Lajme

10 milionë euro për impiantin e ujërave të zeza në Gjirin e Lalëzit, gati në maj

Një impiant i ri për trajtimin e ujërave të zeza është ndërtuar në Gjirin e Lalëzit.
Investimi arrin shifrën 10 milionë euro. Ky impiant në fazën e parë do të mbulojë nevojat e 15 mijë banorëve, për tu zhvilluar në një fazë tjetër deri kapacitetin përpunues për 30 mijë banorë.

Kolektori i ujërave të zeza në Gjirin e Lalëzit përfshin dhe ndërtimin e rrjetit kryesor të kanalizimeve nga zona e Shën Pjetrit deri në Hidrovor me rreth 6.2 km rrjet kanalizimi kryesor, 4 stacione pompimi që bëjnë të mundur mbledhjen e gjithë pjesës së bregdetit dhe kanalizimet që lidhen me impiantin. Pas trajtimit uji do të dalë i pastër dhe përmes një kanali do të shkarkohet në det. Sipas ekspertëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë , uji që do të derdhet në det do të jetë në parametrat e komunitetit europian dhe legjislacionit shqiptarë. Kjo do të bëjë që të ketë një përmirësim të ndjeshëm të situatës në këtë zone.

“Them që është mjaft e veçantë sepse mund të jetë dhe e vetmja në rajon që ka këtë lloj vaske. Kursen hapësirë dhe ka një mirëmbajtje më të lehtë në të ardhmen”, ka thënë Drejtori i Drejtorisë së Ujësjellës – Kanalizimeve në Bashkinë e Durrësit, Spartak Kovaçi.
Lidhur me afatet e përfundimit dhe dorëzimit të investimit, drejtori i UKT-së Durrës garantoi se rrjeti i kanalizimeve dhe impianti do të merret në dorëzim për dy muaj dhe që nga ai moment ato mund të lidhin të gjitha resortet dhe bizneset që janë ndan bregut të detit.

“Ne kemi lënë pusetat gati me gjithë hyrjen dhe bizneset vetëm do bëjnë lidhjen me këto puseta. Gjë që do bëhet brenda këtij sezoni veror dhe nuk do kemi më asnjë derdhje në det dhe asnjë gropë septike në këtë zonë”.- u shpreh ai.
Kurse zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati tha se ky investim është mbështetur tek plani urbanistik zhvillimor dhe parashikohet që deri për vitin 2030, ky impiant të jetë mjaftueshëm për të përmbushur të gjitha nevojat që ka vija bregdetare për trajtimin e ujërave të ndotura.

“Këtu kemi një impiant që është super modern, sipas teknologjisë së fundit. Kemi dhe kolektorin kryesor që vjen që nga pjesa veriore e Gjirit të Lalzit dhe përmbledh gjithë pjesën e bregdetit. Ky projekt parashikohet të jetë për një zgjidhje të qëndrueshme deri në vitin 2030, sepse i është referuar planit të zhvillimit urbanistik dhe gjithë komplekset e reja që po zhvillohen do kenë një çështje të zgjidhur trajtimin e ujërave të ndotura urbane”.

Ministrja Balluku nënvizoi se një projekt i tillë duhet të implementohet edhe në zona të tjera.

“Dhe sigurisht kjo zonë do të kthehet në një shembull për t'u implementuar në të gjithë zonat e tjera bregdetare. Menaxhimi i integruar i ujit, është një nga gjashtë prioritetet e qeverisë dhe këtu në këtë impiant kemi pasqyruar më së miri strategjinë tonë të zhvillimit, e cila absolutisht reflektohet në rritjen e mirëqenies së jetës së qytetarëve por bashkërendohet me strategjinë e turizmit që ne kemi”, u shpreh Balluku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë