Rend dhe Ligj

Donika Prela – CV e një prokuroreje të kontestuar

Pavarësisht rezervave të shprehura edhe publikisht nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, Donika Prela e kaloi testin e vettingut dhe u konfirmua në detyrë. Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u interpretua nga opozita si shembulli tipik i kapjes së drejtësisë nga Kryeministri Edi Rama.

Vetë prokurorja, e cila prej majit të 2018 është në krye si të Krimeve të Rënda, e komanduar si e përkohshme nga Arta Marku, e cila edhe vetë ka statusin “e përkohshme”, ka shpërfillur akuzat dhe njoftoi ambicien për t’u bërë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).

Cila është CV e Donika Prelës? E lindur në Kukës më 2 shkurt të 1976, ajo u diplomua si juriste në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1999. Po këtë vit fiton garën për t’u bërë pjesë e Shkollës së Magjistraturës. Përfundon magjistraturën në vitin 2002 dhe dy vite më vonë emërohet prokurore në Durrës. Në 2011-2012 përfundon studimet Master të Nivelit të Dytë në të Drejtën Penale, po në Universitetin e Tiranës.

Si prokurore e Durrësit shërbeu deri në shkurt të 2017. Mes dosjeve që ka kaluar nëpër duar ka qenë edhe ajo e vrasjes së Komisarit Gani Malushi, ku në përfundim të procesit gjyqësor, Agim Pepa u shpall fajtor dhe u dënua me burg përjetë.

Po në duart e Prelës ka nisur dhe më pas pushuar çështja më shumë politike se penale në ngarkim të Ledio Ruçit, djalit të kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Prela pushoi hetimet për gjetjen e 1.2 gramëve hashash në automjetin e Ledio Ruçit gjatë kontrollit të makinës së kryer nga Policia, ndërsa nga socialistët në atë kohë flitej për një inskenim të ndërmarrë nga ish-drejtori i Policisë së Durrësit në bashkëpunim me ish-zv.drejtorin e Përgjithshëm të Policisë.

Në shkurt të 2017 Donika Prela u caktua në krye të Task Forcës Kundër Krimit të Organizuar të ngritur nga Prokuroria e Durrësit dhe në janar të 2018, Arta Marku, që kishte një muaj në detyrë, e caktoi në krye të Prokurorisë së Durrësit. Pikërisht në këtë periudhë janë realizuar edhe përgjimet mes grupit të Avdylajve në Shijak dhe kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. Partia Demokratike akuzon Prelën se ka grisur fletë-arrestin duke refuzuar prangosjen e kryebashkiakut Dako për akuzat për lidhje me krimin e organizuar dhe për blerjen e votës.

Pa mbushur dy muaj në postin e drejtueses së kësaj prokurorie, në zyrat e Prokurorisë së Durrësit mbërrin dosja e bujshme ndaj Adriatik Llallës, ish-eprori i saj, i akuzuar për pastrim parash. Në maj të 2018, Arta Marku komandon në krye të Prokurorisë për Krimet e Rënda, post që vazhdon ta mbajë. Prela zëvendësoi në këtë post Besim Hajdarmatajn, që e transferoi në rrethe, por jo pa zhurmë nga Arta Marku. Hajdarmataj paditi vendimin dhe e fitoi gjyqin dhe KPK e riktheu si prokuror pranë Krimeve të Rënda.

Dosja që futi në sherr Hajdarmatajn me Arta Markun ishte ajo Shullazi. Prokurorët që po hetonin këtë çështje po zvarrisnin pretencën. Detyra e vështirë e dhënies së pretencës iu ngarkua pikërisht Donika Prelës, që kërkoi 64 vite burg në total, ku 17 ishin për Emiljano Shullazin.

Përveç Shullazit, Prela u bë protagoniste në operacionin “Vol-Vo 4” të 21 tetorit të vitit të kaluar, duke lëshuar 44 mandat-arreste, përfshirë këtu edhe dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, Arben Çuko dhe Arben Ndoka.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë