Lajme

Bashkë në një protestë, të ndarë në megafonë (foto)

Protestës përpara Parlamentit i janë bashkuar edhe studentët nga Elbasani dhe ata të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Protesta duket se është e ndarë në dy grupe, pasi megafoni te hyrja e Parlamentit kontrollohej nga Lëvizja për Universitetin dhe nuk lejojnë që ta marrë gjithsekush fjalën. Ndërsa grupimi që të mërkurën protestoi para parlamentit ka ngritur një qendër zëri disa metra me tutje. Përfaqësues të lëvizjes për Universitetin folën për Gazeta Si, duke thënë se nuk kanë besim te studentët që protestuan para kryeministrisë dhe që këtë të enjte janë grupim më vetë.

“Po nuk e dimë se kush janë ata. Unë nuk e di se kush mund ta ketë sjellë atë foni aty. Atje nuk është as vendi për të protestuar. Ne jemi përballe hyrjes së parlamentit, kurse ata para parlamentit. Ka pasur shumë tentativa për përçarje këto ditë, por ne do të qëndrojmë këtu të bashkuar”- kështu u shpreh një nga drejtuesit e Lëvizjes për Universitetin, Klodi Leka.

Por edhe grupimi tjetër i studentëve kanë dyshimet e tyre karshi Lëvizjes për Universitetin. “Foninë e kam sjellë unë. Unë jam student i Fakultetit të Drejtësisë dhe e kam sjellë bashkë me shokët e mi. Për Lëvizjen për Universitetin doja të thoja që ne nuk marrim fonde ndërkombëtare, siç marrin ata”- tha Agred Tafaj, një nga studentët që proteston prej 9 ditësh dhe të martën e të enjten qëndroi para Kryeministrisë.

Këto janë dy grupimet më të mëdha dhe të organizuara në këtë protestë që para Parlamentit u bënë më të dukshëm. Por në këtë protestë studentore ka edhe shumë grupime të tjera më të vogla. Janë studentët e Universitetit të Mjekësisë dhe ata të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të cilët qëndrojnë më vete në mes të dy grupeve.

Sakaq kjo demonstratë e studentëve para parlamentit nuk i ka shpëtuar incidenteve. Në orët e para, policia  ka prerë kabllin nga i cili merrte energji qendra e zërit që ata kishin përgatitur për të protestë.

Studentët akuzuan se policia u preu kabllin për foninë
Momente "negociatash" për rilidhjen e kabllit të fonisë

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë