Analize

BE nis hetimet për “Air Albania”. Negociatat në pikëpyetje?

Ndërkohë që data e vendimit për hapjen e negociatave po afron, Shqipëria do të jetë nën lupën e Bashkimit Europian jo vetëm për shkak të krizës politike, por edhe krijimit të “Air Albania”.

Investimet shpesh të dyshimta të presidentit Erdogan dhe mosrespektimi i rregullave të konkurrencës ka ngritur mjaft shqetësime në mesin e vendeve anëtare, duke e detyruar Komisionin Europian të ndërmarrë një hetim të posaçëm.

Duke iu përgjigjur eurodeputetit Paul Rübig (të Partisë Popullore Evropiane), Komisioni Europian njoftoi në një letër se do të kryejë një vlerësim të përgjithshëm të të gjitha prokurimeve publike në vendin tonë, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe themelimin e “Air Albania”.

Rübig pyeti në një kërkesë se "çfarë mendon KE për shqetësimet e ngritura që “Air Albania” u krijua jashtë rregullave të prokurimit dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA)"; marrëveshje e cila e detyron Shqipërinë të hapë prokurimet publike dhe të vendosë kushte të barabarta për kompanitë evropiane dhe kompanitë jo-evropiane apo shqiptare.

Duke iu përgjigjur këtyre shqetësimeve, Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn deklaroi se e kishte ngritur disa herë këtë shqetësim në të gjitha takimet me zyrtarët shqiptarë.

Johannes Hahn dhe Edi Rama

"Komisioni është në dijeni të ankesave në lidhje me shkeljen e mundshme të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) BE-Shqipëri në lidhje me ndërtimin e aeroportit në Vlorë dhe krijimin e linjës ajrore “Air Albania”. Sipas MSA-së, dhënia e kontratave publike në bazë të reciprocitetit, veçanërisht në kontekstin e Organizatës Botërore të Tregtisë, është një objektiv kyç. Komisionit e ka theksuar rregullisht këtë fakt në diskutimet e veta me autoritetet shqiptare", thuhet në përgjigjen e KE-së.

Hahn theksoi se Komisioni Europian do të nisë një hetim përgjatë muajve të ardhshëm mbi “Air Albanian” dhe aeroportin e Vlorës, të dyja nisma të mbështetura nga qeveria turke.

Komisioni Europian monitoron nga afër kuadrin ligjor të të gjitha investimeve publike në Shqipëri, duke vlerësuar përputhjen e tyre me rregullat e BE-së. Por nismat e investitorëve turq dhe mosrespektimi i rregullave të konkurrencës ka bërë që eurodeputetët t’i kërkojnë llogari KE-së. Në përgjigjen e tij, Hahn njofton se muajt e ardhshëm do të nisë një hetim të posaçëm.

“Një vlerësim më i gjerë dhe më i thellë i kuadrit të prokurimit publik dhe konkurrencës / ndihmës shtetërore në Shqipëri, tashmë është planifikuar përmes angazhimeve të ndryshme teknike në muajt e ardhshëm”, thuhet në deklaratë.


Aeroporti i Vlorës

E njëjta pyetje është ngritur për Aeroportin e Vlorës, për të cilin Parlamenti Shqiptar, me kërkesë të Kryeministrit Edi Rama, miratoi një ligj të jashtëzakonshëm për negociata direkte me disa kompani turke. Afati i përcaktuar me ligj për negociatat ka skaduar shumë kohë më parë, ndërkohë që qeveria nuk ka zbuluar ende se çfarë përfundimesh kanë pasur negociatat.

Megjithatë, qasja e ndjekur për arritjen e kësaj marrëveshjeje të njohur si "Procedura e Negociatave Speciale" ka ngritur shqetësime rreth prokurimit të drejtpërdrejtë dhe të pakufizuar, duke anashkaluar ligjet aktuale të prokurimit publik dhe partneritetin publik-privat, si dhe shkeljet e mundshme të rregullave të MSA-së dhe rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Qeveria shqiptare deri më tani ka miratuar pesë ligje të veçanta që në thelb e kalojnë konkurrencën dhe duket se krijojnë prokurime të drejtpërdrejta në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të BE-së dhe rregullat e anëtarësimit në OBT. Deri më tani, ligjet nuk kanë sjellë asnjë pasojë, por BE është e përfshirë në debatin mbi dy nga këto katër ligje, për Teatrin Kombëtar dhe Aeroportin e Vlorës.

BE-ja kundër Turqisë

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk tha disa muaj më parë se Turqia është një investitor kyç në Shqipëri, duke theksuar se stoku i investimeve të drejtpërdrejta turke në Shqipëri është 2.7 miliardë dollarë.

Krijimin e “Air Albania”, vetë kryeministri Edi Rama e ka cilësuar të pamundur pa ndihmën e Presidentit turk, Recep Taip Erdogan. “Pa iniciativën dhe mbështetjen bujare të Presidentit Erdogan s’do ishim këtu. Ama, pas marrjes së vendimit, rruga s’ka qenë e lehtë”, deklaronte Kryeministri.

Investimet e Turqisë në Shqipëri janë selektive, por janë në sektorë mjaft strategjikë. Ato përfshijnë pronësinë e bankës së dytë më të madhe të vendit, hidrocentrale, një fabrikë të shkrirjes së hekurit, dhe kompanisë "Albtelecom".

Dy vite më parë, Erdogan deklaroi me krenari në një intervistë televizive se Turqia ka investuar tre miliardë euro në Shqipëri. "Nuk e di se sa investime kanë ardhur nga BE-ja, por nuk do të ndalet."

Sigurisht përtej shkeljes së vazhdueshme të rregullave të konkurencës, Bashkimi Europian ka sinjalizuar prej kohësh se nuk është fans i madh i investimeve turke në vendin tonë. Për një sërë ekspertësh, nëse Shqipëria dëshiron të shkojë drejt Bashkimit Europian, duhet të jetë e kujdesshme në marrëdhëniet me Ankaranë.

Analisti i njohur Alen Ben-Mier thotë se "autoritetet shqiptare duhet të kuptojnë se perspektivat për rritje ekonomike, prosperitet, liri dhe demokraci të qëndrueshme janë të lidhura ngushtë më BE-në, dhe jo me një diktator të pamëshirshëm që paraqet veten si shpëtimtarin e Ballkanin".

“Qëllimi i Erdoganit është të sigurojë një dozë të vogël zhvillimi ekonomik në Shqipëri, derisa ajo t’i nënshtrohet qëllimit të tij”, shkruan analisti. Sipas tij, BE nuk do të pranojë kurrë që asnjë anëtar të ri i saj të jetë thellësisht i lidhur me Erdogani, veçanërisht tani që dëshira për të dominuar në Ballkan është e qartë për të gjithë.

“Kjo nuk duket të shqetësojë kryeministrin Edi Rama”, shkruan Ben-Meir për gazetën e njohur “The Globalist”. I njohur për marrëdhëniet e tij të ngushta me Erdoganin, ai ishte lideri i vetëm nga Evropa që mori pjesë në martesën e vajzës së Erdoganit. Ai ka negociuar ndërtimin e një aeroporti turistik në Vlorë”, thotë analisti, sipas të cilit, nëse Shqipëria vazhdon të afrohet me Erdoganin, dera e anëtarësimit në BE do të mbyllet.

Edi Rama dhe presidenti Erdogan

Shkelja e rregullave

Mënyra e tenderimit të "Air Albania" dhe aeroportit të Vlorës shqetësoi që në fillim ndërkombëtarët. Deputeti holandez Pieter Omtzigt i ka drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme të vendit të tij Stef Blok më datën 14 janar një sërë pyetjesh në lidhje me mosrespektimin nga ana e qeverisë shqiptare të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (SAA) me Bashkimin Europian në fushën e tenderimit. Bëhet fjalë për aeroportin e Vlorës dhe "Air Albania", të cilat u janë dhënë turqve pa garë të hapur.

Pyetja e parë që deputeti Pieter Omtzigt i drejtonte Ministrit të tij të jashtëm ka të bëjë me interesimin në lidhje me marrjen e letrës së shkruar nga Kryetari i Komisionit të Çështjeve Europiane në Parlamentin Europian drejtuar Komisionit Europian. Në letër deklarohej se tenderi për aeroportin në Vlorë është dhënë për tre kompani turke pa garë dhe sëbashku me themelimin e "Air Albania", nuk ka ndjekur rregullat e tenderimit të BE-së. Në letrën e 7 shtatorit, Komisioni Europian shkruante:

“Neni 74, pika 1, [e MSA-së] parashikon se “palët konsiderojnë si një objektiv të dëshirueshëm liberalizimin e kontratave publike në bazë të parimit të mos-diskriminimit dhe reciprocitetit. Në këtë kontekst, ligji special i miratuar, i cili përzgjedh një kompani pa hapur asnjë tender, ngriti shqetësime lidhur me respektimin e parimit të sipërpërmendur të mosdiskriminimit dhe të parimeve të tjera të prokurimit publik të BE-së, si trajtimi i barabartë, diskriminimi dhe konkurrenca.”

Nisur nga këto fakte, deputeti holandez Omzig kërkon një shembull të një tenderi të zhvilluar në mënyrë korrekte në Shqipëri.

Omtzigt gjithashtu i kërkoi Ministrit Blok nëse këto tendera, të cilat u mbajtën pa respektuar procedurat e prokurimit publik, e shkelin MSA-në dhe nëse ai mund të japë qoftë dhe vetëm një shembull të “një projekti të rëndësishëm në Shqipëri”, ku procedurat e tenderit janë kryer konform rregullave të BE-së.

“Si e vlerësoni faktin se qeveria shqiptare shkeli Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit midis BE dhe Shqipërisë, si në rastin e ndërtimit të aeroportit të ri në Vlorë dhe në themelimin e "Air Albania", dhe se kontratat janë dhënë direkt pa garë të hapur për kompanitë turke, kompaninë shtetërore shqiptare dhe kompaninë private shqiptare (të dyshimtë) që u krijua nëntë ditë përpara, në atë kohë, që nuk ka përvojë në fushën e aviacionit?” pyet deputeti holandez në letrën drejtuar Ministrit të tij të jashtëm.

Në qershor 2018, Omtzigt ishte pjesë e një misioni deputetësh nga parlamenti holandez që vizitoi Shqipërinë për të mbledhur fakte në lidhje me përparimin e Shqipërisë. Pak kohë më vonë, parlamenti u shpreh që qeveria holandeze të votonte kundër hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

Holanda nuk është e vetmja që shqetësohet për procedurën e tenderave në Shqipëri. FMN dhe Banka Botërore prej do kohësh ia tërheqin fort veshin qeverisë shqiptare për tenderat me Partneritet Publik Privat, por si Kryeministri Rama, ashtu edhe ish-Ministri i Financave Arben Ahmetaj kanë deklaruar përherë se kjo është mënyra e duhur që infrastruktura të jetë në kohë të shpejtë pranë qytetarëve sepse me paratë e arkës së shtetit do të duheshin dekada.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë