonë për akulloren ka qenë konsumimi i saj në dimër, konsum sezonal.
“Unë kam lindur në qendër të Tiranës, por shumë shpejt prindërit u zhvendosën në Laprakë sepse kishin punët aty në ndërmarrjet përreth. Në mes të Laprakës kemi patur një pastiçeri dhe aty ka qenë një kartabrik me ato puset e vockla. Kishte akullore të bardhë dhe me kakao. Në atë kohë unë e kam ngrënë akulloren në shumë qytete të vendit kur shkoja me pushime në plazh apo tek të afërmit, por vetëm në verë, bashkë me aranxhatat freskuese”- kujton Ferdi fëmijërinë e tij duke buzëqeshur dhe duke vënë në diskutim gjithashtu cilësinë e akulloreve, por tradita po ndryshon, vijon ai bisedën duke theksuar se “Ne e sollëm të parët konsumimin e akullores në dhjetor.”

Ferdi vazhdon të më shpjegojë se, akullorja është si kimi edhe fizikë. Duhet të njohësh mirë përbërësit, sheqerërat, janë disa lloje karbohidratesh. Me shumë pasion dhe maniakllëk, thotë ai, i studion përbërësit, i ekuilibron, as shumë me sheqer, as me yndyr, as shumë e rëndë.

“Pasioni dhe dëshira për të krijuar gjëra të mira dhe të pastra është ajo që na ndjek. Duhet të jemi koshient se çfarë hamë. Kur edhe të tjerët të nisin ta aplikojnë këtë, do mund të themi që kemi konkurrentë. Ne morëm përsipër të bëjmë një akullore artizanale natyrale pa bazat e mafies së industrisë ushqimor.”- më shpjegon Ferdi duke kujtuar dhe vështirësitë e fillimit, vështirësi që e ndjekin edhe sot, që ndjekin çdo biznes të ndershëm në fakt, sidomos në Shqipëri.

Ai ka ndjekur shkollën për teknik gelatier, por beson se nëse do diçka e gjen ku ta mësosh. Asgjë nuk është e pamundur për Ferdin. Ai beson se shkolla nuk të jep gjithçka, por pasioni është ai që të bën të rrëmosh dhe leximet autodidakte. Ferdi ka punuar në Milano për 3 vite si shitës frutash të cilat i njeh mirë e gjithashtu edhe si ndihmës kuzhinier në restorant.
Gjatë bisedës i them se jeta jote qenka si një roman, të paska parapërgatitur mirë për atë që do të bëje sot.

Ferdi ka bashkëpunëtorë shumë të rëndësishëm të sektorit në Itali. Angelo Grasso është njëri prej tyre, djali i një mjeshtri akulloresh të viteve '30.
Ferdi ka tre partnerë furnizues në Itali, ka një kontratë me Kozmonten, kompaninë kosovare të bulmetit ku furnizohet me qumësht që kur ka çelur La Nocciolan dhe frutat i blen në treg duke i zgjedhur me sqimën që e karakterizon.

Receta më e fundit e çudithsme që Ferdi ka krijuar është akullorja me Redbull. Ai më tregon se ia kërkuan gocat. Ferdi thërret shitëset e dyqanit, të cilat janë edhe të parat që provojnë krijimet e Ferdit. “Fatkeqësisht nuk janë fëmijët e mi që i provojnë, sepse babi i tyre mungon shumë për shkak të punëve, por ata janë më të lumturit në botë kur vijnë në dyqan, ose kur ua shpie në shtëpi. Zhyten aty. Edhe pse unë jam për masën dhe ruajtjen e ekuilibrave kudo, edhe në ushqim” – më shpjegon Ferdi.

La Nocciola Tirana, akullore me Redbull

Tek e pyes nëse kanë menduar për të krijuar një recetë për diabetikët, ai më shpjegon vështirësitë dhe kostot.

“ E kemi menduar disa herë, por përveç pasionit në fund të ditës duhet parë edhe arka. Ne për diabetikët, akoma nuk kemi krijuar një recetë. Të bësh një akullore artizanale të tillë, ka nevojë për disa përbërës të tjerë. Por ne edhe ato që kemi tani, i kemi me luftë. Për një treg të lirë, për një popull të vogël si Shqipëria, është vështirë të krijosh dhe mbash gjëra cilësore transparente pa gënjyer konsumatorin. Për veganët i kemi. Akullore me fruta” – më sqaron Ferdi.

Ditët e tij më të vështira në punë janë ditët e ftohta dhe me shi, pasi është i detyruar të bëjë pak akullore që të mos i mbesë sepse filozofia e tij është cilësia, freskia e produktit dhe të mos nxjerrë të nesërmen akulloren e bërë një ditë më parë. Kënaqësia më e madhe e punës së tij është kur sheh klientët e vegjël (fëmijët) që hanë të lumtur akullore.
Tek e provokoj nëse e ka mbledhur mendjen për të qëndruar në Shqipëri, ai më shpreh dyshimet që i kanë çukitur në mendje shpesh.

“Vendi ynë po ecën me ritme shumë të ngadalta. Duke i pasur fëmijët e vegjël, kam ndonjëherë dyshimet e mia, pse këtu. Made in Italy po çan nëpër botë. Edhe në Rusi po të bësh një akullore të mirë, e duan të gjithë, por unë e adhuroj vendin tim me gjithë vështirësitë e veta. Çdo gjë e mirë ka të keqen e vet dhe anasjelltas.”

Në 10 mars çelet La Noçiola në Tiranën e Re me teknologji të 2019-ës konform të gjithë parametrave të BE-së. Një observator akulloreje, krejt me xhama ku njerëzit do të shohin vetë produktin që porosisin teksa gatuhet. Në 10 vite, Ferdi e sheh La Nocciolan në Vlorë, Sarandë dhe në qytete të tjera bregdetare.

Ndërsa ka edhe një ëndërr në sirtar. Një inovacion në fushën e ushqimit, por që është herët për ta zbuluar. Ai mendon që më pas, ekzekutimin e recetave të tij të akulloreve tia delegojë dikujt tjetër, por jo biznesin.

Duke më ftuar të shoh La Nocciolan e re kur të çelet, ndahemi dhe Ferdi largohet gati me vrap për tiu qëndruar në kokë punëve për dyqanin e ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë