Lajme

Djegia e mandateve, Meta: Veprim ekstrem, nuk i shërben demokracisë

Presidenti Ilir Meta ka komentuar për herë të parë djegien e mandateve nga opozita shqiptare.
Në një intervistë për DW Meta ndër të tjera është shprehur se çdo veprim ekstrem nuk i shërben jo vetëm demokracisë, por as forcimit të institucioneve. Meta kërkon që edhe mazhoranca të kuptojë përgjegjësitë që ka për qeverisjen e vendit.
“Vlerësoj se çdo veprim ekstrem nuk i shërben demokracisë, nuk i shërben forcimit të institucioneve dhe nuk i shërben njëkohësisht as integrimit europian të vendit, që është dëshira e çdo qytetari shqiptar. Dhe me këtë është e lidhur edhe shpresa për të mos e shpopulluar më tej vendin tonë, sidomos nga të rinjtë dhe forcat më krijuese të tij. Është koha të kemi një hap prapa nga opozita, por mendoj që është koha të kemi edhe dy hapa pas nga mazhoranca, nga qeveria dhe nga Kryeministri, të cilët duhet të kuptojnë që përgjegjësitë kryesore për qeverisjen e vendit janë të tyre.
Është detyra e tyre të japin shembullin të parët në respektimin e Kushtetutës dhe të kufijve që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i ka përcaktuar qeverisë”, u shpreh Meta.
Sa i përket protestës së opozitës që do të mbahet nesër përpara Kuvendit, Meta ka bërë thirrje për qetësi, duke kërkuar që tubimi të jetë paqësor.
“Është e rëndësishme që çdo protestë të jetë paqësore dhe ata të cilët i organizojnë të marrin të gjitha përgjegjësitë e tyre, ashtu sikurse është e turpshme që protestat të provokohen për çdo lloj arsye.
Në Shqipëri ka një pakënaqësi, ka një zemërim dhe është koha, jo për ta instrumentalizuar këtë pakënaqësi dhe zemërim nga çdo palë, por për ta lexuar dhe për të reflektuar gjithkush me përgjegjësi se si kjo të kthehet në një energji pozitive për zhvillimin e vendit”, është shprehur Meta.
Një ditë më parë, në një reagim të ashpër SHBA i ka bërë thirrje opozitës të tërhiqet nga vendimi për djegien e mandateve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë