Futboll

Durmishaj drejt Olimpiakosit, në Greqi e bëjnë fakt të kryer

Verën e ardhshme, Fiorin Durmishaj, sulmuesi i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, do të veshë fanellën e gjigantëve grekë të Olimpiakosit. Nuk është ende një lajm zyrtar, por mediet sportive në Greqi e bëjnë fakt të kryer. Sipas tyre, sulmuesi shtatlartë ka arritur që tani një akord me drejtuesit e Olimpiakosit, por transferimi i tij do të kryhet në fund të sezonit.

Durmishaj është pjesë e Panioniosit dhe në këtë kampionat është paraqitur shumë mirë, pavarësisht se nuk ka shënuar një numër të lartë golash. E ka gjetur rrugën e rrjetës 4 herë në 12 ndeshje të kampionatit. Drejtuesit e klubit të madh grek janë bindur nga forma e sulmuesit shqiptar për të blerë kartonin e tij. Do të ishte një investim për të ardhmen, pasi Durmishaj është vetëm 22 vjeç dhe konsiderohet një element nga më premtuesit në kampionatin grek. Nga i njëjti ekip, Panioniosi, Olimpiakosi ka marrë Masurasin, i cili do të lëvizë që në janar, ndërsa Durmishaj do të shkojë në Pire në verë. Përveç Panioniosit, lojtari shqiptar ka veshur edhe fanellën e Kalitheas dhe Lamias në Greqi. Me këtë të fundit ai ka pasur edhe sezonin më të mirë, me 8 gola të shënuar.

Durmishaj feston një gol

Futbollisti i lindur në Vlorë ka edhe nënshtetësinë greke, madje në një moment u fol se ai do të luante për Greqinë. Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Kristian Panuçi, e kërkoi për ndeshjet e fundit, pasi kishte shpallur listën, për shkak të dëmtimit të disa lojtarëve, por Durmishaj nuk mundi të vinte në këtë grumbullim. Sulmuesi ka luajtur 8 ndeshje me Kombëtaren U-21 dhe ka shënuar 1 gol. Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi e ka vlerësuar maksimalisht këtë lojtar. Kalimi tek Olimpiakosi do të ishte një sukses i madh për sulmuesin, ndërkohë që edhe Shqipëria do të përfitonte. Por le të presim që lajmi të zyrtarizohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë