Lajme

Autoriteti i Konkurrencës verifikon çmimet e reja të dentistëve

Autoriteti i Konkurrencës thotë se është vënë në dijeni në lidhje me njoftimin e bërë publik nga Asambleja Kombëtare e Urdhrit të Stomatologut për përcaktimin e listës së çmimeve dysheme për shërbimet në klinikat dentare miratuar nga Asambleja Kombëtare dhe Këshilli Kombëtar.

Konkurrenca citon se, sipas listës së publikuar, Urdhri i Stomatologut ka vendosur çmime dysheme për një kategori të caktuar shërbimesh dentare për: Terapinë, Ortopedinë, Kirurgjinë dhe Ortodoncinë.

Autoriteti i Konkurrencës i cili ka si mision mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, në bazë të nenit 69 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar vlerëson shkallën e kufizimit ose të pengimit të konkurrencës të çdo projekt-akti normativ që, në mënyrë të veçantë, ka të bëjë me: a) kufizimet sasiore për hyrjen në treg dhe tregtimin; b) vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të të drejtave të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara; c) imponimin e praktikave të njëjta në çmime dhe kushtet e shitjes.

Konkurrenca thotë se do të vlerësojë këtë akt normativ dhe do të shprehet me vendimmarrje nga ana e Komisionit të Konkurrencës nëse ky akt bie në kundërshtim ligjin nr. 9121/2003.
Urdhri i Stomatologut ka nxjerrë listën e çmimeve të referencës. Çmimet e përcaktuara janë dysheme dhe variojnë nga 500 lekë për një vizitë dentare, 3000 lekë për pastrim gurëzash, 4000 lekë për një mbushje të gradës së dytë, deri në 70 mijë lekë për një implant.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë