Opinion

Autoritarizmi në epokën e informacionit

Nga Jacob Shapiro - Rendi global i udhëhequr nga SHBA ka një neveri të veçantë ndaj autoritarizmit dhe me të drejtë. Centralizimi i pushtetit politik në duart e një partie individuale ose politike, fyen ndjeshmërinë liberale demokratike. Kjo gjithashtu shpesh çon në regjime politike që janë shtypëse dhe agresive. Por kjo nuk ndodh gjithmonë. Nuk ka asgjë që ndalon regjimet autoritare të ruajnë paqen ose të sigurojnë zbatimin e ligjit në një vend të caktuar. Kritikët e autoritarizmit ndoshta po mendojnë për diçka më të keqe: totalitarizmin, një regjim autoritar, në të cilin udhëheqja dëshiron kontroll total jo vetëm mbi shtetin, por edhe individin. Totalitarizmi supozohet të jetë praktikisht i pamundur në shekullin e 21-të. Këto regjime ishin në gjendje të kontrollonin tërësisht informacionin që qytetarët e tyre konsumonin, të cilat luanin një rol të madh në aftësinë e tyre për të siguruar, pajtueshmërinë e popullsisë me direktivat e qeverisë. Koreja e Veriut është një shtet me të vërtetë totalitar që ka mbetur sot dhe kostoja e mbajtjes së këtij sistemi ka qenë izolimi pothuajse i plotë nga rendi ekonomik ndërkombëtar, duke lënë shumicën e koreanoveriorëve të varfër. Shpërndarja e informacionit nëpërmjet kanaleve të ndryshme të komunikimit, do të ishte një rrënim për këto regjime.
Por a funksionon bota në të njëjtën mënyrë?
Javën e kaluar, grupi RBK, një kompani mediatike ruse, raportoi se qeveria e Kremlinit po përgatitet të shkëpusë përkohësisht vendin nga interneti për të provuar elasticitetin e hapësirës së internetit të Rusisë, nëse një agresor i jashtëm do të shkëpusë lidhjen e Rusisë me rrjetin global. Testi, i cili pritet të ndodhë diku para 1 prillit, është i fundit në një seri lëvizjesh ruse për të ndërtuar një infrastrukturë të pavarur ruse të internetit. Rusia portretizon zhvillimin e kësaj infrastrukture si një domosdoshmëri mbrojtëse, e detyruar nga një Shtetet e Bashkuara gjithnjë e më agresive, e cila, së bashku me aleatët e saj, mund të manipulonte internetin për të dëmtuar interesat ruse. Rusia ka forcuar infrastrukturën e saj të internetit, një prioritet kombëtar që prej 2014-s, kur Ministria e Komunikimit simuloi efektet e shkëputjes nga interneti dhe duke u mbështetur në një sistem rezervë të brendshëm. Në tetor të vitit 2017, Këshilli i Sigurimit i Rusisë i kërkoi qeverisë të zhvillojë një infrastrukturë të pavarur të internetit dhe në dhjetor të vitit të kaluar, një projekt i quajtur Digital Economy National krijoi ndryshime në infrastrukturën e internetit të Rusisë, ofruesit e internetit dhe firmat e telekomunikacionit. Eksperimenti i ndërprerjes ka për qëllim t'u ofrojë informacion ligjvënësve rusë për të ndryshuar ligjin e propozuar në leximin e tij të dytë.

Projekt-ligji përfshin një kërkesën e Rusisë për zhvillimin e një sistemi kombëtar me domein të njëjtë, në mënyrë që të gjithë programet mediat dhe gjithçka tjetër vizuale të jetë e kontrolluar nga qeveria. I gjithë trafiku i internetit në Rusi nuk do të udhëhiqet nga operatorët e rrjetit të themeluar, por nga Shërbimi Federal i Rusisë për Mbikëqyrjen e Komunikimeve, Teknologjisë së Informacionit dhe Medias, i cili do t'i jepet gjithashtu autoritet për të marrë të gjithë sistemin nëse del një "kërcënim" në internet. Infrastruktura e re e internetit e pavarur e Rusisë po ndërtohet me dizajn autoritar dhe me potencial totalitar.
Rusia nuk është shembulli i vetëm që një vend kufizon qasjen në internet.
Kina, është duke kontrolluar internetin për dekada të tëra, njerëzit në Kinë kanë gjetur mënyra të mjaftueshme për të kapërcyer disa nga kufizimet e ndryshme. Në vitet para se Xi Jinping të bëhej president në vitin 2012, shumë qytetarë kinezë po bëheshin më aktivë në rrjetet sociale, duke përdorur edhe internetin për të kritikuar qeverinë e tyre.
Xi ndërmori një numër hapash për të kontrolluar çdo informacion nëpërmjet mjeteve të komunikimit. Në vitin 2015, Kina denoncoi ofruesit e rrjeteve virtuale private, të cilat u mundësojnë përdoruesve akses në faqet e internetit që janë të bllokuara nga qeveria. Në vitin 2017, Bloomberg raportoi se Kina kishte urdhëruar tre firma të mëdha shtetërore të telekomunikacioneve për t'i penguar individët të përdorin rrjete privat virtuale. Xi i tha Konferencës Botërore të Internetit në vitin 2015 se nuk do të lejojë askënd të kërcënojë sovranitetin kibernetik të Kinës.
Por ideja e sovranitetit kibernetik është e çuditshme. Interneti, sipas përkufizimit, nuk është sovran, por është një rrjet global i kompjuterëve të lidhur nga kabllot dhe satelitët në hapësirë. Interneti është i fuqishëm sepse nuk i përket asnjë vendi në veçanti. Kurrë më parë, qeniet njerëzore nuk kanë pasur qasje kaq të shpejtë dhe të lehtë në informacion. Dhe pikërisht kjo është ajo lloj lirie që qeveria e Kinës ka frikë.
Nuk duhet të ngushëllohemi se kjo po ndodh vetëm në vende autoritare si Rusia dhe Kina. Lloji i homogjenizimit të këtij mendimi që po ndjek këto vende, në të ardhmen do të përfshijë edhe shume vende të tjera.

Në Shtetet e Bashkuara, Agjencia Kombëtare e Sigurisë mund të monitorojë shumicën e qytetarëve të SHBA-së. Një raport nga gazeta “Wall Street” vlerëson se 75 për qind e trafikut të internetit në SHBA mund të monitorohet nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare. Ndryshe nga Rusia apo Kina, nuk ka asnjë shtysë politike për institucionet e SHBA-së për të kontrolluar qasjen e internetit për qytetarët amerikanë. Qeveritë kineze dhe ruse po i bëjnë këto ndryshime nga frika e mendimit të pavarur, të cilat mund të çojnë në kundërshtim të regjimeve të tyre. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara, problemi nuk është një diktator totalitar që do të ndalonte mendimin e pavarur, por mungesa e një mendimi të tillë.
Interneti, si çdo teknologji, është një mjet. Mund të përdoret nga diktatorët për të kontrolluar mendimet dhe besimet. Mund të përdoret nga demagogët për të ngritur paragjykimet e masave. Mund të përdoren nga vendet për të sulmuar njëri-tjetrin. Mund të përdoret nga shkencëtarët për të ndarë kërkime dhe të dhëna të rëndësishme. Mund të përdoret, pra, për të lidhur njerëz të ndryshëm nga pjesë të ndryshme të botës.
Kur përdoret për të armatosur informacionin, interneti mund të ndërtojë kulte të personalitetit në shekullin 21. Në të mirë a në të keq, individët nuk mund të jetojnë pa internet dhe shtetet po mësojnë mënyra të reja për ta përdorur atë për qëllime të ndryshme.
*Jacob është autor i opinioneve në medien online “Real Clear World”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë