Analize

Këshilltari i Haradinajt: Pse është armik kush do ndarjen e Kosovës

“Nuk dua ta teproj, por nuk i kam dëgjuar kurrë as Thaçin dhe as Ramën të thonë që Kosova nuk duhet prekur”. Më këto fjalë, kryeministri Ramush Haradinaj kritikoi ashër dy ditë më parë qeverinë shqiptare, duke e akuzuar se po lobonte në Uashington për ndarjen e Kosovës. Ai shkoi edhe më tej duke e paralajmëruar publikisht kryeministrin Edi Rama se mbështetja e ndryshimit të kufijve të Kosovës do t’i kushtonte Shqipërisë anëtarësimin në BE.

Kjo e gjuhë e ashpër nga ana e kreut të qeverisë së Kosovës mund të ketë qenë e papritur për publikun, por për Erolld Belegun, këshilltarin e kryeministrit Haradinaj, mbështetja e idesë së shkëmbimit të territoreve nga Tirana zyrtare është e papranueshme për Prishtinën zyrtare. Edhe pse publikisht zot Rama nuk është deklaruar as pro dhe as kundër këtij skenari, revoltimi i Haradinajt ngre shumë pikëpyetje për tonet e negociatave që po mbahen prapa dyerve të mbyllura.

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama vendosi të bënte bashkë udhëheqësit kryesorë të Kosovës në shtëpinë e re të zotit Thaçi, por që pas asaj mbrëmjeje marrëdhëniet mes dy kryeministrave duket se kanë marrë një kthesë dramatike.

I pyetur nga Gazeta "Si" për mbrëmjen e 3 shkurtit, kur Rama, Haradinaj, Thaçi, Veseli dhe Limaj u mblodhën në shtëpinë e Presidentit por edhe pozicionin që po mban qeveria shqiptare ndaj shkëmbime territoriale, Erolld Belegu thotë se kushdo mbështet ndarjen e Kosovës është armik i Prishtinës zyrtare.


Erolld Belegu

Duke i referuar “ofertës” së kryeministrit Rama për të ruajtur rolin e ndërmjetësit mes Thaçit dhe Haradinajt, Belegu thotë: “Mendoj që çdokush që dëshiron të ndihmojë është i mirëseardhur, por idetë që shkojnë drejt ndarjes së Kosovës janë anti-kushtetuese dhe bien kundër interesave të Kosovës. Kryeministri Haradinaj ka qenë i qartë në deklaratat e tij që kushdo që dëshiron të rrënojë rendin kushtetues të shtetit të Kosovës është tradhtar dhe armik i vendit”.

Belegu thekson se çdokush që ofrohet për të forcuar Republikën e Kosovës në kufijtë e saj ekzistues, është i mirëseardhur të ndihmojë, por Prishtina zyrtare nuk do të pranojë ndihmën e askujt që favorizon ndarjes e Kosovës.

Edhe pse shkëmbimi i territoreve ka marrë tanimë “bekimin” e qeverisë shqiptare, atë të presidentit serb, SHBA-së, madje edhe Rusisë, Belegu thotë se ideja e korrigjimit apo shkëmbimit të territoreve refuzohet nga 85-90 për qind e qytetarëve të Kosovës.

“Nuk e di si mundet dikush të shkojë kundër vullnetit të popullit. Mos harroni se cilado qoftë marrëveshja që do të arrihet, ajo duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës”, thotë këshilltari i kryeministrit Haradinaj, duke theksuar se në platformën e ekipit shtetëror të Kosovës është e përkufizuar se ndryshimi i kufijve ekzistues nuk është në tryezë për bisedime”.

Përplasjet mes Ramës dhe Haradinajt vijnë ndërkohë që Kosova ndodhet nën një presion të pashembullt nga aleatët e saj perëndimorë për t’u tërhequr nga tarifat ndaj mallrave serbe dhe boshnjake. Ky vendim i marrë nga qeveria Haradinaj pasi Serbia bllokoi hyrjen e Kosovës në Interpol, e ka vënë Kosovën në një betejë të ashpër përballë SHBA-së dhe BE-së, të cilat kërkojnë me ngulm heqjen e tarifave dhe rikthimin e saj në tryezën e bisedimeve.

Për qeverinë Haradinaj, taksa është kthyer në armën e vetme për ta mbajtur Thaçin larg negociatave për ndryshimin e kufijve dhe në mundësinë e vetme për t’i vënë Beogradit zyrtar “kufij”. Edhe pse SHBA-ja ka deklaruar se vendosja e kësaj takse shkon kundër interesave të saj, duke paralajmëruar madje se mund të anulojë ndihmat për ushtrinë e re të Kosovës, Belegu konfirmon për Gazetën "Si" se qeveria Haradinaj është e bindur për t’i qëndruar deri në fund këtij vendimi.

Erolld Belegu dhe kryeministri Ramush Haradinaj

Sipas tij, vendosja e kësaj takse ishte mundësia e vetme e Haradinajt për të mbrojtur interesat e Kosovës. “Është pafytyrësi nga Serbia të pranojë dhe dëshirojë kaq shumë tregun e një shteti të cilin as nuk e pranon. Nuk ka asnjë shtet në botë që ka qenë më i hapur ndaj sundimit ekonomik të një shteti të cilin as nuk të njeh”, thotë zyrtari i lartë. “Pas 20 vitesh ballafaqimi me Serbinë duke iu nënshtruar edhe presioneve ndërkombëtare, por edhe duke dëshmuar që jemi të përkushtuar për dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, Kosova ende nuk njihet si shtet sovran nga Serbia. Beogradi ka dëshmuar për vite me radhë se është e interesuar për arritjen e një marrëveshjeje, prandaj Qeveria e Kosovës është detyruar të ndërmarrë masën e vetme të mundshme për të mbrojtur interesat e shtetit", thekson Erolld Belegu.

Por a është duke rrezikuar Kosova marrëdhëniet me SHBA-të dhe a ka të ngjarë që paralajmërimet e Uashingtonit të marrin tone edhe më kërcënuese? Sipas kryeministrit Haradinaj, Amerika asnjëherë nuk ka vënë në pikëpyetje Kosovën e pavarur dhe sovrane, pasi sipas tij, të vetmit që e kanë vënë në pikëpyetje janë shqiptarët që mundohen të bindin Amerikën se zgjidhja e vetme është shkëmbimi i territoreve.

Ndërsa, për këshilltarin e tij, taksa mund të jetë motivi i vetëm që mund ta kthejë Serbinë në tryezën e bisedimeve dhe se është vendosur ndaj Serbisë dhe jo ndaj Uashingtonit.
“Kosova ka ndërmarrë masa ekonomike ndaj Serbisë dhe jo ndaj Uashingtonit e as BE-së. Qëllimi i kësaj mase përkon ekzakt me kërkesën e Uashingtonit zyrtar, të përmbyllet sa më shpejt dialogu. Qeveria e Kosovës mendon që kjo masë është motiv që Serbia të ulet sa më parë në tavolinë për të përmbyllur marrëveshjen. Nëse heqim taksën, motivi i Serbisë për një marrëveshje është inekzistent, ashtu si 20 vitet e kaluara”, thotë ai.

Haradinaj fshikullon Ramën

Edhe pse zyrtarët e tjerë të qeverisë së Kosovës po tregohen më të përmbajtur, kryeministri Haradinaj ka paralajmëruar të mërkurën se Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat me Bashkimin Europian sepse mbështet ndarjen e Kosovës. Gjermania, fuqia më e madhe e BE-së ka dalë kategorikisht kundër këtij skenari dhe sipas Haradinajt, nëse Berlini dyshon se Rama favorizon ndarjen e Kosovës, rrezikon negociatat dhe jo vetëm.

“I lutem zotit Rama të rrijë në përgjegjësitë e veta. Kur t’i kërkojmë ndihmë të na ndihmojë, por përgjegjësia e tij në këtë rast është Shqipëria. Mos t’i japë vetes më shumë ngarkesë se ne këtu”, deklaroi kryeministri Haradinaj. “Kushdo që ndryshon kufijtë pengon rrugëtimin e tij drejt BE-së. Europa thotë 'mbyll çështjen e kufijve nëse do të vish', pra kushdo që hap kufijtë vonon integrimin”, paralajmëroi ai.

Ramush Haradinaj dhe Edi Rama

Në një intervistë televizive pak ditë më parë, kryeministri Haradinaj “fshikulloi” këdo që mbështeste shkëmbimin e territoreve duke thënë se Kosova nuk i kishte marrë asgjë Serbisë, që të detyrohej t’i jepte diçka. Ai ka kritikuar edhe qëndrimin e mbajtur nga qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama, duke theksuar se "disa nga armiqtë e Kosovës flasin shqip".

“Në Uashington po lobohet nga Kosova, Serbia por dhe Tirana zyrtare për t’i bindur zyrtarët amerikanë se korrigjimi i kufijve është formula e duhur. Po bëjnë shumë gabim", tha Haradinaj duke nënvizuar se dhe media ka rënë në grackën e këtyre. “Kushdo që kërkon njohjen nga Serbia me shkëmbim territoresh ose me lëvizje kufijsh është armik i 17 Shkurtit të vitit 2008, i Kosovës së pavarur dhe Kushtetutës. Kushdo që ende më tutje e zvogëlon këtë Kosovë është armik. Çdo ngacmim i kësaj arritjeje, apo çelje është kthim prapa për shqiptarët”, deklaroi kryeministri.

Ai hodhi akuza të forta duke deklaruar se në Shqipëri janë paguar pará në favor të projektit të ndarjes së Kosovës. Sipas kryeministrit kosovar, burime i këtyre parave është Rusia, e cila ka arritur të “shtijë në dorë media dhe pushtetarë”.

“Në Shqipëri është lobuar edhe më parë për projektin e ndarjes. Gazetarë dhe analistë nga Kosova… kanë hyrë me shumë para në Shqipëri. Rusët kanë mbërritur në Shqipëri dhe kanë hedhur shuma të mëdha parash për të ndarë Kosovën duke lobuar në media, televizione dhe pushtetarë”, deklaroi Haradinaj, duke theksuar se kushdo në Shqipëri që del publikisht dhe thotë t’i japin Serbisë Veriun e Kosovës, sëbashku me minierën e Trepçës, është duke folur me paratë e rusëve.

Edi Rama dhe Hashim Thaci

“Nëse u themi shqiptarëve 'shkëmbeni Veriun për 500 miliardë euro', ndërkohë që Shqipëria buxhetin vjetor e ka 4 miliardë dhe Kosova 2 miliardë, shumë zyrtarë në Kosovë dhe në Shqipëri do të pranonin”, deklaroi Haradinaj.

Ai “fshikulloi” kryeministrin Rama dhe Presidentin Thaçi se kanë ndërmarrë një agjendë të gabuar. “Nuk ndërrohet territori dhe kufijtë. Unë nuk jam tregtar dhe nuk përfaqësoj ndonjë mall që mund të shkëmbehet apo tregtohet. Nuk ka kryeministër që ofron tokën e shtetit të vet për shkëmbim. Është absurditeti më i madh. Është banalitet i madh”, u shpreh Haradinaj.

Ai i ka hapur vetes edhe një front tjetër lufte duke e konsideruar Shefen e Politikës të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini si armike të Kosovës. “Ajo ka devijuar diskutimin. Në vend që të flitet për njohjen nga Serbia, ajo e ka devijuar diskutimin tek territoret dhe kufijtë. Pra, është armike e vendit tim, ashtu si të gjithë ata që flasin për kufijtë e Kosovës”, thotë ai.

I të njëjtit mendim duket se është edhe Pedi Eshdaun, një analist ndërkombëtar që studioi pasojat e luftës së Bosnjes. Ai ka bërë thirrje publikisht Federika Mogerinit që të ndalojë shkëmbimin e territoreve. “Kalimi i kufijve të Kosovës dhe Serbisë nuk do të zgjidhë konfliktet, por do t’i përkeqësojë edhe më tepër marrëdhëniet”, thotë ai. “Paqja mund të vijë vetëm kur mësojmë si të jetojmë në bashkësi multietnike dhe jo kur rishkruajmë kufijtë. Nuk ka asnjë politikë që ka më shumë gjasa të na çojë drejt luftës dhe konflikteve në Ballkan, sesa ajo që po mbështesim tani".

Shkëmbimi i territoreve jo gjithnjë është zgjidhje

Edhe pse si Edi Rama ashtu edhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj kanë refuzuar të thonë hapur nëse janë pro ose kundër ndryshimit të kufijve, paralajmërimet e kryeministrit Haradinaj ngrejnë dyshime se pala shqiptare është në anën e Thaçit.

Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaci

Që kur ky skenar u bë për herë të parë publik, verën e kaluar, dhjetëra analistë dhe media perëndimorë kanë ngritur alarmin se kjo tezë do të çonte në incidente të paprecedentë për Kosovën dhe mbarë rajonin.

Një investigim i “Uashington Post” sugjeron se shkëmbimet territoriale pas një lufte civile ia kanë dalë që në disa raste të sjellin paqe. Prestigjiozja amerikane shkruan se ndryshimi i kufijve përgjatë vijave etnike është me efektiv sesa ndryshimi i kufijve duke u bazuar tek territoret. Pas analizimit të të dhënave të Bankës Botërore, gazetarët amerikane vunë re se nga viti 1945 deri në vitin 2004, në mbarë botën kishin ndodhur 17 shkëmbime territoriale, fill pas përfundimit të luftërave civile.

Pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, në vitin 1999, duke u shkëputur nga dhuna dhe shtypja e Beogradit, mijëra serbë dhe shqiptarë mbeten në anën e "gabuar" të kufirit. Siç parashikohej edhe nga ekspertët e asaj kohe, dhuna e armatosur u rikthye sërish, dhe pikërisht në ato rajone ku ishin vendosur pakicat etnike. (Në vitet 2000-2001 shpërtheu dhuna në luginën e Preshevës dhe në vitin 2004 shpërthyen konfliktet në Mitrovicën e Veriut). Këto përplasje lanë dhjetëra të vrarë dhe dhjetëra mijëra të shpërngulur, ndërkohë që Beogradi nisi spastrimin etnik të shqiptarëve. Gazeta amerikane shkruan se nëse kufijtë e Serbisë dhe Kosovës më vitin 1999 do të ishin bazuar tek demografia e grupeve etnike, mund të ishte shmangur dhuna pas luftës.

Hulumtimet e shumta mbi shpërthimin e dhunës, pak kohë pas ndarjes Gjeorgji-Moldavi sugjerojnë që konfliktet lindin në radhë të parë për shkak të kapacitetit të dobët të shtetit dhe jo nga urrejtja etnike. Qeverisja e dobët, varfëria dhe institucionet jokompetente, janë tiparet kryesore të vendeve që janë goditur nga luftërat. Kur qeveritë arrijnë të ndërtojë një infrastrukturë të moderuar, vende pune dhe institucione të forta, dhuna përsëritet më rrallë, edhe kur pakicat e zhvendosura kthehen në shtëpitë e tyre pas luftës.

Kjo sugjeron se anëtarët e grupeve etnike që luftuan njëri-tjetrin gjatë një lufte për pavarësi mund të jetojnë në paqe për aq kohë sa shteti është mjaftueshëm i fortë. Urrejtja etnike mund të jetë e pranishme, por dhuna mund të reduktohet në minimum nga mirë-menaxhimi i shtetit. Por sipas “Uashtington Post”, ky nuk është as rasti i Serbisë dhe as ai i Kosovës.

Duke qenë se në Luginën e Preshevës shumica e banorëve janë shqiptarë, Serbia kontrollon rreptësisht territorin. Banorët e Luginës nuk kanë mundësi të rebelohen pa mbështetje të konsiderueshme nga Kosova, një skenar që nuk ka gjasa të ndodhë për shkak të qëllimeve të Prishtinës për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe në NATO. Edhe pse shumica e shqiptarëve mund të preferojnë të jetojnë nën udhëheqjen e Kosovës, atyre do t’u duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë në mënyrë paqësore me Serbinë për sa kohë që institucionet shtetërore të Beogradit mbeten të forta. Pavarësisht përpjekjeve të Vuçiç për shkëmbim territoresh, për zyrtarët e tjerë në Beograd do të ishte e paimagjinueshme që kontrolli i këtij rajoni paqësor t’i dorëzohej Kosovës.

Por Mitrovica e Veriut, e cila shtrihet nga lumi Ibër deri në kufirin me Serbinë, është një tjetër histori. Ky territor me shumicë serbe ka qenë në mënyrë efektive i pavarur nga Kosova që nga viti 1999; megjithëse Marrëveshja e Brukselit për vitin 2013 solli marrjen e disa hapave për integrimin e rajonit në Kosovë, duke përfshirë edhe vendosjen e forcave të rajonit në mënyrë formale brenda forcave policore të Kosovës. Megjithatë rajoni vazhdon të jetë etnikisht i ndarë dhe funksionon në mënyrë autonome. Serbët ende kontrollojnë sigurinë e rajonit dhe sipas gazetës amerikane riintegrimi i asaj zone në Kosovë mund të bëhet vetëm me forcë.

Por nëse Prishtina zyrtare do të përpiqej ta kontrollonte ose të dëbonte forcat e sigurisë serbe, do të shkaktonte shpërthimin e dhunës dhe trazirave masive. Në rast konflikti, Serbia me siguri do të mbështesë ushtarakisht serbët e Mitrovicës. Ky skenar do të ishte i ngjashëm me aneksimin e Krimesë nga Rusia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë