Analize

Grafiku-Cila qeveri ka qenë më e korruptuar dhe kush ka paguar

Papa Françesku na e ka thënë: "Korrupsioni paguhet nga të varfrit". Këtë shprehje e kuptojmë mjaft qartë ose e ndjejmë më mirë në kurriz këtu në Shqipëri, ku shkalla e varfërisë është e përhapur dhe shqetësuese.

Korrupsioni si fenomen është shoqërues i njerëzimit. Kautilya, kryeminsitri i një mbetërie indiane, e trajton korrupsionin në një libër të shkruar prej tij dy mijë vjet më parë. Në Mesjetë ishte Dante i cili i vendoste mitëdhënësit në pjesët më të thella të Ferrit. Ndërsa Kushtetuta Amerikane e konsideron mitëdhënien si një nga dy krimet e përmendura shprehimisht, për të cilat mund të nisë procesi i akuzimit dhe shkarkimit të presidentit.

Korrupsioni merr forma nga më të ndryshme, duke nisur nga mitëmarrja, përvetësimi, zhvatja, hajdutëria, nepotizmi, patronazhi e duke vijuar me mbështetjen qëi bën krimit të organizuar, ku përfshihet trafiku i drogës, trafikimi në përgjithësi apo pastrimi i parave të pista. Korrupsioni politik përcaktohet si keqpërdorim i pushtetit nga ana e zyrtarëve të qeverisë për përfitime private, të paligjshme dhe shpesh sekrete. Kleptokracia konsiderohet si pika fundore e korrupsionit, që nënkupton instalim të "rendit të hajdutëve".

Korrupsioni favorizohet nga niveli i lartë i monopolit mbi pushtetin dhe i kompetencave për të ushtruar pushtetin (diskrecioni). Por korrupsioni mund të luftohet nga përgjegjshmëria dhe transparenca e autoriteteve pushtetore. Këto lidhje Klirgaard (1996) i shprehu në ekuacionin e korrupsionit që paraqitet në vijim:

Burimi: Transparency International. Indeksi për periudhën 2012 e në vijim është konvertuar me bazë 10 për të ruajtur bazën krahasuese

C (korrupsioni) = M (monopoli ipushtetit) + D (diskrecioni) - A (përgjegjshmëria) - T (transparenca)

Nëse puna studimore për korrupsionin konsiderohet se ka nisur në vitin 1975, ishte viti 1996 që shënoi si pikë kthese në vëmendjen në shkallë botërore ndaj fenomenit të korrupsionit. Presidenti i atëhershëm i Bankës Botërore e shpalli angazhimin e tij "për të luftuar kancerin e korrupsionit" ose siç është shprehur më pas Joe Biden, ish-zëvendëspresident i SHBA-ve, "korrupsioni është një kancer, një kancer që gëlltit besimin e qytetarëve në domokraci dhe dobëson instiktin për novacion dhe krijueshmëri". Një studim i vitit 1997 (Mauro) konkludoi në arsyet se përse ekziston shqetësimi për korrupsionin dhe përse duhet luftuar ai:
- Korrupsioni konsiderohet si shkaktar kryesor për varfërinë dhe pengesë serioze për zhvillimin. Kjo nënkupton se sa më shumë korrupsion aq më pak investime dhe rritje ekonomike.
- Korrupsioni bën që qeveritë të favorizojnë forma të caktuara shpenzimesh qeveritare në raport me disa të tjera, për shkak të marrjes së ryshfeteve.
- Korrupsioni çon në reduktim të shpenzimeve për arsimin, ndërkohë që ky i fundit është një faktor i rëndësishëm për rritjen ekonomike.
- Më tej, korrupsioni rrënon demokracinë dhe dobëson aftësinë e institucioneve qeverisëse pasi zyrtarët publikë nuk marrin më parasysh ligjet e rregullat, por shiten e blihen.
- Në përfundim korrupsioni çon në rritje të pabarazisë shoqërore dhe i godet të varfrit më keq nga të gjithë.

Pra,është vërtetuar teorikisht që korrupsioni është veçse i dëmshëm. Për këtë arsye korrupsioni tërheq vëmendjen e pothuaj çdo segmenti të shoqërisë dhe vazhdimisht bëhen përpjekje për ta vlerësuar apo matur korrupsionin. Ka disa mënyra matjeje, por treguesi që referohemi më së shumti në shkallë botërore është Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit, i shpallur nga Transparency International, një organizatë botërore jo qeveritare dhe jo fitimprurëse. Ky indeks mat nivelin e perceptuar të korrupsionit në sektorin publik sipas ekspertëve dhe njerëzve të biznesit, dhe lejon krahasimin e niveleve të korrupsionit të vendeve apo rajoneve të ndryshme të botës. Publikimi i këtij indeksi tërheq çdo vit vëmendjen e publikut, kryesisht përmes medias. Njëherësh, publikimi i indeksit nxit deklarimet nga ana e institucioneve qeveritare, pasi niveli i korrupsionit pasqyron drejtpërdrejt efektivitetin e tyre në luftën kundër këtij fenomeni.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i publikuar në fund të muajit janar 2019 e paraqet Shqipërinë në vendet me korrupsion të lartë. Nëse situata e korrupsionit në Ballkan, e matur sipas këtij indeksi, paraqitet e keqe, gjendja e korrupsionit në Shqipëri paraqitet edhe më e keqe, duke e vendosur këtë në vendin e fundit në Ballkan. Niveli i korrupsionit në Shqipëri vlerësohet në36 ose 2 pikë më pak se një vit më parë (38). Me këtë vlerësim Shqipëria renditet në vendin e 99 në botë nga 180 vende pjesëmarrëse, duke zbritur 9 vende më poshtë sesa një vit më parë (vendi 90).

Me kaq informacion qartësisht konkludohet që perceptimi është se në Shqipëri korrupsioni është përkeqësuar përgjatë vitit 2018, krahasuar me një vit më parë. Sipas informacionit që jep raporti i Transparency International, korrupsioni është i pranishëm në pothuaj të gjithë komponentët (pushteti gjyqësor, kontrolli mbi institucionet publike përgjegjëse për zbatimin e ligjit, media, zgjedhjet, financimet publike etj.), pavarësisht se lufta kundër korrupsionit përbën një ndër kushtet që Shqipëria të hyjë në BE.

Nëse krahasimin e shtrijmë në të gjithë periudhën kohore për të cilin është publikuar indeksi për Shqipërinë (për efekt krahasimi edhe në periudhën pas vitit 2012, indeksi është konvertuar nga bazë 100 në bazë 10) informacioni mbi shkallën e korrupsion jep një pamje shqetësuese.

Optimistët do të shpreheshin se vendi ka përmirësim në fushën e korrupsionit pasi indeksi është rritur nga viti 1999 në vitin 2018 (shih grafikun), duke iu larguar shkallës më të lartë të korrupsionit - vlerës 0. Realisht duket se ka një përmirësim me uljen e shkallës së korrupsionit nga viti në vit. Jemi të vetëdijshëm që janë në lojë shumë angazhime dhe programe të cilat fokusohen nëçështjen e korrupsionit dhe patjetër ato kanë dhënë efekt përmirësues.

Por, nëse shihet me realizëm situata e korrupsionit, thelbi qëndron në faktin që:
- Korrupsioni në Shqipëri është i pranishëm në shkallë të lartë. Vlera e indeksit është shumë më pranë treguesit që paraqet korrupsionin maksimal (indeksi = 0) sesa treguesit për vendin pa korrupsion (indeksi = 10 ose 100);
- Korrupsioni në Shqipëri është fenomen i qëndrueshëm. Në mënyrë të vazhdueshme vlera e indeksit ka qëndruar poshtë nivelit 4 (apo 40) pra pa mundur të arrijë as pozitën e një vendi me korrupsion mesatar (indeksi asnjëherë nuk e ka kaluar vlerën 5ose 50,që tregon nivel të mesëm të korrupsionit, sipas intervalit të përcaktuar);
- Korrupsioni në Shqipëri është pa dallim fenomen që nuk lufton mjaftueshëm nga asnjëra forcë politike qeverisëse e periudhës 1999 - 2018. Alternimi i pushteteve midis të djathtës dhe të majtës apo midis koalicioneve qeverisëse nuk ka prodhuar në asnjëra angazhim serioz dhe efektiv kundër korrupsionit. Në asnjë moment gjatë kësaj periudhe nuk shohim përmirësime të ndjeshme dhe të qëndrueshme të treguesit të korrupsionit;
- Korrupsioni qartazi trajtohet si fenomen thjeshte elektoral. Indeksipërmirësohetdisinëfillimtëmandatittëqeverisë,sireflektimipërdorimittëluftëskundërkorrupsionitsiarmëpërmarrjepushteti, por përkeqësohet në fund të mandatit,si pasojë e harrimit të angazhimit anti korrupsion dhe zhytjes në përfitimet korruptive. Vitet 2005, 2009, 2013, 2017,që i përkasin viteve zgjedhore, pra përfundimit të mandateve qeverisëse, kanë ulje të nivelit të indeksit krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë këto vite ndiqen nga përmirësime të lehta të indeksit në vitin e parë të qeverisjes. Ky cikël përsëritet pa dallim si në forcat e djathta të qeverisjes ashtu edhe të majta.

Pra, pavarësisht çfarë deklarohet në fushata zgjedhore apo në propagandën qeveritare të çdo kohe, rezultati është prani e konsiderueshme dhe e qëndrueshme e korrupsionit. Kjo do të thotë se vullneti politik asnjëherë nuk është drejtuar me seriozitet drejt luftimit me efektivitet të korrupsionit. Në vijimësi kemi pasur "qeverinë më të mirë që mund të blihet me para", siç do të shprehej Mark Twain.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë